1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merkel: Integrimi i të rinjve me prejardhje të huaj vendos për të ardhmen e vendit

Lindita Arapi5 Maj 2008

Të hënën fillon në Berlin samiti i integrimit i të rinjve. Në këtë samit kancelarja Merkel do të diskutojë me të rinjtë me prejardhje të huaj mbi problemet e integrimit në Gjermani.

https://p.dw.com/p/DtBy
Angela MerkelFotografi: picture-alliance/ dpa

Një ditë para fillimit të punimeve të samitit të integrimit të të rinjve në Gjermani ditën e hënë, kancelarja gjermane, Angela Merkel është shprehur përmes mesazhit të saj javor në video se nuk duhet lëmë pas dore përpjekjet në rrugën e integrimit. Integrimi i të rinjve me prejardhje të huaj vendos për të ardhmen e vendit, ka thënë Merkel:

Merkel: "Të rinjtë në samitin e parë të integrimit para një viti më kanë thënë se integrimi zhvillohet në vend, se nuk bëhet fjalë të përhapim ca sllogane të përgjithshme, por të flasim për situatën tonë konkrete jetësore. Besoj se kjo është urgjentisht e nevojshme, sepse sot 20% e të rinjve me prejardhje të huaj nuk kanë përfunduar shkollën, ndërsa 40% e të huajve nuk arrijnë të kenë një dëftesë kualifikimi për ndonjë zanat."

Kancelarja Merkel vuri në dukje në mesazhin e saj javor përmes videos se çelësi për realizimin e planit të integrimit është mësimi i gjuhës. Vetë të rinjtë në samitin e parë të integrimit ë kanë thënë se prindërit duhet ta mësojnë gjermanishten, ka thënë Merkel.

"Mendoj se ky ka qenë një mesazh shumë i rëndësishëm. Për këtë arsye nuk duhet të ulim tempon e integrimit. E gjithë shoqëria jonë duhet të jetë e gatshme për këtë."