1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

181208 Topolanek Porträt

Peter Hornung/ Pragë19 Dhjetor 2008

Në BE çdo gjashtë muaj bëhet ndërrimi i presidencës me kontraste interesante. „Turbo-Evropiani“ Sarkozy pasohet tani nga çeku gjithashtu energjik, por skeptik ndaj Evropës, Mirek Topolanek.

https://p.dw.com/p/GJfN
Kryeministri i Çekisë, Mirek Topolanek
Kryeministri i Çekisë, Mirek TopolanekFotografi: AP

Ishte një moment, që fliste shumë për këtë njeri.

Tamam para një viti. Banda muzikore e ushtrisë u bie veglave, Mirek Topolaneku sapo kishte mbajtur një fjalim për pranimin e vendit të tij në zonën e Shengenit. Pas tij Angela Merkeli dhe kryeministri polak Donald Tusk. Topolanek kthehet nga ministri i tij i brendshëm dhe miku i tij, Ivan Langer dhe të dy i përplasin duart, siç bëjnë dy sportistë.

Politika është për Topolanekun një lloj sporti

52-vjeçari ka qejf të tregohet i shpenguar dhe së paku me gjatësi çeku 1,97 metra i gjatë ia kalon paraardhësit të tij Nikola Sarkozi (Sarkozy). Politika për liberalkonservatorin, siç e quan ai veten, është një lloj sporti.

„Unë u bëj thirrje zgjedhësve, që të shkojnë në kutitë e votimit, me qëllim që të kundërgodasim dhe të pengojmë përparimin e socialdemokratëve."

Inxhinieri mekanik është aktiv në politikë që prej kthesës politike, fillimisht në nivelin lokal në vendlindjen e tij në Moravi. Në Pragë ai erdhi para 12 vjetësh, u bë anëtar i dhomës së dytë të parlamentit, senatit. Në vitin 2002 partia e tij konservatore ODS e zgjodhi kryetar, si pasardhës të Václav Klausit, i cili u bë president. Dogmatiku Klaus nuk e fshehu që atëherë kurrë antipatinë ndaj Topolanekut pragmatik. Në vitin 2006 Topolanek u bë kryeministër i qeverisë së koalicionit të përbërë nga konservatorët, kristiandemokratët dhe të gjelbrit. Megjithatë ai ka një shumicë të vogël parlamentare dhe ndërkohë mund të qeverisë me ndihmën e atyre që ndërrojnë kah. Nuk është çudi, që Topolaneku ka patur më pak mundësi të merret me zbatimin e reformave, se sa me ruajtjen e pushtetit të tij.

Topolaneku - i moderuar përsa i përket Evropës

Në çështjen e Evropës Mirek Topolanekú përfaqëson një pozicion të moderuar në partinë e tij, e cila ka tendencë skeptike deri armiqësore kundër BE-së. Ai vetë është euro-realist, marrëveshjen e Lisbonës, të cilën e refuzon kategorikisht presidenti Klaus, kryeministri e sheh si një të keqe të domosdoshme, siç e tha edhe me rastin e vizitës së Angela Merkelit në mesin e tetorit.

„Për mua marrëveshja e Lisbonës është një kompromis i vështirë, një tribut, të cilin e paguan, për të patur mundësinë, të bësh pjesë në një rreth të caktuar shtetesh të civilizuara. Prandaj mbështes ratifikimin, me gjithë problemet, që unë kam me këtë marrëveshje.“

Presidenti Klaus donte ta largonte Topolanekun nga drejtimi i Partisë ODS

Si peshë e rëndë në politikë Mirek Topolanek nuk u pa për kohë të gjatë në Pragë. Orët e tij më të vështira i përjetoi në tetor të këtij viti, kur partia e drejtuar prej tij pësoi humbje, në zgjedhjet lokale dhe të senatit. Topolaneku të linte përshtypjen e një kryeministri dhe kryetari partie në tërheqje. Sidomos presidenti Klaus donte t´i bënte varrin, biles kishte rezervë edhe pasardhësin e tij, kryetarin e bashkisë së Pragës, Pavel Bém. Por në fund Topolaneku fitoi dhe presidenti Klaus u tërhoq nga ODS.

„Unë nuk heq dorë kollaj. Në momentet, kur të tjerët humbasin guximin, shpresën, fuqinë dhe dëshirën për të shkuar më tutje, unë atëherë filloj. Aftësitë e mia dhe suksesi im shtohen me detyrat. Sa më e komplikuar dhe e pashpresë situata, aq më shumë punoj për një qëllim të përbashkët."

Premisa të shkëlqyera për kryesinë e re të BE-së nga Çekia, që mund të shihet me sy kritik nga Nikola Sarkozi. Rezistencën, që i duhet për këtë post, e ka me siguri tipi sportiv, Mirek Topolanek.


iv (AUD)