1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merkel kritikon Trumpin

30 Janar 2017

Kancelarja gjermane ka kundërshtuar hapur vendimet e presidentit amerikan për ndalimin e futjes në SHBA të regfugjatëve. Ajo ia kujton Trumpit konventat dhe të drejtën humanitare.

https://p.dw.com/p/2Wav0
Kombobild Merkel Trump 2016 (picture alliance )

Kancelarja Angela Merkel është e bindur se "as lufta e domosdoshme kundër terrorizmit nuk e justifikon ndalimin e futjes në një vend të personave nga vende dhe me fe të caktuara", kumtoi zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert në Berlin.

Presidenti amerikan Donald Trump ka nënshkruar të premten një dekret me të cilin ndalohet për 90 ditë hyrja në SHBA e shtetasve të Sirisë, Iranit, Irakut, Sudanit, Somalisë, Libisë dhe Jemenit. Ndërsa hyrja në vend e refugjatëve nga mbarë bota ndalohet për 120 ditë. Për refugjatët nga Siria është vendosur madje një ndalim i futjes në SHBA për një kohë të pacaktuar..

Deutschland Reaktion US-Wahl - Bundeskanzlerin Angela Merkel
Fotografi: Reuters/A. Schmidt

Merkel ia kujton Trumpit konventën për refugjatë

Seibert the se kancelarja Merkel "shpreh keqardhje" për shkak të vendimit të presidentit Donald Trump dhe këtë ia ka thënë presidentit Trump edhe në telefonatën 45-minutëshe të ditës së shtunë. Konventa e Gjenevës për refugjatët parashikon që vendet të ofrojnë ndihma humanitare për pranimin e refugjatëve të luftës. "Të gjitha vendet nënshkruese të kësaj konvente janë të detyruara ta respektojnë këtë konventë. Kancelarja gjermane ia ka shpjeguar këtë qëndrim presidentit amerikan edhe gjatë telefonatës së ditës së shtunë", theksoi zëdhënës i kancelares.

Qeveria gjermane do të "shikojë se cilat janë pasojat e vendimit të presidentit amerikan për personat me dyshtetësi dhe në raste të caktuara do të mbrojë interesat e personave të caktuar para partnerëve amerikanë".

Pas komenteve të përmbajtura në fillim, edhe kryeministrja britanike Theresa May e ka kundërshtuar vendimin e presidentit Trump. Më parë May është kritikuar në vendin e saj për shkak të pohimit të saj gjatë qëndrimit në Ankara, se SHBA e mban përgjegjësinë vet për politikën e saj ndaj migrantëve. Një zëdhënës i kryeministres tha se Britania e Madhe do të reagojë nëse këto dekrete i prekin edhe shtetasit e mbretësisë së bashkuar.

Irani: Vendimi çon ujë në mullirin e terroristëve

Minsitri i jashtëm i Iranit Mohammed Dschawad Sarif paralajmëroi Trumpin se ndalimi i futjes në këtë vend i personave nga shtatë vende myslimane i mbështet ekstremistët në pohimet e tyre. "Diskriminimi kolektiv ndihmon terroristët për rekrutim, ndërsa demagogët ekstremistë do të përpiqen të forcojnë radhët e tyre", tha ministri.

Treffen mit dem US-Präsidenten - May bei Trump
Fotografi: Reuters/C. Barria

Menjëherë të shtunën ka reaguar edhe Ministria e Jashtme iraniane, e cila nuk ka lejuar asnjë shtetas amerikan të futet në këtë vend. Në vend kanë mundur të futen vetëm personat me vizë të rregullt.

Gjykatësja kundër Trumpit

Ministria për Mbrojtjen e Atdheut ka vendosur t'i nënshtrohet vendimit të gjykatëses federale Ann Donnelly, e cila ka konstatuar se asnjë prej personave të ardhur që nga dita e premte në SHBA nuk mund të dëbohet, nëse ka një vizë të rregullt për t'u futur në këtë vend. Kundër ndalimit të futjes në vend të myslimanëve kanë paditur shumë organizata humanitare.

Por autoritetet theksuan se dekreti edhe më tej mbetet parimisht në fuqi. Dekretet e presidentit do të aplikohen në njërën apo tjetrën formë edhe në të ardhmen. Qeveria amerikane ka bërë të ditur se do të anulojë vizat, në qoftë se cënohet siguria në vend.

bc/ust/mak (dpa, rtr, afp, ap)