1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mbi zgjedhjet në Kosovë dhe raportin e OKB-së për klimën

19 Nëntor 2007

Nga shtypi i sotëm gjerman veçojmë zëra lidhur me rezultatet paraprake të zgjedhjeve të 17 nëntorit në Kosovë si dhe mbi raportin e OKB-së për klimën.

https://p.dw.com/p/CIfB
Fotografi: picture-alliance/dpa

Mbi zgjedhjet në Kosovë së pari një vlerësim nga komentatori i "Handelsblatt": "Eshtë pra pikërisht Hashim Thaçi ai që në dhjetor do të shpallë pavarësinë e Kosovës. Kjo është një dozë ironie e historisë, sepse Thaçi është jo vetëm burri i ri i fortë i krahinës (ende) serbe. Ai si udhëheqës i UÇK-së guerilase ka qenë edhe një kundërlojtar i presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviç. E meqënëse Thaçi ka studjuar si histori edhe të drejtë ndërkombëtare, ai e di shumë mirë, se çfarë potenciali shpërthyes ka shpallja e njëanshme e pavarësisë. Megjithatë s´ka asnjë rrugë tjetër veç kësaj. Ndoshta tani ka ardhur koha për këtë. Formalisht duhet të pritet deri më 10 dhjetor, kur përfundon afati i ndërmjetësuesve ndërkombëtarë për një zgjidhje me marrëveshje. Qysh prej dy vjetësh përpiqen BE-ja, SHBA dhe Rusia që të gjejnë një formulë, me të cilën të jenë të kënaqur si shqiptarët edhe serbët, si Perëndimi edhe Rusia - një përpjekje kjo e pashpresë."

E përditshmja "Tageszeitung" komenton: "Për t´u bërë partia më e fortë në Kosovë dhe për t´i shpëtuar imazhit të udhëheqësit guerials të korruptuar, Hashim Thaçi në tre vitet e fundit në opozitë ka punuar në radhë të parë për veten e vet dhe për partinë. Fitorja në zgjedhje është shpërblimi për imazhin modern dhe të moderuar si dhe për ripërtëritjen e kryesisë së partisë. Por nuk është Thaçi ai që do të vendosë se si do të vazhdohet më tutje. Eshtë në dorën e BE-së dhe të SHBA-së, pas fundit të misionit të trojkës më 10 dhjetor, që të paraqesin një perspektivë bindëse për pavarësinë e Kosovës."

Raporti i OKB-së për klimën është një ndër temat më të komentuara në periodikun e sotëm. Gazeta "Rhein Zeitung" tërheq vëmendjen: "Frika për ekzistencë për një kohë të gjatë ka qenë shqetësimi kryesor i njeriut, që mendonte të ishte në gjendje për të përballuar kostot e jetesës. Ndërsa tani 2500 studjues i konsiderojnë të mundshme rrethanat, që duhen paguar me jetën. Forcën vdekjeprurëse të dukurive natyrore si dhe figurën e shpëtimtarit të botës ne e njohim vetëm prej filmave. Mos vallë ne na duhen fuqitë e një superman-i, në mënyrë që bota armiqësore kundrejt jetës nga filmi i Roland Emerihut (Emmercih) "The day after tomorrow" të mbetet vetëm një fiksion? Eshtë tepër joshës qëndrimi i spektatorit pasiv të ulur në kolltukët e kinemasë. Por le të eksperimentojmë më mirë me mendimin për të qenë të dobishëm: Të mendojmë vet dhe të provojmë vet: ku ka pak hapësirë për të mbrojtur klimën në jetën tonë të përditsme? Ndoshta do të konkludojmë, se ajo që i shërben klimës na dhuron njëkohësisht ne më shumë cilësi jetese."


Nga komenti i "Heilbroner Stimme" lexojmë: "Gjermania i di rreziqet dhe do të luajë një rol paraprijës në nivel ndërkombëtar. Por kjo herë pas herë të çon në një aksionizëm që nuk i shërben thelbit të çështjes. Megjithatë masat për mbrojtjen e klimës janë hapat e duhura, që vendet e tjera nuk i ndjekin me konseguencë. Reagimi i SHBA ndaj raportit të fundit për klimën nuk të lë përshtypjen, që ky vend e vlerëson ngjashëm situatën si dramatike."

Për komentatorin e "Kölnische Rundchau" është shansi i fundit, që njeriu në jetën e përditshme të mund të influencojë në dobi të klimës: "Eshtë shansi i fundit për njerëzimin: gjithësecili duhet t´i vlerësojë me seriozitet paralajmërimet insistuese të këshillit botëror për klimën. Koha, kur ne i lejonim vetes betejat ideologjike mbi kuptimin apo marrëzinë lidhur me mbrojtjen e klimës, ka marrë fund njëherë e përgjithmonë. Nuk mund të përshkruhen më qartë, se sa i formulojnë 2500 studjuesit nga e gjithë bota, pasojat e ndryshimit të klimës, që tashmë ka nisur, por intensisteti i së cilës ende mund të influencohet. Ai që ende nuk e ka kuptuar këtë, ose që nuk do ta pranojë, duhet të ndihmohet më shumë. Emisionet e dioksidit të karbonit duhet të pakësohen sa më shpejt që të jetë e mundur. Për këtë mund të kontribuojë çdo njeri në jetën e tij të përditshme, veçanërisht në vendet e zhvilluara."