1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Me sharm dhe mprehtësi diplomatike

Monika Dietrich30 Tetor 2006

Kancelarja Angela Merkel takohet me kryeministrin polak, Jaroslav Kazhinski

https://p.dw.com/p/Aqys
Kazhinski dhe Merkel në Berlin
Kazhinski dhe Merkel në BerlinFotografi: AP

Kryeministri polak Jaroslav Kazhinski me vizitën e së hënës në Berlin donte të zbuste ngricën që kishte mbuluar marrëdhëniet gjermano-polake gjatë muajve më të fundit. Mes dy vendeve fqinjë ka pasur disa pika grindjesh: Projekti ruso-gjerman për ndërtimin e gazbartësit përmes Detit Baltik dhe planet e qeverisë gjermane për të ngritur në Berlin një qendër kundër përndjekjeve.

Sinjali i Kancelares ishte i qartë: Marrëdhëniet mes Gjermanisë dhe Polonisë janë përmirësuar. Cilat janë shenjat që tregojnë për këtë? - donin të dinin gazetarët: "Së pari, zoti Shrëder nuk është më kancelar dhe zoti Kazhinski është tani kryeministër. Pra, janë dy njerëz të rinj në krye të detyrës. Bisedat tona janë të hapura dhe me sens pragmatizmi e mirëbesimi. Besoj që kjo do të jetë e mundur edhe në të ardhmen," tha kancelarja kristiandemokrate.

Gazsjellësi nga Rusia për në Gjermani, që u vendos të ndërtohej qysh në kohën e qeverisjes së socialdemokratit Shrëder, pa pyetur më parë Poloninë, që ndodhet mes tyre, është një nga pikat kryesore të mosmarrëveshjeve gjermano/polake. Dhe kjo temë ende vazhdon të preokupojë Varshavën: "Shpresojmë që do të bëhet ç'është e mundur, që Polonia dhe vendet e tjera të kenë garanci, që energjia nuk do të instrumentalizohet ushtruar presion politik ndaj nesh," - tha Kazhinski.

Merkel ka ndër mend ta zgjidhë këtë çështje kur Gjermania të marrë në dorë presidencën e radhës së Bashkimit Evropian. Ajo do të angazhohet për krijimin e një tregu të përbashkët energjetik në BE, prej të cilit do të përfitojë edhe Polonia.

Temë tjetër ishte ajo e gjermanëve të përndjekur nga Polonia mbas Luftës së Dytë Botërore. Merkel siguroi edhe njëherë se Gjermania nuk do të mbështesë aspak kërkesat e të prekurve për të rimarrë pronat apo për dëmbshpërblime nga shteti polak. Kancelarja nuk tha asnjë fjalë për temën po aq delikate për Varshavën, Qendrën kundër përndjekjeve, që planifikohet të hapet në Berlin. Kazhinski megjithatë u duk i kënaqur nga mprehtësia diplomatike që tregoi Merkel ndaj mysafirit të ardhur nga shteti fqinj.