1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

180110 Deutschland Israel Konsultationen

19 Janar 2010

Për herë të parë kabinetet e Gjermanisë dhe Izraelit mbajtën në Gjermani një mbledhje të përbashkët qeveritare. Në të u diskutua për bashkëpunimin në politikë, ekonomi, shkencë dhe kulturë - dhe marrëdhëniet dypalëshe.

https://p.dw.com/p/LZzp
Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu në Berlin.
Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu në Berlin.Fotografi: AP

Për Kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu bisedimet që kabineti i tij zhvilloi në Berlin me qeverinë gjermane ishin me rëndësi historike. Veçanërisht prekëse ishte për të vizita e përbashkët në monumentin përkujtimor të Holokaustit, tha Netanjahu. Gjermania u përball me kapitullin më të errët të historisë së saj. "Të vij këtu me një delegacion ministrash si kryeministër i një shteti të pavarur hebre, 65 vjet pas Holokaustit - ky është një moment historik."

Deri tani ka pasur vetëm një takim të përbashkët qeveritar gjermano-izraelit, dhe ky u mbajt në vitin 2008 në Jeruzalem. Atje të dy qeveritë vendosën të bashkëpunonin në sa më shumë fusha të jetës politike dhe shoqërore, një plan i cili u përforcua nga Kancelarja Angela Merkel. "Mendoj se është jashtëzakonisht e rëndësishme që nisur edhe nga përgjegjësia historike që Gjermania ka për ekzistencën dhe të ardhmen e Izraelit, të përpiqemi vazhdimisht për një bashkëpunim të ngushtë jo vetëm në çështjet e sigurisë dhe politikës së jashtme por për zhvillimin e gjithë spektrit të marrëdhënieve dypalëshe."

Mledhje e përbashkët e kabineteve gjermane dhe izraelite.
Mledhje e përbashkët e kabineteve gjermane dhe izraelite.Fotografi: AP

Por të paktën për Kryeministrin Netanjahu çështjet e politikës së sigurisë kishin prioritet. Izraeli ndihet i kërcënuar në mënyrë të veçantë nga Irani dhe programi i tij bërthamor. Qeveria në Teheran tiranizon sot popullin e vet dhe nesër ndoshta gjithë botën. Ajo në asnjë mënyrë nuk duhet të fusë në dorë armë bërthamore. "Ne duhet pa vonesë të vendosim sanksione të ashpra kundër Iranit. Nëse nuk e bëjmë tani atëherë kur? Përgjigja është: tani!"

Edhe kancelarja gjermane u tregua e gatshme për vendosjen e sanksioneve pasi deri tani Irani nuk i ka pranuar ofertat për bashkëpunim. Angela Merkel hodhi megjithatë poshtë kritikat mbi marrëdhëniet tregtare gjermano-iraniane: "Nëse nuk do të kishim tregti me Iranin atëherë nuk kishim pse të vendosnim as sanksione. Dhe nëse shihni se si sillet ekonomia gjermane mund të konstatoni se marrëdhëniet tregtare kanë ndryshuar si pasojë e sanksioneve të pritura apo të mundshme."

Merkel dhe Netanjahu diskutuan edhe mbi perspektivat e negociatave të reja mes izraelitëve dhe palestinezëve. Izraeli do të rifillojë pa kushte bisedimet, tha Netanjahu. Merkel deklaroi se ajo sheh shanse të mira për negociata të reja. Sa i takon ndalimit të ndërtimit të ngulimeve të reja hebreje në territoret e pushtuara, Kancelarja tha se qeveria gjermane pret më shumë nga Izraeli.

Autor : Nina Werkhäuser / Eliana Xhani

Redaktoi : Aida Cama