1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Megjithë manipulimet e zgjedhjeve dialogu me Bjellorusinë duhet të vazhdojë

21 Dhjetor 2010

Dhuna e Lukashenkos ndaj opozitës duhet dënuar, por ndaj dialogut të Evropës me regjimin e tij nuk ka alternativë.

https://p.dw.com/p/QgzA
Demonstrata në Minsk për mbështetjen e opozitës

Që pushtetmbajtësi Aleksandër Lukashenko do ta shpallte sërish veten fitues nuk kishte dyshim dhe qe e artë që në fillim - po ashtu qe e qartë se pas zgjedhjeve ai nuk do sillej butë me opozitën. Votimi i inskenuar prej tij kishte si synim të krijonte idenë e liberalizimit, pa lejuar një demokratizim të vërtetë.

Shfaqje për Evropën

Publiku i këtij teatri të ulët politik nuk ishin qytetarët bjellorusë, por opinioni publik evropian. Kjo sepse muajt e fundit BE-ja është përpjekur të hyjë në kontakt me Bjellorusinë.

Por vetëm ata që nuk ia kanë idenë mund të surprizohen dhe të zhgënjehen prej zgjedhjeve dhe shtypjes brutale të opozitës. Të gjithë ata që e njohin gjendjen në Bjellorusi e dinin prej kohësh, se ç'regjim ka ndërtuar Lukashenkoja në 16 vitet e kaluara. Po ashtu ata e dinë se ç'burime administrative do të vinte në përdorim regjimi për të prodhuar rezultatin prej mbi 70% të prognostikuar faktikisht prej Lukashenkos. Askush nuk duhet të ketë iluzione se me Lukashenkon do të arrihet ndonjëherë një demokratizim i vërtetë i Bjellorusisë.

Por ai që kërkon që tani t'i jepet fund dialogut evropian me Lukashenkon, tregon se moralisht mund të jetë njeri i mirë, por se nuk e ka idenë e Bjellorusisë. Sado e vështirë që të jetë për t'u kuptuar pas zgjedhjeve të falsifikuara arrestimi i qindra opozitarëve, aq e drejtë është që BE të vazhdojë dialogun me regjimin e Lukashenkos. Dekadat e kaluara kanë treguar se ndërprerja e bisedimeve dhe izolimi nuk kanë efekt. Por në kuadrin e dialogut duhet ushtruar edhe kritikë. Për deficitet në fushën e të drejtave të njeriut në Bjellorusi duhen të flitet hapur. E ngarkuara e BE-së për Punët e Jashtme, Catherine Ashton, kërkoi me të drejtë lirimin e menjëhershëm të opozitarëve të arrestuar.

Shoqëria e përçarë post-sovjetike

Për vazhdimin e dialogut flet edhe një shkak tjetër, i cili rrjedh prej marrëdhënieve shoqërore në Bjellorusi. Shoqëria atje është sikurse edhe në shumicën e shoqërive të tjera post-sovjetike e përçarë thellë. Masa e madhe e popullsisë është apolitike dhe e duron politikën autoritare. Rënia totale politike dhe ekonomike si pasojë e shpërbërjes së BE para 20 vjetësh ka pasur pasoja traumatike në shoqëri dhe u ka grabitur shumë njerëzve shpresën se në politikë mund të ketë ndonjë ndryshim. Kandidatët opozitarë humbën me siguri për shkak të kufizimeve në fushatën elektorale dhe përdorimit kundër tyre të burimeve administrative. Por problemi i tyre është edhe se elektorati nuk beson se ata mund të jenë më të mirë se sa regjimi i Lukashenkos.

Vetëm një grup relativisht i vogël shoqëror angazhohet për një politikë të re: në radhë të parë qytetarë të shkolluar, intelektualë, sipërmarrës të vegjël, shumë studentë, që jetojnë kryesisht në Minsk apo qytete të tjera të mëdha. Ata demonstruan në Minsk për mbështetjen e opozitës. Këta duan një Bjellorusi demokratike në Evropë. Në mënyrë që në të ardhmen numri i tyre të shtohet, ata duhet të mbështeten me lehtësim vizash, me kredi të vogla të BERZH-it si dhe përmes projekteve dhe kooperimit në fushën e shoqërisë civile. Dhe kjo mund të bëhet vetëm përmes dialogut me regjimin e Lukashenkos.

Autor: Ingo Mannteufel

Redaktoi/Bahri Cani