1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

210911 G8 Unterstützung

21 Shtator 2011

Vendet e G8-ës vendosën në maj të këtij viti për një partneritet konkret. Tunizia, Egjipti, Maroku dhe Jordania do të mbështeten me 80 miliardë dollarë në rrugën drejt demokracisë. Në OKB tani pati takime.

https://p.dw.com/p/12dVS
Sirianë demonstrojnë në Aman
Siria ende jodemokratike: sirianë demonstrojnë në AmanFotografi: privat

"Qytetarët tanë janë plot shpresë, ata duhet të shohin përparime të menjëhershme."

Dhe kjo vlen jo vetëm për formimin e një qeverie dhe të një sistemi ligjor apo ndërtimin e infrastrukturës, por edhe për përmirësimin konkret të kushteve personale për jetën: si për shembull përmes një vendi të punës.

Ndihmë për të rinjtë 

Ndihmat financiare të Partneritetit Deauville mund të luajnë një rol të rëndësishëm, tha Amri në konferencën për shtyp pas takimit, dhe u shpreh optimist se  80 miliardë dollarët e premtuar për vendet e Partneritetit do të paguhen së shpejti. Sepse ekonomia egjiptiane, për shembull, është në gjendje të vështirë:

"Nuk është e fshehtë se gjendja jonë buxhetore është shumë e tensionuar, ne kemi nevojë për mbështetje financiare afatshkurtër. Të ardhurat nga turizmi kanë rënë, po ashtu edhe eksportet. Ne kemi nevojë për çdo ndihmë, që do të na ofrohej tani."

E gjithë kjo bëhet para së gjithash për të ndihmuar të rinjtë. Ministri i Jashtëm francez Alain Juppe citoi nga deklarata përfundimtare e takimit.

"Arsimi dhe shkollimi profesional janë vendimtar për punën e partneritetit."

Ekziston gatishmëria, thuhet në deklaratë, për të mbështetur përmirësimin e gjendjes në arsim dhe luftimin e analfabetizmit dhe të papunësisë, veçanërisht në mesin e të rinjve.

Kryediplomati francez theksoi se impulset vendimtare duhet të vijnë nga vetë vendet arabe. "Ky është revolucioni i tyre, faza e tyre kalimtare", tha ai.

Raporte midis të barabartëve

Në takim u ra dakord se nuk ekziston një recetë e përbashkët për rrugën e demokracisë, pasi vendet arabe ndodhen në faza të ndryshme të revolucionit. Mahmoud Xhibrili, kreu i qeverisë i Këshillit Kombëtar të Libisë Kalimtar, theksoi se:

"Raportet e ardhshme në mes të këtyre pesë vendeve dhe G8-ës duhet të jenë raporte në mes të barabartëve. Kjo është një pikë shumë e rëndësishme. Përndryshe nga kjo do të zhvillohet  vetëm një varësi tjetër, edhe pse ndoshta në një formë apo një gjuhë tjetër."

Shefi i qeverisë tranzitore libiane, Mahmud Xhibril
Shefi i qeverisë tranzitore libiane, Mahmud XhibrilFotografi: dapd

Libia ndryshe nga Egjpti, Tunizia, Maroku apo Jordania nuk do të mbështetet financiarisht, por vetëm do të shkrihen fondet e ngrira të regjimit të Gaddafit.

Në partneritetin Deauville bëjnë pjesë edhe Arabia Saudite, Katari dhe Turqia si dhe institucione si Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore. Pesë vendet arabe do të gëzojnë mbështetje në shkëmbim të përmbushjes së premtimit se do të shpien përpara proceset demokratike në vendet e tyre dhe do të zbatojnë reformat politike dhe ekonomike. Vendet e G8-ës nuk duan që të humbasin shumë kohë në këtë drejtim në mënyrë që të parandalohet rritja e forcave ekstremiste.

Takimi i ardhshëm do të mbahet me 21 dhe 22 nëntor në Kuvajt. Po ashtu partneriteti me G8-ën do të vazhdojë edhe gjatë vitit të ardhshëm nën drejtimin e amerikanëve, premtoi ministri i Jashtëm francez Juppe.


Autor: Christina Bergmann/ Esat Ahmeti

Redaktoi: Auron Dodi