1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merkel takohet me Bushin në Uashington

5 Janar 2007

Nga komentet e shtypit të sotëm veçojmë disa vlerësime mbi vizitën e kancelares Angela Merkel në ShBA.

https://p.dw.com/p/ArmG

"Nürnberger Zeitung" komenton: "Ndonëse opinioni në SHBA dhe në Gjermani në kontekstin e takimit Merkel-Bush përqëndrohet tek temat e nxehta të politikës së jashtme: konflikti në Lindjen e Mesme, Iraku, Afganistani dhe Irani, pas dyerve të mbyllura kanë qenë në epiqendër të bisedimeve temat e ekonomisë. "Partneriteti ekonomik transatlantik", për të cilin ka bërë reklamë në avancë Angela Merkeli, është në perspektivë afatgjatë me rëndësi më të madhe për Gjermaninë se sa pozicionimet spektakolare të mundshme mbi konfliktin në Iran", shkruan "Nürnberger Zeitung".

Për partneritetin transatlantik tërheq vemendjen edhe komentatori i "Ostesse Zeitung" që del në Rostok: "Evropa dhe SHBA, sipas idesë së kancelares Merkel, duhet të mbrojnë së bashku mirëqënien dhe vlerat prej sfidës aziatike. Në këtë mes kemi të bëjmë në radhë të parë me heqjen e barrierave tregtare, standardet e përbashkëta në teknologjitë e së ardhmes dhe me mbrojtjen e pasurisë intelektuale. Zonat e fuqishme ekonomike në Perëndim si kërcënon asgjë tjetër më shumë se sa plagjiatura aziatike. Ende hapësira ekonomike evropiano-amerikane mbulon 72% të produktit social bruto mbarëbotëror. Të qëndruarit tani së bashku në një linjë është veçse logjike", thekson "Ostsee Zeitung".

Në komentin e gazetës së Ludvigshafenit "Rheinplafz" shprehet dyshimi lidhur me suksesin e ambicieve të politikës ekonomike të Merkelit në SHBA: "Qysh prej disa ditësh bëhet fjalë për një iniciativë të presidentes aktuale të Këshillit të BE-së Merkel, që synon t´i vendosë mbi një bazë të re marrëdhëniet transatlantike për krijimin e një lloj tregu të përbashkët të brendshëm. Ideja nuk është e re, dhe ajo po për të njëjtat arsye si edhe herën e parë ende për disa kohë do të vazhdojë të mbetet vizion. Në mesin e viteve 90-të ideja e Bonit për një zonë evropiano-amerikane të tregtisë së lirë dështoi ndër të tjera edhe prej Francës. Problemi thelbësor këtu është bujqësia, ku amerikanet janë shumë larg BE-së sa i përket proteksionizmit. Ajo që e vështirëson edhe më shumë këtë, është fakti, se demokratët që dominojnë kongresin qysh dje, as që e duan tregtinë e lirë, madje as atëherë kur presidenti nga radhët e tyre, Bill Klinton ishte për këtë", tërheq vëmendjen "Rheinpfalz".

Së fundi edhe një citat nga artikulli i "Landeszeitung" të Lyneburgut, që komenton pikërisht mbledhjen e kongresit në SHBA të kryesuar kësaj radhe prej demokratëve: "Pikërisht në çastin e fillimit të një epoke të re në Uashington mbërrin për vizitë kancelarja Angela Merkel. Ndoshta Xhorxh Bushi nuk do ta ketë mendjen të dëgjojë planet e mëdha të Angela Merkelit. Sepse qysh dje fajkoi në postin presidencial në SHBA-ve ka mbetur si pulë e lagur. Mazhoranca demokrate e kongresit do të hetojë prologun e fushatës së Irakut. Më e rëndësishme do të ishte që demokratët të binin dakord për një strategji të vetën të daljes prej kësaj krize, sepse pikërisht këtë do të presin qytetarët amerikanë gjatë zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale në 2008. Mazhoranca aktuale e demokratëve duket të ketë tendencë më shumë drejt revanshit se sa drejt ndryshimit të kursit. Por është një përfytyrim tronditës një superfuqi, që paralizon vetveten me një pat në politikën e brendshme për 22 muaj", nënvizon "Landeszeitung".