1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Mendoj se viti 2011 shënohet nga një dinamikë më së shumti pozitive."

20 Dhjetor 2011

Intervista eskluzive për DW-në me Ambasadoren e Gjermanisë në Shqipëri, Carola Müller-Holtkemper.

https://p.dw.com/p/13WAJ
Carola Müller-HoltkemperFotografi: DW

DW: Zonja Ambasadore, gjatë këtij viti, që po mbyllet, në Shqipëri ka patur ngjarje të rëndësishme politike, si demonstrata e 21 janarit, që përfundoi me 4 të vrarë dhe shumë të lënduar, zhvillimi i zgjedhjeve lokale, mosmiratimi i statusit të vendit kandidat për në BE, ndërkohë që para pak ditëve mazhoranca dhe opozita miratuan një rezolutë të përbashkët nën patronazhin e europarlamentarëve, që në thelb shpreh angazhim për të bashkëpunuar për reformat. Çfarë vlerësimi do t'i bënit kësaj dinamike politike?

Carola Müller-Holtkemper: Deklarata e përbashkët e partive qeveritare dhe të opozitës lidhur me bashkëpunimin e tyre është një hap mjaft i rëndësishëm i asaj, që ka realizuar Shqipëria deri tani. Për Parlamentin Europian vlen një falenderim mjaft i madh për faktin, që ia arriti të bëjë bashkë në një tryezë partitë e mazhorancës dhe të opozitës. Unë mendoj se viti 2011 shënohet nga një dinamikë më së shumti pozitive. Qeveria dhe opozita kanë arritur të bien dakord me hapat, që do të ndjekin për përmirësimin e rregullores së punës së parlamentit, gjithashtu kanë vendosur të punojnë për reformën elektorale dhe kanë arritur të bëjnë një plan veprimi në përputhje me frymën dhe rekomandimet e Progres Raportit më të fundit të Komisionit Europian për Shqipërinë. Deri më tani ka dhe hapa konkretë, për shembull zgjedhja e Guvernatorit të Bankës Kombëtare, apo dhe për Avokatin e Popullit, ku janë realizuar procedura tejet transparente, në bazë të konkurueshmërisë dhe përshtatshmërisë së kandidaturave. Na mbetet të shpresojmë në vijim që edhe postet e tjera me të njëtën përgjegjesi të mund të përzgjidhen dhe të përcaktohen me të njëjtën transparencë.

DW: Së fundi Transparency International bëri publike raportin vjetor global për indeksin e perceptimit të korrupsionit në 183 vende e ku Shqipëria ishte me tregues të përkeqësuar krahasuar me një vit më parë. Shumë flitet për luftën kundër korrupsionit, ka projekte dhe programe, por efektet janë thuajse të pandjeshme. Cili është shkaku sipas jush që në vitet e fundit, ose jemi në vendnumero, ose me hapa prapa?

Carola Müller-Holtkemper: Lufta kundër korrupsionit dhe ndërtimi i shtetit ligjor janë elementë mjaft të rëndësishëm në përafrimin e Shqipërisë me BE-në. Strategjia e BE në këtë kontekst ka qënë trajtimi me prioritet i dy kapitujve, që flasin për korrupsionin dhe shtetin ligjor, kapitullit 23 dhe 24, nëpërmjet një dialogu intensiv me vendet kandidate. Korrupsioni në një shoqëri rritet si një masë tumoriale, që jep pasoja mjaft negative në tërësi për shoqërinë dhe tek individët, shtrenjtëson shërbimet e shtetit përkundrejt shoqërisë dhe i bën këto shërbime krejtësisht të paarritshme për njerëzit. Korrupsioni dhe mungesa e shtetit ligjor mbajnë larg investitorët e huaj, të cilët do të mund të krijonin vende pune të reja me anë të dijeve dhe kapitalit, që do të sillnin në vend, si dhe do të mund të ndihmonin nëpërmjet aktiviteve ekonomike bilancin deficitar të Shqipërisë në këtë kontekst. Është e rëndësishme që qeveria shqiptare të mund të ndjekë një linjë strategjike sistematike në të gjitha nivelet në luftën kundër korrupsionit dhe krijimit të kulturës së pandëshkueshmërisë. Vetëm atëherë do të mund të presim vënien para përgjegjësisë dhe dënimin e marrjen e masave kundër aferave korruptive, sidomos në nivelet e larta. Këtu dua të them se bilanci i viteve të fundit nuk është aq inkurajues. I takon drejtësisë shqiptare dhe shoqërisë civile të jetë aktive, duke përfshirë këtu dhe mediat vigjilente dhe të pavarura, që luajnë një rol vendimtar në luftën kundër korrupsionit.

DW: Në opinion flitet shumë për pengesat, që sjell imuniteti i zyrtarëve të lartë të emëruar, ose të zgjedhur për të luftuar aferat korruptive, për të proceduar sipas ligjit cilindo, që e shkel atë pavarësisht postit, që mban. Duke iu referuar përvojës në vendin tuaj, si duhet trajtuar imuniteti në këto raste?

Carola Müller-Holtkemper: Një nivel i caktuar, i kufizuar i imunitetit është i domosdoshëm për funksionimin e disa organeve të caktuara kushtetuese, si shprehje e ndarjes së pushteteve. Kështu e drejta tejet e balancuar e imunitetit në Bundestagun gjerman arrin të garantojë aftësinë operacionale dhe funksionale të parlamentit. Kjo lloj e drejte e mbron Bundestagun nga ndërhyrjet e pushtetit ekzekutiv dhe pushtetit gjyqësor në të gjitha nivelet e administratës shtetërore. Në Gjermani rrjedhin prej këtej dhe të drejta të caktuara për secilin prej deputetëve. Një deputet, ose një deputete kanë të drejtën që mund të ngrenë pretendimin se Bundestagu në vendimarrjen për heqjen e imunitetit të mos orientohet nga motive arbitrare, apo jo relevante. Imuniteti i deputetëve ka të bëjë me procedurat penale, ose masa të tjera kundër anëtarëve të veçantë të Bundestagut. Ky lloj imuniteti nuk përjashton ato procedura, duke i bërë ato të varura nga miratimi i Bundestagut. Një miratim i tillë nuk do të thotë se bëhet fjalë për një dënim paraprak, apo paradënim për deputetin në fjalë. Deputeti mbetet anëtar i Bundestagut, nuk do të jetë i kufizuar, apo i dëmtuar në ushtrimin e mandatit të tij. Por në këtë kontekst duhet bërë dallim mes imunitetit dhe indemnitetit. Për mënyrën e të shprehurit në Bundestag deputeti është i mbrojtur nga sanksionet penale, por dhe nga padi të caktuara të gjykatës, të së drejtës civile, për dëmshpërblime etj. Indemniteti nuk mund të hiqet nga Bundestagu dhe mund të zgjasë dhe pas përfundimit të mandatit të deputetit. Prej fushës së indemnitetit përjashtohen rastet e shpifjeve, pretendimi dhe përhapja e fakteve të pavërteta kundrejt atyre, që janë të vërteta. Përveç kësaj deputeti ka të drejtë për të shërbyer si dëshmitar rreth personave, që atij të themi i kanë besuar fakte në cilësinë e tij si deputet.

DW: Sa shanse ka qe në mesin e vitit 2012 Shqipëria të arrijë objektivin e marrjes së statusit të vendit kandidat për në BE?

Carola Müller-Holtkemper: Progresi i Shqipërisë në rrugën drejt integrimit europian varet nga vetë shqiptarët. Kriteret e hapit të mëtejshëm për të fituar statusin e vendit kandidat janë tashmë të formuluara mjaft qartë, transparente dhe të bëra publike në Progres Raportin e Komisionit Europian. Nga 12 rekomandimet e përpiluara aty unë do të konsideroja si të shpejta për t'u përmbushur miratimin e ligjeve me 3/5-at, krijimin dhe ndërtimin e një bashkëpunimi konstruktiv mes partive politike. Pas këtyre vijnë ato rekomandime, që kanë të bëjnë me kushtet, që kërkojnë një farë kohe për t'u përmbushur, sikundër është ndërtimi i shtetit ligjor, lufta kundër korrupsionit etj. Ne vijojmë në këtë kontekst të jemi të gatshëm që t'i ofrojmë Shqipërisë mbështetjen tonë edhe për këto sektorë kritikë të zhvillimit të vendit, duke e bërë këtë nëpërmjet projekteve të ndryshme, sikundër mund të ishte ai i qeverisjes së mirë etj.

DW: Zonja Ambasadore, si ishte viti 2011 në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Gjermanisë? Cilat janë pritmërite tuaja për 2012-n?

Carola Müller-Holtkemper: Viti 2011 ka qenë një vit i mirë në marrëdhëniet gjermano-shqiptare. Ka patur një shkëmbim intensiv të vizitave në nivel të lartë në të dy drejtimet. Do të përmendja këtu disa delegacione të Bundestagut, që kanë ardhur në Shqipëri, ndërkohë që delegacione të parlamentit shqiptar kanë qëndruar në Berlin. Do të quaja si pikë kulmore në këtë shkëmbim të ndërsjellë vizitën e ministrit federal për Bashkëpunimin Ekonomik dhe Zhvillimin, Dirk Niebel, në gusht të këtij viti. Gjithashtu dhe vetë ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, ka qenë disa herë në Gjermani gjatë vitit 2011 - vetëm në vjeshtë ai ishte dy herë për vizitë zyrtare - dhe mendoj se këto janë shenja të shkëmbimit të dendur të vizitave. Viti 2012 shënon disa përvjetorë të rëndësishëm, kështu do të kemi 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, por i rëndësishëm është dhe 25 vjetori i lidhjes diplomatike gjermano - shqiptare. Këtë rast ne do të donim ta festonim, ashtu siç dhe i takon një eventi të tillë.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Angjelina Verbica