1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merkel rizgjidhet kryetare e Bashkimit Kristiandemokrat, CDU

Peter Stützle2 Dhjetor 2008

Kancelarja gjermane Angela Merkel morri mbështetjen e kongresit të kristiandemokratëve për kursin e saj në krizën financiare. Ajo u rizgjodh sërish në postin e kryetares së partisë. Merkel siguroi 95 përqind të votave

https://p.dw.com/p/G7Dh
Kancelarja Merkel duke folur në Kongresin e CDU-së
Kancelarja Merkel duke folur në Kongresin e CDU-sëFotografi: AP

Një shefe e rizgjedhur e partisë dhe duartrokitje pa fund. Përmes një fjalimi sa të mendueshëm aq dhe të vendosur Angela Merkel arriti që të siguroj edhe njëherë mbështetjen e partisë dhe të mbys që në djep zënkat për politikën fiskale.


Me plot vetbesim Merkel numëroi me rradhë masat e ndërrmarra nga ajo si kancelare e shtetit kundër krizës financiare dhe ekonomike. Dhe me sarkazëm ajo tregoi se çfarë masash kundërthënese janë propozuar nga shumë ekspertë për tejkalimin e krizës.


"Nëse sot bashkarisht mendojmë se si duhet t'i përgjigjemi kësaj çështjeje të re globale atëherë ne duhet tu besojmë më pak ekspertëve të vetshpallur dhe të ndjekim një parim: Parimin e arsyes praktike".


Në këtë mënyrë Merkel doli kundër kërkesave nga rradhët e partisë për uljen e menjëhershme të taksave. Por vetëm për momentin.


"Për shkak se kjo krizë është e jashtëzakonshme ne do të analizojmë gjendjen rregullisht. Gjermania do të mbaj të hapura të gjitha opcionet për të luftuar me efikasitet pasojat e kësaj krize. Dhe unë e theksoj - të gjitha opcionet".


Dhe Merkel tërhoqi vëmendjen për mbledhjen e ardhshme të komisionit të koalicionit të përbërë nga krerët e Bashkimit Kristiandemokrat, Unionit Kristainsocial dhe Partisë Socialdemokrate. Në fillim të janarit ata do të konsultohen për veprimet e mëtutjeshme që duhet të ndërrmarrë qeveria në luftë kundër krizës financiare. Nëse shihet e nevojshme atëherë në rend të ditës mund të futet edhe çështja e uljes së taksave për qytetarët.


Pas fjalimit të kancelares kritikat ndaj këtij plani ishin të pakëta. Pak më i qartë ishte vetëm Fridrih Merci (Friedrich Merz) i cili e kujtoi kancelaren për vendimet e Unionit Kristaindemokrat të marra në vitin 2003 lidhur me reformat në fushën e taksave.


"Dhe tani shtroj para nesh pyetjen se a mos është tani koha e duhur që pjesën e kësaj përgjegje për një koncept më të përgjithshëm të mëvonshëm ta japim sot edhe për vitin 2009".


Merc u duartrokit për fjalimin e tij, pas një ngurrimi të shkurtër duartrokitjeve i është bashkangjitur edhe vet kancelarja Merkel. Me siguri që ndërkohë ajo e kishte kuptuar se kongresi do të ndjek vijën e saj. Delegatët e dëshmuan këtë më vonë kur rizgjodhën atë me shumicë në postin e kryetares së partisë.