1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merkel zgjidhet kancelare

Anila Shuka, Berlin22 Nëntor 2005

Angela Merkel zgjidhet kancelare me 64 për qind të votave. Rezultati me se i kënaqshem për pozitën, por jo për të gjithë

https://p.dw.com/p/Aqhb

Angela Merkel e ulur mbas tufave të luleve, me një buzëqeshje të lehtë duke marrë urime nga kolegët parlamentarë. Sa do t'i jepte dorën ish-ministri i jashtëm, Joshka Fisher, kur kryetares së Unionit Kristiandemokrat iu desh t'i përgjigjej pyetjes formale të presidentit të Bundestagut, Norbert Lammert:

"Zoti President, e pranoj zgjedhjen."

Në rreshtin e parë të kolonës së dytë të sallës plenare të Bundestagut ishin mbledhur kolegë nga të pesë fraksionet, për t'i uruar Merkelit zgjedhjen si gruaja e parë kancelare e Gjermanisë. Presidenti kristdemokrat i Bundestagut, Lammert, pak më parë e kishte bërë të njohur rezultatin, e votimit:

"612 vota janë dorëzuar, 611 të vlefshme, 397 kanë vutar me po... "

88 për qind e votave të koalicionit të madh. 64 për qind e të gjithë Bundestagut. Pra shumica e duhur u arrit. Duartrokitja e deputetëve të ngritur në këmbë është e ngrohtë por jo entuziaste. Po ashtu edhe pamja e kancelares së ardhshme që buzëqesh. 202 vota kundër, 11 abstenime, një e pavflefshme. Lammert vazhdon:

"Mbas Konrad Adenauerit, Ludvig Erhardit, Kurt Georg Kizingerit, Vili Brandtit, Helmut Shmidtit, Helmut Kolit dhe Gerhardt Shrëderit, deputetja Zonja Dr. Angela Merkel u zgjodh kancelare e Gjermanisë."

Megjithatë 51 deputetë nga radhët e koalicionit mendohet të mos ia kenë dhënë votën Merkelit, për ekspertët dhe opozitën një fillim jo shumë i mbarë. Pozita është e kënaqur: Olaf Scholz, drejtues parlamentar i grupit të socialdemokratëve:

"Është një rezultat shumë i mirë krahasuar me atë të koalicionit të madh të mëparshëm, rezultati është stabil dhe në rregull"

Koalicioni i parë i madh i Gjermanisë ishte në vitin 1966. Kancelari i atëhershëm Kurt Georg Kizinger mbodhi 76 për qind të votave. Shefi i fraksionit të liberalëve, që tani ndodhen në opozitë, Volfgang Gerhardt, shikon që tani rrezik për destabilizimin e koalicionit të porsakrijuar.

"Nuk mund të thuhet që ishte ndonjë rezultat shumë i fortë. Zonja Merkel u zgjodh me një shumicë më se të mjaftueshme, por është për t'u shënuar fakti, që në një vendim kaq të rëndësishm 51 deputetë të koalicionit nuk votuan me pro".

Klaudia Rot e të Blertëve megjithëse nga opozita e vlerëson momentin historik, që për herë të parë në krye të qeverisë do të jetë një grua, edhe pse ajo vetë nuk ia dha votën. Sa i përket rezultatit jo shumë të fortë, Rot, që ka mbledhur përvojë gjatë shtatë vjetëve të qeverisjes së partisë së saj me kancelarin Shrëder mendon se rezultati ishte i sinqertë:

"Me sa duket ata duhet të ushtrohen edhe ca. Kjo vihet re jo vetëm tek rezultati por edhe tek mënyra se si duartrokasin. Nuk mund të presësh që ata, që deri tani gjithmonë kanë qenë kundër njëri tjetrit, krejt papritur të bëhen tani njësh. Them se ky rezultati ishte i sinqertë."

Njëri nga radhët e socialdemokratëve që i dha votën Merkelit, por edhe që e uroi i pari ishte Gerhard Shrëder. Kancelari i deritanishëm bëri dje të njohur largimin e tij nga Bundestagu dhe tha se do t’i përkushtohej më shumë profesionit si avokat dhe familjes.

Seanca plenare e Bundestagut është ndërprerë në mënyrë që rezultati të pranohet zyrtarisht nga presidenti, Horst Këler, i cili në orën 14 do të bëjë betimin e kancelares së tetë të Gjermanisë dhe qeverisë së propozuar prej saj.