1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Me siguri që librat asnjëherë nuk do të jenë të tepërta

14 Tetor 2009

Panairi Ndërkombëtar i Librit në Frankfurt është temë qendrore edhe në të përditshmet gjermane.

https://p.dw.com/p/K66J
Panairi i librit në Frankfurt 2009Fotografi: DW

Lidhur me këtë fillimisht në 'Berliner Zeitung' lexojmë:

"Pas zënkave në kuadër të përgatitjeve për Panairin Ndërkombëtar të Librit në Frankfurt sundimtarët e Kinës përdorin sërish fjalët e urta të filozofit kombëtar kinez Konfuzius (Kong Qiu), pa i ngulitur ato në mendjen e tyre. Të flasësh për lirinë e të mendosh për robërinë, kjo strategji mund t'i shërbejë vetëm ruajtjes afatshkurtër të pushtetit dhe përbën kërcënim për stabilitetin afatgjatë të qeverisë dhe të vendit. Partia Komuniste mund të evitojë debatet kritike politike në Kinë, ndërkaq në Frankfurt ajo duhet të ballafaqohet me mendimet ndryshe dhe të mësohet, që të mos mirret shumë seriozisht nga partnerët në bisedime", shkruan në numrin e saj të sotëm 'Berliner Zeitung'.

Ndërsa nga 'Nordwest-Zeitung', e cila botohet në Oldenburg po për të njëtën temë shkëpusim:

"Sa shumë detyra kanë librat. Ato shërbejnë për argëtim, për udhëzim e mësim dhe për të bindur tjetrin që të ndryshojë mendimin. Ato duhet të ofrojnë gëzim dhe të japin sqarime për politikën. Ato duhet të na ndihmojnë gjatë gatimit dhe të ngjallin emocione. Ato duhet të jenë një mik dhe një rezervë në kujtesën tonë. Ato duhet të jenë një lopatë, siç e pati thënë njëherë Martin Walser, me të cilën unë e mih vetveten... Por megjithatë librat mbeten ato që janë: letër, apo ekran për t'u lexuar. Dhe me siguri që asnjëherë ato nuk do të jenë, çfarë do ta dëshmojë edhe Panairi i Librit në Frankfurt, të tepërta", theksohet ndër të tjera në 'Nordwest-Zeitung'.

Autor: Esat Ahmeti

Redaktoi. Angjelina Verbica