1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vlerësime të politikanëve gjermanë për Mandelën

Conrad Naomi / Pandeli Pani7 Dhjetor 2013

Emri i Mandelës do të jetë i lidhur përgjithmonë me luftën kundër shtypjes dhe tejkalimin e regjimit të Aparteidit.

https://p.dw.com/p/1AUXp
Fotografi: Axel Sschmidt/AFP/Getty Images

Hero, burrë shteti, idhull. Mesazhe ngushëllimi nga e gjithë bota dëshmojnë për pikëllimin për vdekjen e presidentit të parë të zi të Afrikës së Jugut - por edhe të respektit të madh për nobelistin e Paqes, i cili luftoi kundër regjimit të Aparteidit në Afrikën e Jugut duke paguar për këtë një çmim të lartë personal. Pavarësisht nga përvojat poshtëruese gjatë 27 vjetëve burg, prej tyre 18 vjet në ishullin famëkeq burg Robben Island, "ai gjeti kurajon dhe forcën për të udhëhequr vendin e tij pa dhunë drejt demokracisë", e vlerësoi Presidenti gjerman Joachim Gauck luftëtarin e lirisë në një letër për të venë e Mandelës, Graça Machel. Si pakkush Mandela "mishëronte në personin e tij pajtimin, paqen dhe drejtësinë."

Emri i Mandelës do të jetë "i lidhur përgjithmonë me luftën kundër shtypjes së popullit të tij dhe tejkalimin e regjimit të Aparteidit," tha kancelarja gjermane Angela Merkel (CDU). Shembulli i tij "i shndritshëm dhe trashëgimia e tij politike, mospërdorimi i dhunes dhe refuzimi i çdo racizmi do të mbeten për një kohë të gjatë frymëzim për njerëzit në mbarë botën."

Nelson Mandela. 1996 Berlin
Fotografi: picture-alliance/dpa

Kryetari i SPD-së Sigmar Gabriel kujtoi se luftëtari kundër Aparteidit pas lirimit të tij nga burgu nga Presidenti Willem de Klerk, "u zgjati dorën ish-torturuesve të tij." Ai hodhi themelet për "kombin ylber" Afrikën e Jugut. "Nelson Mandela e shndërroi botën," tha Frank-Walter Steinmeier, kryetar i grupit parlamentar të SPD-së, "Bota ka humbur një hero."

"Edhe shtypësit duhet të çlirohen"

Presidenti Gauck qe mjaft i prekur gjatë fjalës së tij me rastin e Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut në të cilën vlerësoi punën e Mandelës për krijimin e Komisionit të Pajtimit, i cili u mor me shqyrtimin e krimeve të regjimit të Apartejdit. Ai ishte i bindur se "jo vetëm të shtypurit, por edhe shtypësit duhet të çlirohen" - tha Gauck. Gauck u kërkoi të pranishmëve të mbanin disa minuta heshtjeje në kujtim të "njeriut të shekullit" Mandelës. Veprimtaria e këtij luftëtari të lirisë do të "mbetet një frymëzim dhe burim force" - tha Gauck.

Ambasador i ndërgjegjes

Mandela u bë simbol "për luftën kundër pabarazisë dhe racizmit, për tejkalimin e urrejtjes, me pak fjalë, për një botë më të mirë" edhe përtej Afrikës së Jugut tha Ministri i Jashtëm Guido Westerwelle (FDP). Vizionet politike të Mandelës për paqen dhe lirinë janë shkak për "shpresë dhe frymëzim për njerëzit në Afrikë dhe në botë."

Nelson Mandela
Fotografi: Getty Images/Afp/Thomas Coex

Kryetari i Kishës Protestante në Gjermani (EKD) Nikolaus Schneider, e vlerësoi Mandelën si "ambasador të ndërgjegjes", i cili nxiti tolerancën fetare dhe dialogun midis besimeve duke hedhur poshtë çdo formë të diskriminimit njerëzor. Bota ka humbur "liderin më të devotshëm." - tha Schneider.