Mediat: Bundeswehr shqyrton rekrutimin e shtetasve të BE-së

A do ta mbrojnë të huajt së shpejti Gjermaninë? Me sa duket Bundeswehri po mendon të angazhojë qytetarë nga vendet fqinje si ushtarë. Por kërkesa të tilla nuk gjejnë fort mbështetje.

Mungesa e forcave të kualifikuara nuk ndalet as para frontit të trupave. Sipas një raporti të medias, Bundeswehr (Ushtria gjermane) po shqyrton mundësinë e rekrutimit të ushtarëve profesionistë nga shtetet e tjera të BE-së.  Rekrutimi i qytetarëve të BE-së për aktivitete të veçanta është "një opcion" që do të shqyrtohet, e citon Inspektorin e Përgjithshëm të Bundeswehr, Eberhard Zorn, grupi mediatik Funke . "Ne po flasim këtu për shembull për mjekët ose specialistët e IT-së", tha oficeri më i lartë në ushtrinë gjermane. Në kohën e mungesës së punëtorëve të kualifikuar, Bundeswehri duhet "të shikojë në të gjitha drejtimet dhe të përpiqet për brezin e ri të duhur ".

Reagime të përmbajtura

Sipas grupit mediatik Funke, qeveria federale tashmë ka konsultuar partnerët e BE-së në lidhje me planet e saj. Shumica e shteteve reaguan me kujdes, sidomos evropianolindorët. Kështu Bullgaria ishte e shqetësuar për marrjen dhe emigrimin e qytetarëve të saj. Në Gjermani, sipas raportit jetojnë rreth 530,000 qytetarë të BE-së midis moshës 18 dhe 30 vjeç, të cilët do të ishin një potencial shtesë për rekrutimin e Bundeswehrit. Komisioneri i mbrojtjes, Hans Peter Bartels (SPD) i tha grupit mediatik Funke se rekrutimi i të huajve të BE-së do të ishte "një lloj normaliteti". Ushtria gjermane tashmë ka "shumë ushtarë me sfond migrimi ose shtetësi të dyfishtë".  Por, do të ishte një "iluzion" për ta pranuar se qytetarët e BE-së do të ishin zgjidhja e problemeve të personelit të trupës.

203,000 ushtarë si qëllim

Edhe pa fillestarë nga vendet e tjera të BE-së, numri i ushtarëve të Bundeswehrit po rritet përsëri. "Ne arrijmë në fund të këtij viti shifrën e 182,000 ushtareve dhe ushtarëve, që është 2,500 më shumë ushtarë profesionistë dhe kohë se një vit më parë dhe një plus prej 6500 në krahasim me mesataren e 2016-tës", i tha gazetës „Rheinische Post, ministrja e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen (CDU). Me dymbëdhjetë për qind të grave, është arritur një nivel i ri. Sa e madhe do të duhet të bëhej ushtria gjermane, është "e varur nga gjendja e sigurisë dhe detyrat pasuese për trupat", tha von der Leyen. Planifikimi aktual i personelit afatmesëm parashikon arritjen e shifrës së 203,000 ushtarëve deri në vitin 2025, duke përfshirë shumë forca të reja të tilla si siguria kibernetike ose projektet në kuadër të mbrojtjes brenda Bashkimit Evropian.

ar/vc/(afp, dpa)


Më shumë për këtë temë

Na ndiqni!