1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merkel shkon në Uashington - Tema kryesore klima

20 Qershor 2009

Kancelarja gjermane Angela Merkel do të udhëtojë të enjten e ardhshme, më 25 qershor për në Uashington. Ajo do të bisedojë me Obamën për shumë çështje të politikës ndërkombëtare dhe për kontributin gjerman në to.

https://p.dw.com/p/IVEl
Imazh simboli i partneritetit amerikano - gjerman.
Merkel shkon në Uashington - Tema kryesore klima.

Në videon e transmetuar sot, të shtunën kancelarja gjermane Angela Merkel bëri të ditur, se do të bisedojë me presidentin Barack Obama për një varg temash, por kryesisht për Konferencën e Kombeve të Bashkuara për klimën, e cila pritet të zhvillohet në dhjetor. Presidenti Obama vlerëson, se "Shtetet e Bashkuara duhet të luajnë një rol më konstruktiv në të ardhmen", tha Merkel.

"Pas provave atomike të Koresë së Veriut, sigurisht që ne do të flasim edhe për trajtimin e mëtejshëm të këtij vendi dhe kushtet që duhen plotësuar, për të vazhduar bisedimet në nivel ndërkombëtar. Përveç kësaj do të merremi edhe me zgjedhjet në Iran," tha Merkel.

Barack Obama në Drezden
Barack Obama në DrezdenFotografi: AP

Me programin bërthamor iranian është e lidhur edhe çështja e zhvillimeve të mëtejshme në Lindjen e Afërme dhe të Mesme dhe kontrobuti konstruktiv i Gjermanisë në këto çështje. Meqenëse presidenti Obama do të shkojë në Moskë, Kancelarja gjermane do të bisedojë edhe për problemin e çarmatimit. Por edhe gjendja e ekonomisë botërore dhe masat që duhen marrë si në SHBA dhe në Gjermani, si dhe takimi i G-20.

Në samitin e G-8-tës në Itali, mbrojtja e klimës do të zërë në vend të rëndësishëm. Bisedimet për përgatitjen e konferencës së Kopenhagës duhet të përfundojnë me sukses në mënyrë që të arrihet një marrëveshje më e zgjeruar se ajo i Kiotos. "Pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ashtu si dhe pa vendet në ekspansion ekonomik, nuk mund të shkohet përpara në mbrojtjen e klimës," tha Merkel.


Autor : Aida Cama

Redaktoi : Bahri Cani