1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merkel dhe Sarkozi pro mbështetjes shtetërore për bankat

Christoph Wöß11 Tetor 2008

Vendet e eurozonës takohen në Paris për t'u konsultuar për masa konkrete për përballimin e krizës financiare.

https://p.dw.com/p/FYA4
Angela Merkel, majtas, dhe presidenti francez, Nicolas Sarkozy gjatë inaguarimit të qendës përkujtimore për 50-të vjetorin e pajtimit gjermano-francez
Angela Merkel, majtas, dhe presidenti francez, Nicolas Sarkozy gjatë inaguarimit të qendës përkujtimore për 50-të vjetorin e pajtimit gjermano-francezFotografi: AP

50 vjet pas takimit historik të Sharl de Golit (Charles de Gaulle) dhe Konrad Adenauerit në shtëpinë e tij në Shampanjë të Francës, kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Nikola Sarkozi u takuan atje për të inaguar një qendër përkujtimore dhe për të festuar përvjetorin e 50-të të pajtimit gjermano-francez. Por kriza financiare hodhi retë e saj mbi ceremonitë festive.

Për të përballuar këtë krizë, apo si e quajti kancelarja ekses përfaqësuesit e vendeve të eurozonës takohen sot (12.10) në Paris për t'u konsultuar për masa konkrete. Qëndrimi i Gjermanisë dhe i Francës do të jetë i rëndësishëm për këtë takim, sepse ato janë vendet me fuqinë më të madhe ekonomike brenda eurozonës. Vendet e eurozonës duan që të marrin një vendim të përbashkët përpara të hënës (13.10), pra para hapjes së bursave.

Gjermania parashikon disa ligje urgjente, madje nuk përjashtohet as mundësia e shtetëzimit të përkohshëm të bankave në krizë, edhe pse në lidhje me këtë formulimet e kancelares Merkel ishin të kujdesshme: "Fjala është për t'i furnizuar bankat me kapital të mjaftueshëm, në mënyrë që ato të reagojnë më me siguri. Nuk e përjashtoj që kemi të bëjmë me mbështetje në formë kapitali, kjo s'është gjë tjetër nga rasti kur firmat marrin kredi në treg. Në këtë pikë nuk kemi të bëjmë me shtetëzim, pra që shteti të ndërhyjë për një kohë të gjatë në veprimtarinë e bankave, por për një ndihmë të shtetit për bankat."

Gjermania afrohet në këtë mënyrë mjaft afër me qëndrimin e Francës. Ministrija franceze e Financave, Christine Lagarde, propozoi këtë fundjavë një pjesëmarrje më të fortë të shtetit në bankat e përfshira nga kriza, sipas shembullit të Britanisë së Madhe. Gjermania dhe Franca duan që të demonstrojnë bashkarisht angazhimin për daljen nga kriza:

"Evropa, e dashur Angela, e cila aktualisht po tronditet prej një krize të pashembullt mund të vazhdojë të jetë e aftë për të vepruar vetëm nqs, Franca dhe Gjermania punojnë së bashku, me besimin më të madhe dhe me një miqësi shëmbullore. Zonja kancelare le të punojmë së bashku për të mirën e të dyja vendeve sikurse dikur Konrad Adenauer dhe Charles de Gaulle." - tha Sarkozi.