1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merkel: Nuk duam 'Përplasjen e Civilizimeve', por paqe, liri dhe drejtësi

Bernd Riegert14 Shkurt 2007

Kancelarja Merkel në Parlamentin Evropian: Thirrje për angazhim në procesin e paqes në Lindjen e Mesme dhe pranim i mbrojtjes së klimës

https://p.dw.com/p/Aqmw
Kancelarja gjermane Merkel angazhohet për mbrojtje të klimës
Kancelarja gjermane Merkel angazhohet për mbrojtje të klimësFotografi: AP

Për të dytën herë gjatë legjislaturës së saj kancelarja Angela Merkel mbajti dje si presidente e Këshillit Evropian një fjalim në Parlamentin Evropian në Strasburg. Përveç përqafimit hapur të mbrojtjes së klimës ajo e vendosi fokusin tek Lindja e Afërme.

E sapokthyer nga udhëtimi i saj në Lindjen e Afërme dhe të Mesme presidentja e radhës në Këshillin Evropian i bëri thirrje Evropës të angazhohet më shumë për një proces të ri paqeje. Tejkalimi i Luftës së Ftohtë dhe ribashkimi i Evropës në Bashkimin Evropian duhet të shërbejnë si shembull, tha Angela Merkel:

"Ajo çka është mrekullia e kohës sonë duhet të na inkurajojë që të angazhohemi për mrekulli dhe mundësi edhe në rajone të tjera të botës. Ajo që palestinezët dhe izraelitët nuk e përjetojnë prej dekadash - jetën në paqe, në dy shtete që ekzistojnë pranë njëri-tjetrit, që nuk janë në luftë, një jetë me perspektivë e mirëqenie - duhet të jetë edhe synimi ynë. Sepse ne kemi provuar që armiqësia mund të kthehet në paqe dhe miqësi."

Në cilësinë e kryetares së radhës Gjermania e përfaqëson aktualisht Bashkimin Evropian edhe në kuartetin ndërkombëtar, ndërmjetësues për Lindjen e Afërme, i cili mblidhet javën e ardhshme në Berlin. Njerëzit në rajon presin nga Evropa më shumë udhëheqje dhe shqetësohen prej programit bërthamor iranian, tha Angela Merkel.

Kancelarja kishte ardhur në Strasburg me rastin e fjalimit të ardhjes në post të presidentit të sapozgjedhur të parlamentit, kolegut të saj partiak, Hans-Gert Pöttering. Pöttering tha, se edhe parlamenti duhet të kujdeset më shumë për rajonet fqinje të Lindjes së Afërme dhe të Afrikës veriore:

"Nuk duam 'Përplasjen e Civilizimeve', por duam paqe, liri dhe drejtësi mes të gjithë popujve dhe drejtimeve të besimit. Për këtë qëllim duam të ndërtojmë një urë intelektuale dhe kulturore mbi Detin Mesdhe."

Në politikën për klimën kancelarja hoqi dorë nga rezistenca e saj fillestare kundër synimeve ambicioze të Komisionit Evropian. Pasi qeveria gjermane pranoi uljen për pesë vitet e ardhshme të vlerave për tregtinë me emisionet e dioksidit të karbonit të dëmshëm për klimën, Angela Merkel si presidente e radhës e Këshillit Evropian u vu si të thuash në krye të lëvizjes. Ajo e pranoi shprehimisht në Strasburg planin e Komisionit Evropian që deri në 2020-ën të ulë me 30 për qind çlirimin e dioksidit të karbonit të dëmshëm për klimën:

"Asnjë shtet anëtar nuk mund t'i bëjë bisht objektivit - e them këtë fare shkoqur. Prandaj qeveria gjermane - më lejoni ta them këtë si kancelare - u detyrua të bëjë një kompromis me Komisionin Evropian, gjë që nuk ishte e lehtë për ne."

Sipas sondazheve, shumë shtetas evropianë presin që BE-ja të japë rezultate konkrete në çështjen e mbrojtjes së klimës. Ky fakt u pasqyrua në fjalimin e kancelares si presidente radhës në Këshillin Evropian:

"Evropa duhet të jetë pararendëse. Mendoj se duhet ta bëjmë këtë zotim. Por Evropa duhet të bëjë gjithashtu të qartë se nuk ka asnjë problem tjetër përveç mbrojtjes së klimës që tregon dukshëm se bota është e ndërlidhur dhe se nuk mjafton vetëm veprimi i një kontinenti për të evituar rrezikimin e gjithë njerëzimit."

Bashkimit Evropian i duhet një treg i përbashkët energjetik, i cili do të thoshte edhe më shumë konkurrencë midis koncerneve, u shpreh kancelarja. Edhe këtu kancelarja sinjalizoi gatishmëri për kompromis. Me Rusinë Angela Merkel do të negociojë mundësisht së shpejti mbi temë e sigurisë në livrimin e gazit dhe naftës. Por ende këto negociata bllokohen prej grindjes ruso-polake për sigurinë e produkteve ushqimore.