1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merita më e madhe e Jelsinit: liria për qytetarët rusë

Esther Hartbrich24 Prill 2007

Politikanë të shumtë si rusë nga vende të ndryshme të botës shprehën keqardhjen e tyre për vdekjen e ish-presidentit rus, Boris Jelsin. Ata e quajtën Jelsinin burrë të madh shteti dhe luftëtar për demokracinë dhe lirinë në Rusi.

https://p.dw.com/p/AqmQ
Fotografi: AP

"Vepra e tij mund të vlerësohet në mënyra të ndryshme. Por një gjë mbetet e qartë. Pikërisht në kohën kur Jelsini drejtonte shtetin tonë, qytetarët e vendit tonë fituan gjënë më të rëndësishme: lirinë. Kjo është një meritë e jashtëzakonshme historike e Boris Jelsinit." - me keto fjalë e nderoi parardhësin e tij presidenti rus, Vladimir Putin.

Ish-presidenti sovjetik Mihail Gorbaçov, i cili e përkrahu Jelsinin duke e sjellë atë në mes të viteve 80-të edhe në Moskë, u shprehu ngushëllimet e tij familjes së Jelsinit. Ai tha se Jelsini i ka kryer shërbime shumë të mëdha vendit, por edhe ka bërë gabime të mëdha.

Në sy të e shumë demokratëve rusë gabim në politikën e Jelsinit ishte lufta që filloi ai në vitin 1994 në Çeçeni. Në kohën e shpërbërjes së BS edhe Çeçenia synonte të bohej e pavarur, gjë që Moska nuk e pranoi. Lufta në Çeçeni ishte e tmerrshme dhe u kushtoi shumë jetën mijëra ushtarëve dhe civilëve.

Ludmilla Alexejewa, përfaqësuese e Komitetit të Helsinkit në Moskë e konsideron luftën në Çeçeni si gabimin më të madh të Jelsinit. Ai ishte një i ashpër, i edukuar me rregullat sovjetike të sistemit totalitar, por ai arriti ta kuptonte se sa e rëndësishme është për Rusinë ndjekja e një rruge demokratike.

Jegor Gaidar, i cili ka qenë kryeministër në kohën që Jelsin ishte kryeministër i Rusisë, e vuri theksin te meritat e Jelsinit për futjen e strukturave demokratike në Rusi dhe që arriti ta manaxhonte shpërbërjen e BE-së pa gjakderdhje:


"Boris Nikolajeviç gjendej në fillim të një revolucioni. Ai pengoi luftën civile dhe ia dorëzoi vullnetarisht dhe në paqe pushtetin pasuesit të tij. Mua nuk më kujtohet në histori ndonjë rast tjetër si ky."


Boris Nemzov, ish-zëvendëskryeministër i parë nën presidentin Jelzin, duke u nisur prej arritje të kohës së Jelsinit kritikoi gjendjen aktuale në vend:

“Jam shumë i tronditur prej këtij lajmi të tmerrshëm. Jelsini u dha qytetarëve tanë lirinë, të cilën e donte edhe vetë. Ai e donte atdheun tonë. A ju kujtohet se çfarë i tha Putinit kur po largohej nga posti? Ai i tha "mbroje Rusinë tonë". Për fat të keq sot po shkatërrohen brutalisht të gjitha arritjet e Jelsinit, liria e shtypit, pluralizimi partiak, federalizimi dhe madje edhe konkurrenca politike. Mënyra më e mirë për ta përkujtuar Jelsnin, do të ishte që vendit tonë t'i rikthehen këto liri.

Jelsnini ishte pro lirisë edhe në fushën e ekonomisë. Ai qe nismëtar i një sërë reformash radikale në ekonomi në kuadër të së cilave firmat shtetërore dhe koncernet e lëndëve të para u shitën në fillim të viteve 90-të për çmime qesharake duke u blerë prej disa njerëzve që shfrytëzuan kaosin e momentin dhe tani janë bërë jashtëzakonisht të pasur.

Transformimi në Rusi ishte radikal dhe për shumë rusë kushtet e jetesës u përkeqësuan. E megjithëatë edhe ata që nuk bën pjesë tek fituesit e asaj kohe, thonë sot se asokohe kishte probleme, por se të paktën gjërat shkonin përpara dhe bëheshin reforma, ndërkohë që tani mbretëron një gjendje bunace.