1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mbikqyrja e hapësirës ajrore në Gjermani mbetet shtetërore

25 Tetor 2006

Planifikimi i privatizimit të kontrollit të hapësirës ajrore në Gjermani është në epiqendër të diskutimit politik. Komentatorët e shtypit të ditës e vlerësojnë vendimin e presidentit, Horst Këler për të mos nënshkruar ligjin që parashikonte privatizimin e pjesëshëm të këtij sektori.

https://p.dw.com/p/ArnJ
Këta aeroplangjuajtës sigurojnë hapësirën gjermane
Këta aeroplangjuajtës sigurojnë hapësirën gjermaneFotografi: Luftwaffe/AP

Gazeta "Tageszeitung" e Berlinit shkruan: "Dje presidenti Horst Këler e pezulloi ligjin për privatizimin e sigurimit të hapësirës ajrore të miratuar nga Bundestagu, duke vlerësuar se ky ligj është në kundërshtim me frymën e ligjit themelor. Me të drejtë Këler ka tërhequr vëmendjen, se çështja e detyrave të shtetit gjen përgjigje në ligjin themelor. Eshtë mirë që ai ndërhyn, kur Bundestagu e injoron kushtetutën si në rastin e kontrollit ndaj hapësirës ajrore."

"Stuttgarter Zeitung" duke pasur parasysh mundësinë për ndryshimin e kushtetutës, konstaton: "Një shumicë e dy të tretave në parlament mund të përcaktojë, që në të ardhmen siguria e hapësirës ajrore të mos jetë një ndër sektorët kyç, që zyrtarisht vazhdojnë të konsiderohen si "detyra të sovranitetit". Presidenti e ka lënë të nënkuptohet, se ai nuk do të ketë rezerva, nëse ndodh kështu. Ndërkohë që sinjalet e para të politikanëve partiakë po shkojnë pikërisht në këtë drejtim."

"Kieler Nachrichten" shtjellon pasojat ndaj atyre që janë përgjegjës në politikë: "Jo-ja e presidentit është e turpshme për ligjislativin. Sepse refuzimi për arësye kushtetuese, s´do të thotë gjë tjetër veçse është punuar shkel e shko. Këler e zhvleftëson megjithatë mendimin e tij menjëherë duke i lënë të nënkuptojë legjislativit mundësinë e ndryshimit të ligjit themelor. Presidenti duhet të jetë i fundit, që të nxisë aplikacionet ndaj kushtetutës."

Gazeta "Süddeutsche Zeitung" shtron pyetjen: "A lejohet që striptiza e shtetit të arrijë deri në vetësakatim, aq sa shteti jo vetëm zhvishet por amputon edhe një këmbë? Eshtë kjo pyetja që preokupon presidentin. Ai imponon politikën, që të merret me këtë çështje. Ky aksion është deri më sot më i rëndësishmi, sepse
është edhe me më shumë pasoja, gjatë mandatit të tij."

Berlinezja "Tagesspiegel" pret një ndryshim të drejtimit duke komentuar: "Kush beson, se këtu kemi të bëjmë me para, gabohet. Në një grindje si kjo për hapësirën ajrore del në pah kontradikta parimore, se ku i sheh shteti në të ardhmen detyrat e tij. Tërhiqet ai, ashtu siç preferojnë liberalët dhe një pjesë e anëtarëve të unionit konservator, duke ua lënë në dorë iniciativave private sektorët kyç? Apo duhet që ai të jetë shteti i përkujdesjes, ashtu siç preferojnë socialdemokratët, e akoma më shumë partia e majtë? Kjo nuk është si në rastin konkret një luftë për sovranitetin e hapësirës ajrore, por një vendim i rëndësishëm për drejtimin që i tejkalon gjeneratat. Për këtë jemi duke pritur."

"Landeszeitung" e Lyneburgut komenton: "Edhe pse politikanët e sektorit të komunikacionit në koalicionin qeverisës qysh në fillim patën tërhequr vëmendjen për rezervat kushtetuese ndaj ëndrrave të fluturimit sa më lart, koalicioni kuq e zi e ngjiti lart ballonin e provës. Ndërsa tani ai plasi. Pasoja është: një humbje kapitale prestigji e koalicionit të madh."

Ndërsa "Allgemeine Zeitung" që del në Mainc ndalet në aspektin financiar, pikërish tek të ardhurat e shpresuara: "Një miliardë euro janë shumë para. ...Ndoshta ishte pikërisht perspektiva për të ardhura të majme, që u prishi mendjen Bundestagut dhe Këshillit Federal në planin për shitjen e pjesës më të madhe të sektorit të sigurisë për hapësirën ajrore, duke mos i kushtuar vëmendje kushtetueshmërisë. Jo-ja e presidnetit është një shuplakë e fortë për të zgjedhurit e popullit. Ata kanë punuar shkel e shko dhe tani po paguajnë faturën. Eshtë mirë kështu."

Së fundi edhe një citat nga komenti i "Frankfurter Allgemeine Zeitung": "Presidenti refuzimin e tij për të nënshkruar këtë ligj e ka bazuar në argumenta, që s´janë përmendur fare gjatë marrjes së vendimit në Bundestag. Si p.sh. që federata me kuotën në minorancë në këtë sektor nuk do të mund të mund të bënte asgjë, nëse kjo sipërmarrje pas njëzet vjetësh do ta kishte selinë jashtë vendit. Kalimi për herë të dytë i ligjit ndoshta do ta shmangë këtë gabim. ... Por që vetëm fraksioni i partisë së majtë nuk u gënjye prej të ardhurave të majme të privatizimit, ky është një turp për të gjitha partitë e tjera."