1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merkel: Siguria e shtetit izraelit është e panegociueshme

19 Mars 2008

Temë qendrore në të përditshmet e sotme gjermane është vizita e kancelares gjermane Angela Merkel në Izrael

https://p.dw.com/p/DR0v
Merkel para parlamentit izraelitFotografi: AP

'Frankfurter Allgemeine Zeitung':

(...) Jo shumë kohë më parë politikanët izraelitë refuzonin të prisnin mysafirë gjermanë. Edhe para vizitës së kancelares Merkel kishte diskutime se a guxon ajo të flas para parlamentit dhe në çfarë gjuhe. Disa deputetë vendosën të qëndrojnë larg parlamentit. Ngurrimet e tilla edhe refuzimi duhet të trajtohen me respekt...Historia e përbashkët e hebrenjve dhe gjermanëve mbetet e ngjyrosur nga tmerret. Megjithatë pa u harruar historia, konsultimet e para qeveritare gjermano-izraelite u zhvilluan në shenjë të ardhmërisë', thuhet ndër të tjera në 'Frankfurter Allgemeine Zeitung'.

'Thüringer Allgemeine' botohet në Erfurt. Nga ajo shkëpusim:

'Nëse parlamenti i Izraelit ndryshon statutin për t'i dhënë të drejtën një kryeministri të huaj të flasë para parlamentarëve të tij, atëherë cilit vend do t'i takonte ky nder?. Me siguri që askujt nuk do t'i shkonte ndërmend se bëhet fjalë për Gjermaninë. Kur Helmut Kohli para 25 vitesh foli para deputetëve në "kneset" disa izraelitë u larguan të indinjuar nga salla e parlamentit. Sot kabinetet e të dyja vendeve qëndrojnë ulur përballë njëri-tjetrit jo në shenjë simbolike por të bërë politikë reale' shkruan 'Thüringer Allgemeine'.

Ndërkaq në 'Tagesspiegel' të Berlinit lidhur me vizitën e kancelares gjermane në Izrael shkruhet:

'Izraeli e ndjen veten të kërcënuar nga ekstremistët të cilët duan të shkatërrojnë këtë vend. Irani me qëndrimin e tij është sfida më e madhe. Irani duhet duhet të ndërpresë zhvillimin e armëve të shktaërrimit në masë: ai duhet t'i dëshmojë botës se nuk dëshiron të prodhojë bombë atomike, siguria e shtetit të Izraelit është e panegociueshme. Të gjitha këto i përmblodhi Merkel në fjalimin e saj. Ajo ishte shumë e qartë', nënvizon e përditshmja berlineze 'Tagesspiegel'.