1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

031010 Milosevic Journalisten

5 Tetor 2010

Kanë kaluar dhjetë vjet nga përmbysja e regjimit të Millosheviçit. Shkak për protestat masive në rrugë ishin zgjedhjet e manipuluara presidenciale të 24 shtatorit. Për gazetarët e huaj rrëzimi nuk ishte thjesht sensacion

https://p.dw.com/p/PVfv
Mijëra serbë festojnë fitoren e opozitës mbi MillosheviçinFotografi: Picture alliance/dpa

Zhurma e daulleve dhe thirrja "Gotov je" - "Ka mbaruar" janë kujtimet akustike nga 5 tetori i vitit 2000. Jo vetëm për banorët vendas por edhe për gazetarët e huaj, të cilët gjatë atyre ditëve nuk e kishin të lehtë në Beograd. Para përmbysjes së Millosheviçit ata duhet të paraqiteshin çdo ditë në polici për të vazhduar lejen speciale të qëndrimit. Pak para kësaj ngjarje historike nuk u vazhduan shumica e këtyre lejeve. Ishin vetëm pak gazetarë të huaj, të cilët kishin të drejtë të qëndronin në Beograd.

Kujtimet e gazetarëve të huaj

Megjithatë edhe pa vulën e autoriteteve, përfaqësuesit e medieve të huaja arritën të gjejnë rrugë për të shkuar në Beograd, kujton Renate Flottau, korrespodentja për Ballkanin e revistës gjermane "Der Spiegel". "Unë nuk kisha leje qëndrimi. Unë isha në Mal të Zi, si të themi në mërgim prej nga një ditë para fillimit të demonstratave kam kaluar përmes kufirit të gjelbër në Serbi. Po të isha paraqitur në polici atëherë do të më dërgonin menjëherë në kufi dhe do të më nxirrnin jashtë vendit."

Der Spiegel Logo
Logoja e Der Spiegel. Gazetarja Renate Flottau kujton ditët e rrëzimit të Millosheviçit

Për shumicën e gazetarëve të huaj ishte e qartë: lufta për pushtet mes opozitës dhe regjimit të Millosheviçit do të mbahet në qendër të Beogradit. Por kur demonstruesit i vunë zjarrin ndërtesës së televizionit shtetëror u zhdukën edhe të gjitha mundësitë që pamjet e ditës historike të transmetohen jashtë vendit. Rruga e vetme e komunikimit me jashtë ishte telefoni. Mundësia më e mirë për të komunikuar me telefon ofrohej në Bashkinë e Beogradit, ku po qëndronin udhëheqësit e opozitës. Por për intervista ata nuk kishin pothuajse aspak kohë.

Franz Stark, korrespodent i kanalit të parë televiziv gjerman ARD arriti megjithatë të flasë me Zoran Gjingjiqin, kreministrin e vrarë më vonë: "Me fjalë të tjera ai tha se dhuna nuk duhet të eskalojë, ai tha se opozita ka fituar dhe se do ta arrijë atë që e ka menduar. Dhe se fundi do të bëhet ashtu siç e kishin dëshiruar ata".

Wahlen in Serbien
Një aktivist ngjit pllakate për zgjedhjet në SerbiFotografi: AP

Ditë kritike për Beogradin

Faza kritike e kryengritjes si për opozitarët ashtu edhe për gazetarët e huaj ishte nga mbrëmja e 5 tetorit deri në mëngjesin e 6 tetorit. Të gjithë e prisinin një reagim të Millosheviçit ndaj zjarrvënies në ndërtesën e parlamentit dhe në qendrën e televizionit. Në ato momente bile nuk përjashtohej as mundësia e një konflikti të armatosur. Renate Flottau kujton: "Mëngjesin e ardhshëm sundonte qetësia, pas së cilës fshihej paniku. Hetohej prania e një frike të madhe. Të gjithë frikësoheshin se në të vërtetë Millosheviçi tani do të kalonte në kundërsulm dhe do të angazhonte edhe tanket. Në një rast të tillë opozita, e cila kryesisht ishte barrikaduar në ndërtesën e qeverisë do të mund të përdorte vetëm kallashnikovët. Ajo nuk do të kishte asnjë shans."

Por skenari i 6 tetorit rrodhi ndryshe. Në vend të një beteje të përgjakshme në paraditen e 6 tetorit Millosheviçi zgjodhi të pranojë humbjen. Tensioni i madh që sundonte në Beograd u kthye në gëzim të vërtetë. Të gëzuar ishin edhe gazetarët gjermanë: Renate Flotau: "Unë isha euforike. Nga redaksia e revistës më thirrën edhe më uruan. Më në fund ata ia dolën mbanë dhe më kujtohet që me të vërtetë unë isha shumë euforike dhe mendoja se 'tani në Serbi po fillon tërësisht një kapitull i ri".

Autor: Ognjen Cvijanović/Esat Ahmeti

Redaktoi: Lindita Arapi