1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Megjithëse pjesa greke e Qipros është bërë anëtare e BE-së bashkimi i ishullit edhe 30 vite pas invazionit turk duket ende larg

Rainer Sollich20 Korrik 2004

30 vjet më parë, më 20 korrik të 1974-ës, trupat turke u futën në Qipro dhe vazhdojnë të qëndrojnë edhe sot në pjesën veriore të vendit. Marshimi i trupave turke në Qipro ishte rezultat i një përpjekjeje për të bërë puç kundër presidentit qipriot Makarios, puç që synonte bashkimin e këtij ishulli, ku 80 përqind e qytetarëve janë me prejardhje greke dhe 20 për qind me prejardhje turke, me Greqinë. Pjesa greke e Qipros është bërë anëtare e Bashkimit Europian që prej muajit maj të këtij viti, por bashkimi i ishullit të ndarë nuk po duket ende.

https://p.dw.com/p/ArGs
Qiproja
QiprojaFotografi: AP

30 vjet më parë, më 20 korrik të 1974-ës, trupat turke u futën në Qipro dhe vazhdojnë të qëndrojnë edhe sot në pjesën veriore të vendit. Marshimi i trupave turke në Qipro ishte rezultat i një përpjekjeje për të bërë puç kundër presidentit qipriot Makarios, puç që synonte bashkimin e këtij ishulli, ku 80 përqind e qytetarëve janë me prejardhje greke dhe 20 për qind me prejardhje turke, me Greqinë. Pjesa greke e Qipros është bërë anëtare e Bashkimit Europian që prej muajit maj të këtij viti, por bashkimi i ishullit të ndarë nuk po duket ende.


Edhe sot pas 30 vjetësh çështja se kush e pati fajin për ndarjen e atëhershme të Qipros vazhdon të mbetet e pazgjidhur. Turqit e ishullit thonë se fajin e kanë qipriotët grek, sepse ata toleruan shtypjen shumëvjeçare të pakicës turke, e cila u pasua nga një përpjekje puçi me rrezikun e bashkimit të Qipros me Greqinë. Kurse grekët e ishullit ua vënë fajin turqve. Ata thonë se Ankaraja e shfrytëzoi përpjekjen greke për puç vetëm e vetëm për të dëbuar rreth 200 000 grekët qipriotë nga veriu i Qipros në mënyrë që të realizonte ëndërrën turke për të ngritur në ishull një shtet të pavarur turk.

Për dekada me radhë, Komuniteti ndërkombëtar ashtu si edhe Bashkimi Europian kishin qenë simpatizantë të pikëpamjeve greke. Arsyeja kishte të bënte me faktin se pala turke kishte bllokuar të gjitha iniciativat e Kombeve të Bashkuara që synonin bashkimin e ishullit. Por papritur qëndrimi turk ndryshoi vitin e kaluar, për shkak të perspektivave të anëtarësimit në Bashkimin Europian të pjesës turke të ishullit, të izoluar dhe të prapambetur ekonomikisht si dhe të perspektivës më të largët për anëtarësimin në BE të vetë Turqisë. Përpara këtij sfondi, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Kofi Annan zhvilloi një plan për ribashkimin e ishullit, i cili, në fund të prillit të këtij viti, iu paraqit për aprovim në një referendum të dyja grupeve të popullsisë. Plani parashikonte një shtet qëndror të dobët i cili duhet të përbëhej nga shtete të pjesshme, përkatësisht një greke dhe një turke.

Rezultati i referendumit është i njohur: 65 për qind e turqve të Qipros votuan për planin e Anannit. Grekët e Ishullit, të cilët kishin insistuar prej vitesh për ribashkimin e Ishullit, votuan me 76 për qind kundër sepse ndryshe nga turqit qipriotë, grekët e ishullit nuk kishin çfarë të humbisnin. Pranimi i pjesës greke të ishullit në Bashkimin Europian ishte vendosur që do bëhej më 1 maj 2004 dhe kjo nuk vihej më në diskutim.

Pasi u bë i njohur rezultati i referendumit Komisari i Bashkimit Europian, për çështjet e zgjerimit, Günter Verheugen nuk mundi ta fshihte zemërimin e tij për qëndrimin bllokues të grekëve qipriotë:
"Do të them tani diçka që nuk është aspak diplomatike. Zonja dhe Zotërinj, unë personalisht ndihem i zhgënjyer nga qeveria e Republikës së Qipros“.

Refuzimi i planit të Annanit nga grekët qipriot ka çuar në një situatë të pakënaqshme për Bashkimin Europian. Turqit e Qipros me gjithëse i thanë „Po“ ribashkimit nuk mund të bëhen anëtarë të Bashkimit Europian, ndërkohë që pjesa greke ka të drejtë të marrë pjesë në vendimet e organizmave evropianë me të drejtë të plotë vote

Prandaj Bashkimi Evropian kërkon tani të marrë masa për të hequr pengesat që shkaktojnë izolimin ekonomik të pjesës turke. Georg Ziegler nga Task Force e Komisionit të BE-së në Qipro thotë:
"Ne, si Komision i BE-së e vlerësojmë shumë pozitivisht aprovimin nga komuniteti turko-qipriot të ribashkimit të ishullit. Është e qartë se fituan forcat pro-evropiane. Dhe ne duam t'i përkrahim këto forca në mënyrë që ata të vazhdojnë të mbeten në të njëjtin kurs, dhe të mos rikthehen në pozicionin e vjetër nacionalist të Presidentit Denktash. Për t'i dhënë fund izolimit të komunitetit turko-qipriot ne kemi përgatitur një paketë ndihme prej 259 milionë eurosh si dhe një propozim për të krijuar një sistem direkt tregëtie në mënyrë që në të ardhmen komuniteti turko-qipriot të ketë mundësi të zhvillojë tregëti me kushte të favorshme me botën e jashtme,dhe kryesisht me Bashkimin Europian.“

Gjithsesi sot ende nuk dihet nëse kjo do të ndodhë. Qeveria greko-qipriote është kundër këtij plani ndihme për veriun e ishullit dhe në rast nevoje ajo do ta dërgojë çështjen madje deri në Gjykatën Evropiane. Një zëdhënës i qeverisë deklaroi se nuk mund të pranohet që „territoret e pushtuara nga turqit në veri te ishullit të trajtohen si një shtet i tretë“.

Përkrah çështjeve të pronave dhe problemeve të së drejtës të kthimit për qytetarët e dëbuar nga veriu i ishullit më 1974 grekët e Qipros kanë rezerva edhe për 30 mijë ushtarët që janë të pranishëm në Qipro.

Megjithëse kufijtë janë hapur në një farë mënyre dhe pjesa greke e Qipros është bërë anëtare e Bashkimit Europian bashkimi i ishullit nuk po shihet edhe 30 vite pas invazionit turk.