1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merkel i impresionoi pozitivisht rusët

Deutsche Welle18 Janar 2006

Përveç takimit me presidentin rus, Vladimir Putin, kancelarja gjermane Angela Merkel hodhi një hap të ri në krahasim me paraardhësin e saj. Merkel u takua me një grup opozitarësh rusë

https://p.dw.com/p/AqgW
Angela Merkel
Angela MerkelFotografi: AP

Angela Merkel vendosi në udhëtimin e saj në Moskë edhe akcente të tjera: ndryshe nga paraardhësi i saj në post, Gerhard Shrëder, pas takimit me Putinin ajo u takua me një grup opozitarësh rusë. Ajo u takua në rezidencën e ambasadorit gjerman në Moskë me disa përfaqësues të organizatave kritike, partive dhe të grupeve të të drejtave të njeriut. Ludmilla Aleksejeva, kryetarja e shoqatës Helsinki të Moskës shprehu mendimin e saj: "Nuk është mirë kur udhëheqësit e dy vendeve të mëdha, ku jetojnë shumë njerëz kanë miqësi në ndonjë bazë personale."

Me qëndrim shumë jokritik u duket disa opozitarëve, ish-kancelari Gerhard Shrëder, i cili bisedonte shpesh si shok dhe në mënyrë demonstrative me Putinin, por që shpenzonte rrallë ndonjë fjalë kritike për deficitet e demokracisë ose zhvillime të tjera në Rusi.

Vladimir Ryshkov, shefi i Partisë Republikane thotë:"Kancelarja Merkel nuk ecën me slita dhe nuk ha bukë me haviar. Ajo dëshiron të ketë një dialog të vërtetë, jo vetëm me pushtetmbajtësit rusë, por edhe me shoqërinë ruse."

Shefi i memorialeve, Arsenij Roginski u impresionua si shumë të tjerë nga takimi, në të cilin kancelarja foli një rusishte të rrjedhshme: "Unë besoj se kjo grua, zonja Merkel, ka forca. Nuk jam i sigurtë, nëse ajo do t'i rezistojë kësaj deri në fund. Eshtë shumë e vështirë të mbrohesh ndaj një turbullimi atraktiv të rusëve.
Dhe Rusia është një vend që mund t'i turbullojë lehtë të tjerët."

Nëse Merkeli do t'i shpëtojë sharmit të Putinit, të cilin këtë vit ajo do ta takojë të paktën edhe tri herë të tjera, është me të vërtetë e diskutueshme. E sigurtë është se Kremlini e ka kuptuar sinjalin e Berlinit: Rusia nuk do të përballet me një politikë krejtësisht të re gjermane, por sigurisht me një stil të ri.