1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Me hir ose pahir banorët hebrej të Rripit të Gazës duhet të lirojnë zonat e pushtuara duke u ngritur me laçkë e plaçkë

Ralf Borhard15 Gusht 2005

Rreth 8000 banorë hebrej jetojnë në 21 vendbanime në Rripin e Gazës. Këtej e tutje ata duhet t´i lënë lamtumirën shtëpive të tyre, sepse nga dita e sotme (të hënën) do të vihet në jetë plani i tërheqjes nga Rripi i Gazës. Në bazë të këtij plani banorët kanë kohë 48 orë për t´u larguar vullnetarisht nga këto vendbanime. Nëse deri të mërkurën në mëngjes ka banorë që nuk largohen, atëherë ata do të evakuohen prej forcave të policisë, në rast nevoje edhe me dhunë.

https://p.dw.com/p/Aqj7
Banorët hebrej largohen nga shtëpitë e tyre në Rripin e Gazës
Banorët hebrej largohen nga shtëpitë e tyre në Rripin e GazësFotografi: AP

Viki Sabah ndodhet në kuzhinën e boshatisur. Tri djemtë e saj janë duke ngarkuar plaçkat e fundit në makinë. 15 vjet ka jetuar ajo në këtë shtëpi me palma përpara portës, me erën, ngrohtësinë dhe me pamjen e detit Mesdhe. Ndjenjat e saj ajo i përshkruan vetëm me një fjalë: "Ta hajë dreqi! Gjithçka morri fund. Nuk kam më fuqi as të qaj."

Ajo ka lindur në Austri, por pjesën më të rëndësishme të jetës e ka kaluar këtu, në vendbanimin Peat Sadeh në Rripin e Gazës. Ngushëllimi i vetëm për të është: se të gjithë banorët së bashku do të transferohen në të njëjtin vend, në Kibuz në Jug të Izraelit: "Ky është i vetmi ngushëllim. Megjithatë nuk është e thjeshtë."

Rreth gjysma e 8.000 banorëve në Rripin e Gazës ka vendosur të shkojë, përpara se të vijnë ushtarët dhe policët për t´i larguar me forcë. Madje kështu mendon edhe Çani Zadok, një grua mjaft besimtare nga Neve Dekalim, ngulimi më i madh hebre këtu. Përpara një gjysmë viti ajo betohej, se do të preferonte më mirë ta lidhnin pas pemës përpara portës së saj, se sa të largohej, por tani është thyer vullneti i saj për rezistencë: "Unë nuk kam më forcë, nuk dua të më poshtërojnë sërish. Sharoni na ka poshtëruar mjaft. Unë dua të largohem me kokën lart dhe të filloj nga e para. Për mua është më i rëndësishëm shëndeti shpirtëror i familjes sime, se sa t´i tregoj botës që dua të rezistoj deri në pikën e fundit. Unë e di që as dhuna nuk do të sillte gjë. Ndaj nuk dua që këtu të vdesë ndokush."

Dy km. më tutje tetë gra e burra të rinj janë duke ngarkuar arka me ujë në një shtëpi të boshatisur, pa dritare dhe pa mobilje. Ata e kalojnë natën duke fjetur në shesh me këllëf fjetjeje, kanë me vete më të domosdoshmet, por janë të vendosur të qëndrojnë. Ata bëjnë pjesë në grupin e mijëra ilegalëve, që kanë ardhur në Rripin e Gazës duke kapërcyer gardhet e ushtrisë, për të penguar transferimin. Miriam është nga Jeruzalemi dhe ka ardhur në plazhin Shirat Hayam. Nuk mund ta kuptojë, se si hebrejtë dëbojnë hebrejtë, thotë ajo në breg të detit dhe valët e Mesdheut i përplasen nëpër këmbë: "Të gjithë janë të mërzitur, janë të indinjuar, paçka se disa janë dorëzuar, ne do të vazhdojmë të presim për ndonjë mrekulli."

Por ç´mendon ajo për ushtaret dhe ushtarët e rinj që janë komanduar të vijnë këtu jo më për mbrojtje, por për t´i dëbuar me forcë banorët nga këto ngulime? "Më vjen keq për ta, nëse ata do të ishin të guximshëm dhe të ndershëm, do të duhej të mos i zbatonin urdhërat."

Por urdhëri për javët e ardhëshme është mëse i qartë për 55.000 ushtarët izraelitë dhe policët. Duke filluar nga sot të gjithë që ndodhen në vendbanimet hebreje do të marrin udhëzimin e fundit me shkrrim për t´u larguar, duke filluar nga e mërkura në orën 0 nis largimi me forcë.