1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Memorandum bashkepunimi gjermano-shqiptar ne sektorin e punes

Anila Shuka, Berlin27 Qershor 2005

Ministri shqiptar i Punës dhe Çështjeve Sociale Engjell Bejtja nënshkroi të hënën në Berlin një deklaratë bashkëpunimi me palën gjermane. Ky memorandum ka karakter politik dhe i hap rrugen takimeve me konkrete ne rang ekspertesh.

https://p.dw.com/p/Ar3L

Gjermania dhe Shqipëria do ta rrisin bashkëpunimin e tyre në sektorin e punës dhe çështjeve sociale. Kjo u kurorëzua të hënën me një deklaratë mirëkuptimi, që ministri shqiptar i punës dhe çështjeve sociale, Engjell Bejtja, nënshkroi në Berlin, gjatë një takimi me sekretarin e shtetit Rudolf Anciger. Bejtja tha për Dojçe Velen, se "ky memorandum është një deklarim i ndërsjelltë për të bashkëpunuar." Memorandumi vjen pas dy vjet ecejakesh mes dy ministrive. Arritja e tij "reflekton një frymë absolutisht pozitive në drejtim të krijimit të një mënyre të re bashkëpunimi, bazë e të cilit do të jetë shkëmbimi i informacionit dhe shkëmbimi i eksperiencave," – vlerëson ministri i Shqipërisë.

Përpjekjet e deritanishme për afrim ishin përqendruar kryesisht në riaktivizimin e marrëveshjeve bilaterale të nënshkruara menjëherë pas kthesës politike, në fillimin e viteve 90-të. Njëra nga këto ishte një marrëveshje gjermano-shqiptare për shkëmbimin e fuqisë puntore me qëllim kualifkimi gjuhësor dhe profesional. Kjo parashikonte këmbimin e deri në 1.000 puntorëve në vit për kualifikim, pavarësisht nga situata në tregjet e punes se secilit vend. Që prej vitit 1995, sipas Bejtjas marrëveshja nuk ka funksionuar siç duhet. "Bazuar në këtë memorandum do të diskutohet në të ardhmen edhe për nënshkrimin ose rishikimin e këtyre marrëveshjeve, për sjelljen e tyre në dimensione në përputhje me standarde me realitetin e sotëm," - sqaron ai më tej.

Që atëherë ka ndryshuar jo vetëm tregu gjerman i punës që gjendet në presionin e mbi pesë milionë të papunëve, por edhe kërkesat e Shqipërisë. "Nuk jemi në nevojën e punësimit të 100, 200 apo 500 njerëzve në vit. Ne jemi në nevojën për të reformuar një sistem të tërë, siç është sistemi i punësimit, i formimit profesional, sistemi i sigurisë në punë," - thotë për Dojçe Velen ministri shqiptar i punes.. "Pala gjermane na ofron mundësinë që të marrim çdo informacion që ka tregu gjerman i punës. Ballafaqimi i këtyre të dhënave do të bënte të mundur që të shifnim se ku e gjejmë veten në tregun gjerman," – sqaron ministri. Memorandume të tilla Shqipëria ka nënshkruar tashmë me një sërë vendesh perëndimore, si Franca, Belgjika, Suedia, Rumania e Bullgaria.