1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Me numrin e lartë të lindjeve turqit po e pushtojnë Gjermaninë si kosovarët Kosovën"

14 Tetor 2009

Banka Federale gjermane ka shkarkuar nga kompetencat e tij më të rëndësishme në kryesinë e kësaj banke Thilo Sarrazinin

https://p.dw.com/p/K55a
Thilo Sarrazin, senator i Berlinit për financat.Fotografi: picture-alliance/ dpa

64 vjeçari, anëtar i kryesisë së Bankës Federale Gjermane, nuk do të jetë më përgjegjës për fushën e qarkullimit të parasë, bën të ditur Banka Federale. Por Sarrazin vazhdon të jetë edhe më tej kompetent për teknologjinë e informimit. Me këtë humbja e pushtetit nuk është aq e madhe, sa ç'pritej.

Para disa ditësh Zarrazin tha në intervistën me revistën «Lettre International» se "Turqit po e pushtojnë Gjermaninë në atë mënyrë si kosovarët pushtuan Kosovën: me anë të numrit të lartë të lindjeve." Si dhe "Unë nuk duhet të pranoj askënd, i cili jeton prej ndihmave të shtetit dhe e refuzon njëkohësisht këtë shtet, që nuk kujdeset si duhet për shkollimin e fëmijëve dhe që prodhon vazhdimisht vajza të vogla, që mbajnë shami në kokë."

Buschkowsky: "Ndihmat nga shoqëria janë të lidhura edhe me kërkesën për të kontribuar për të."

Eksperti i partisë SPD, Heinz Buschkowsky, kryetar bashkie i lagjes problematike të Berlinit Neukëln, ku jetojnë edhe shumë emigrantë nga Turqia, tha se "adoptimi i sistemit social si bazë e vetme e jetës dhe konservimi i ritualeve të jetesës dhe të familjes nuk janë të mjaftueshme. Aty, ku dëshira për t'u integruar është e vogël, duhet të ndërhyjmë dhe të bëjmë të qartë se ndihmat nga shoqëria janë të lidhura edhe me kërkesën për të kontribuuar për të."

Zimmermann: "Lejimi i kontrolluar i ardhjes së migrantëve si dhe integrimi i tyre çështje me rëndësi thelbësore për të ardhmen"

Shefi i Institutit Gjerman për Studime Ekonomike Zimmermann tërhoqi vëmendjen për krijimin e një boshllëku në sektorin e punonjësve të kualifikuar, e cila mund të përbëjë rrezik për mirëqënien dhe rritjen ekonomike në Gjermani. Ai kërkoi hapjen e tregut të punës dhe u shpreh se lejimi i kontrolluar i ardhjes së migrantëve si dhe integrimi i tyre në Gjermani janë çështje me rëndësi thelbësore për të ardhmen.

Ai tha se për shumë kohë politikanët nuk kanë dashur të pranojnë se Gjermania është vend emigrimi. Problemi është se shumë emigrantë vazhdojnë të mos jenë të integruar sa duhet as ekonomikisht dhe as nga këndvështrimi social.

Deklaratat e Sarrazinit Zimmermanni i quajti si një thirrje serioze për t'u zgjuar dhe për të kuptuar se ne "nuk i kemi bërë detyrat tona dhe kemi ndjekur një politikë të gabuar emigrimi dhe integrimi." Ai tha se nuk duhet lejuar që edhe fëmijët e emigrantëve të përfshihen në spiralen e degradimit social. Ai kërkoi krijimin e një ministrie të veçantë për integrimin.

Sipas një ankete të zhvilluar nga instituti për demoskopinë Emnid me porosi të gazetës bulevardeske gjermane "Bild am Sonntag" 51% e 501 personave të anketuar ishin të mendimit se pjesa më e madhe e emigrantëve nga vendet arabe dhe nga Turqia "as nuk duan të integrohen dhe as janë në gjendje të integrohen"

Prokuroria e Berlinit po shqyrton për momentin, nëse pas deklaratave në fjalë do të ngrejë ndaj Sarrazinit padi për demagogji.

Autor: Pandeli Pani

Redaktoi: Angjelina Verbica