1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

231110 DW Medien Südosteuropa

23 Nëntor 2010

Zyrtarisht ekziston liria e medias në Evropë. Në realitet veçse gazetarët mund ta bëjnë punën e tyre vetëm në mënyre të kufizuar.Për këtë temë bëhet fjalë në konferecën e përbashkët të Deutsche Welle-s me Shoqatën e EJL.

https://p.dw.com/p/QFug
Ballkani
BallkaniFotografi: DW

Raporti më i fundit i "Reporterëve pa kufi" i jep një dëftesë jo aq të mirë situatës së lirisë së mediave në vendet e Evropës Juglindore. Mali i Zi arrin vendin e 104, në një nivel me Angolën dhe Nigerin. Madje vetë vende anëtare të BE-së si Bullgaria dhe Rumania gjenden në rang botëror në vendin e 70-të dhe të 52-të sa i përket lirisë së mediave. Ka shumë faktorë që të çojnë në një rezultat të tillë.

Oliver Vujoviç nga Organizata për Mediat në Evropën Juglindore me qendër në Vjenë sqaron:

Oliver Vujovic, Vjenë
Oliver Vujovic, VjenëFotografi: DW

"Problemi është që gazetarët investigativë që merren me zbulimin e korrupsionit, trafikun dhe biznese ilegale punojnë shpesh të vetëm, pa mbështetje. Ata bëjnë punë të shkëlqyer, një punë që duhej të ishte punë e shtetit. Por për këtë ata kërcënohen dhe askush nuk u ndihmon."

Gazetaria investigative - e rëndësishme

Oliver Vujoviç thekson se demokracia në këto vende nuk mund të bëhet pa gazetarinë investigative.

"Problemi i dytë në Evropën Juglindore është çështja e pronës. Kush është pronari i vërtetë i mediave. Në thelb problemi është që biznesmenë lokalë të firmave të ndryshme të regjistruara në një vend tjetër janë pronarët e vërtetë të mediave. Por këtë shpesh njerëzit në vend nuk e dinë."

Tek këta pronarë mediash bëjnë pjesë investorë të huaj, influenca e të cilëve është rritur në tregjet evropianojuglindore në vitet e shkuara. Investorët më të mëdhenj gjermanë në Serbi janë Axel Springer AG dhe grupi mediatik WAZ. Shpresa që ata do të sillnin më shumë cilësi në peizazhin mediatik nuk u plotësua. Dragana Nikolic Solomon, drejtuese e departamentit të mediave të OSBE-së në Serbi e sheh rolin e investorëve perëndimorë me sy kritik.

Dragana Nikolic Solomon, Beograd
Dragana Nikolic Solomon, BeogradFotografi: DW

"Ka raportime që tregojnë se disa nga këta investorë të huaj e shfrytëzojnë peizazhin mediatik jo të rregulluar mirë për të rritur fitimet e tyre."

Investorët e huaj të interesuar për fitime

Në vend të kontribuojnë për demokratizimin ata shohin para së gjithash rritjen e tirazheve. Në të njëjtën kohë ata përfitojnë edhe nga gjendja jo e mirë ekonomike e mediave lokale.

"Vendet ballkanike gjenden ende në një fazë transformimi dhe kanë një sistem të dobët në raport me median. Pra ligjet duhet forcohen ashtu siç duhet", thotë Nikolic Solomon.

Gjermania kryeson me projekte

Në këtë fazë tranzicioni deri në zhvillimin e mediave pluraliste dhe gazetarisë së lirë, Gjermania luan një rol të rëndësishëm. Nikolaus Graf Lambsdorff, i ngarkuar për Evropën Juglindore në Ministrinë e Jashtme Gjermane:

Nikolaus Graf Lambsdorff, Ministria e Jashtme Gjermane
Nikolaus Graf Lambsdorff, Ministria e Jashtme GjermaneFotografi: DW

"Përsa i përket projekteve dhe bashkëpunimit Gjermania është udhëheqëse ndoshta në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Kjo nuk është rastësi, ne e njohim historinë tonë dhe e dimë se sa të rëndësishme ishin mediat demokratike në ngritjen e demokracisë sonë- fillimisht në Gjermaninë Perëndimore dhe pastaj pas bashkimit edhe në atë Lindore. Ne duam ta ndajmë këtë njohuri me të tjerë. Jemi shumë të angazhuar, para së gjithash Deutsche Welle edhe në kualifikimin e gazetarëve të rinj dhe e bëjmë këtë me sukses."

Autor: Rayna Breuer/Alexandra Scherle (Lindita Arapi)

Redaktoi: Auron Dodi