1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merkel: "Vetëm Evropa unike i mbron vlerat e veta"

Ulrike Quast31 Dhjetor 2014

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka theksuar në fjalën e saj për Vitin e Ri 2015 unitetin e Evropës. Ajo ka premtuar edhe mbështetjen e Gjermanisë për refugjatët që ikin nga zonat e përfshira me luftë.

https://p.dw.com/p/1EDVo
Angela Merkel
Angela MerkelFotografi: Reuters/Maurizio Gambarini/Pool

Uniteti i Evropës është çelësi për kalimin e krizës në Ukrainë, deklaroi kancelarja gjermane Angela Merkel në fjalën e saj të përgatitur për Vitin e Ri. Nuk ka kurrfarë dyshimi "që sigurinë në Evropë ne duam ta sigurojmë së bashku me Rusinë dhe jo përkundër Rusisë". Por nuk diskutohet fare që "Evropa nuk mund dhe nuk do të pranojë që një gjoja më i fortë të shkelë të drejtën ndërkombëtare", deklaroi kancelarja Merkel, duke iu referuar konfliktit në Lindje të Ukrainës. Si kundërpërgjigje Evropa ka vendosur që të mos lejojë të përçahet, por të jetë më unike se kurrë më parë, për të mbrojtur kërkesat e saj për zgjidhje paqësore dhe për ruajtjen e vlerëve evropiane, nënvizoi shefja e qeverisë gjermane. Viti 2014 e ka vënë Evropën para sfidave të papara deri tani, sa i përket përpjekjeve për zgjidhjen e konflikteve me mjete paqësore.

IS kërcënon vlerat evropiane

Angela Merkel
Gjermania do të mbështetë refugjatëtFotografi: Reuters/Maurizio Gambarini

Kancelarja theksoi në fjalën e saj edhe rrezikun nga njësitë e terrorit të "Shtetit islamik" (IS). Grupi terrorist ka përndjekur gjatë vitit të kaluar "në mënyrën më shtazarake, të gjithë njerëzit të cilët e kanë kundërshtuar ate, apo nuk i janë nënshtruar pushtetit të tij". IS kërcënon edhe "vlerat në shtëpinë tonë", theksoi Merkel.

Migrimi - përfitim për Gjermaninë

Si pasojë e shumë luftërave dhe konflikteve në mbarë botën, në Gjermani kanë ardhur shumë refugjatë. Kancelarja premton vazhdimin e mbështetjes së refugjatëve. Aktualisht në Gjermani ka më shumë refugjatë se kurrë më parë, pas Luftës së Dytë Botërore. Shumë prej tyre kanë shpëtuar nga vdekja e sigurt. "Është e vetkuptueshme që ne ndihmojmë dhe do të ndihmojë njerëzit që kërkojnë shpëtim". Për Gjermaninë është një kompliment që fëmijët e njerëzve të përndjekur mund të rriten këtu pa frikë nga ekzistenca. Pavarësisht nga njerëzit që kërkojnë mbrotje, migrimi "është një fitim për të gjithë ne."

Paralajmërimet për demonstratat armiqësore ndaj të huajve

Me fjalë të qarta kancelarja Merkel ka folur edhe kundër simpatizantëve të lëvizjes anti-islamike "Pegida", të cilët demonstrojnë kundër gjoja mbipopullimit të Gjermanisë me të huaj. Ajo u ka bërë thirrje qytetarëve gjermanë që të mos lejojnë që të instrumentalizohen nga iniciatorët e këtyre demonstratave. Ata duan të përkufizojnë njerëzit e tjerë varësisht nga ngjyra e lëkurës apo feja e tyre. "Ndaj dua t'ju them të gjithë atyre që shkojnë në demonstratat e këtilla: Mos shkoni pas atyre që ju ftojnë në këto demonstrata. Shumë shpesh në zemrat e tyre ka paragjykime, ftohtësi, e madje edhe urrejtje". Merkel kritikoi edhe përdorimin prej demonstruesve të parullës së lëvizjeve qytetare në RDGJ: "Ne jemi populli".

Bashkimi bën fuqinë

Kancelarja Merkel inkurajon qytetarët për Vitin 2015 dhe në veçanti thekson kohezionin në Gjermani. "Edhe në vitin e ardhshëm duhet që së bashku të forcojmë vendin tonë. Kjo e bën shoqërinë tonë më të fuqishme dhe më njerëzore, këto janë bazat e suksesit tonë. Në këtë mënyrë, vendi ynë mund t'i përballojë me sukses edhe sfidat e ardhshme si revolucioni digjital, i cili ka ndryshuar jetën tonë në mënyrë fundamentale, apo dhe rritjen e moshës në shoqëri.

Gjermania do të drejtojë vitin e ardhshëm edhe G7. Kancelarja Merkel tha se ajo vetë do të angazhohet edhe më shumë që shtatë vendet më të industrializuara të bëjnë më shumë për ruajtjen e klimës. Për këtë duhet që më në fund të arrihen marrëveshje të reja të obligueshme.