1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merkel lavdëron Berishën

Shuka, Anila8 Tetor 2008

Gjermania do të mbështesë me të gjitha forcat Shqipërinë në rrugën e saj drejt Bashkimin Evropian, ka premtuar kancelarja gjermane Angela Merkel gjatë një takimi që zhvilloi me homologun e saj nga Shqipëria, Sali Berisha

https://p.dw.com/p/FWQd
Merkel dhe BerishaFotografi: AP

Me nderime ushtarake dhe një drekë në zyrën e saj e priti kancelarja gjermane Angela Merkel mysafirin nga Shqipëria. Marrëdhëniet gjermano-shqiptare ajo i cilësoi "të shkëlqyera" dhe "shumë miqësore", ndërsa për kryeministrin Berisha nuk i kurseu fjalët lavdëruese: "Përpjekjet e reformave po tregojnë rezultate. Kryeministri po bën një kurs tejet të guximshëm në luftën kundër korrupsionit në dobi të zhvillimit të ekonomisë dhe hapjes së vendeve të reja të punës", tha Merkel mbas takimit dhe premtoi se "Gjermania do ta mbështesë Shqipërinë ku të mundet."

Kryeminsitri shqiptar Sali Berisha shfrytëzoi rastin për të falenderuar edhe njëherë Gjermaninë për ndihmën që i ka dhënë Shqipërisë gjatë këtyre 20 viteve, ndihmë që kap shumën mbi 700 milionë Euro. Para gazetarëve të mbledhur në konferencën e shtypit Berisha vuri në dukje përmirësimin e sigurisë dhe të klimës së biznesit në Shqipëri. Temë e bisedës ishte edhe situata në rajon dhe të dy politikanët përforcuan domosdoshmërinë e perspektivës evropiane të Ballkanit. Berisha u shpreh i gatshëm për të dhënë ndihmesën e tij për përmirësimin e marrëdhënieve serbo-shqiptare.