1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mbrojtja evropiane: Përparim konkret në bashkëpunim

Nina Werkhäuser24 Nëntor 2004

Nga punimet e konferencës për sigurinë në Berlin me temë: "Roli i Evropës në sistemin e ri të sigurisë"

https://p.dw.com/p/ArFk
Fotografi: AP

Po shënohet përparim në politikën evropiane të mbrojtjes, por ka ende edhe shumë probleme: në këtë emërues të përbashkët mund të përmblidhen fjalimet e ministrave të shumtë evropianë të mbrojtjes në kongresin që po zhvillohet në Berlin. Një shembull i përmendur shpesh për këtë përparim ishte ngritja e Agjencisë Evropiane të Mbrojtjes, EDA, e cila do të nisë nga puna në Bruksel në fund të këtij viti. Ndër të tjera ajo do të përmirësojë bashkëpunimin në sektorin e armatimit. Ka nevojë urgjente për këtë, tha eurodeputeti dhe presidenti i kësaj konference Karl von Wogau.

"Në Bashkimin Evropian po i lejojmë vetes luksin e të pasurit katër ose pesë sisteme telekomunikacioni, me të cilat mund të drejtohen njësite shumëkombëshe, sisteme që nuk janë kompatible me njëra-tjetrën. Këto janë para të hedhura kot!"

Kjo nuk duhet të ndodhë më në të ardhmen, sepse paratë janë të pakta, veçanërisht për zhvillimin e teknologjive të kushtueshme. Derisa SHBA shpenzojnë 50 miliardë euro në vit për kërkime në sektorin e armatimeve, vendet e BE-së investojnë së bashku vetëm 10 miliardë. Shumë folës kërkuan që këto para të shfrytëzohen në mënyrë më efektive. Zyrtarisht këtë nuk e kundërshton askush në BE, por në praktikë gjërat janë ndryshe. Kur është fjala për armatimet në "tregun e lirë" të Bashkimit Evropian lejohet që tenderat të kryhen në rrafsh kombëtar.

"Vendet anëtare vazhdojnë të shfrytëzojnë mjaft intensivisht artikullin 296 për të shmangur tenderimet në nivel mbarevropian. Jam i mendimit, që kur flitet për blerjen e këpucëve dhe çorapeve për ushtarët, atëherë as që mund të bëhet fjalë për nevojën e ruajtjes së sekretit ushtarak."

Megjithë ndjeshmërinë mjaft të përhapur tek interesat kombëtare në fushën e mbrojtjes ka edhe përparime të dukshme në bashkëpunim. Dëshmi për këtë është marrja përsipër në fillim të dhjetorit e drejtimit të SFRO-it në Bosnjë nga BE-ja, një trupë e NATO-s kjo sidoqoftë prej 7.000 vetësh. Shumë janë cituar edhe grupet shumëkombëshe të luftimit, për ngritjen e të cilave BE-ja vendosi të hënën. Planifikohet që ato të angazhohen edhe jashtë Evropës. Menjithëse edhe NATO-ja po ndërton një trupë ndërhyrëse, gjenerali Harald Kujat, kryetar i komisionit ushtarak të NATO-s, e vlerëson pozitivisht këtë zhvillim:

"Këto grupe luftimi të BE-së mund të zhvendosen me shpejtësi deri në 5.000 kilometra larg. Disa mendojnë, se NATO-ja mund ta shohë këtë si konkurrencë, por ky zhvillim i shërben aleancës, pavarësisht se nën cilin flamur ndodh."