1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merkeli dhe Sarkozy me sukses të vogël

1 Nëntor 2010

Takimi i Brukselit rreth qëndrimit të vendeve anëtare të BE-së ndaj vendeve që zhyten aq thellë në borxhe, si p.sh. Greqia, dhe rrezikojnë edhe vetë stabiltetin e euros, nuk solli ndonjë përparim të madh.

https://p.dw.com/p/Pv9I
Nicolas Sarkozy dhe Angela Merkel (djathtas)
Nicolas Sarkozy dhe Angela Merkel (djathtas)Fotografi: AP

Kancelarja Angela Merkel kishte ide të mira, por në takim vetëm pak prej tyre arritën t'i bindnin të tjerët. Për këtë mbetet vetëm një shpresë që në takimin e dhjetorit të arrihet përfundimi i dëshiruar. Shkaku ka të bëjë edhe me marrëveshjen për të cilën kishin rënë dakord mes tyre Merkeli dhe presidenti francez Nicolas Sarkozy në Deauville, e cila thuajse e kishte revoltuar të gjithë BE-në. Përkrahësit e sanksioneve automatike ndaj mëkatarëve të borxheve vune re me tmerr se kancelarja hoqi dorë prej këtij qëllimi qendror. Me këtë hap Merkeli e goditi pas shpine edhe Komisionin e BE-së, i cili ndiqte gjithashtu këtë qëllim dhe deri në takimin e Deauville-s qe i sigurt për mbështetjen gjermane. Së fundi të anashkaluar duhet ta ketë ndjerë veten edhe presidenti i këshillit Van Rompuy. Ky ishte ngarkuar prej kryetarëve të shteteve dhe të qeverive me përpilimin e reformave. Por përpara se ky t'i shpallte zyrtarisht përfundimet e tij, dy të mëdhejtë, Merkel dhe Sarkozy thanë the e kishin marrë vendimin.

Si kundërpërgjigje për të qehur dorë prej sanksioneve Sarkozy e kishte siguruar Merkelin, se Franca do të jetë pro kërkesës së Gjermanisë për ndryshimin e marrëveshjeve të BE-së. Se sa pa vlerë qe kjo, Merkeli e përjetoi vetë në takim. Rrallë ka pasur në BE më parë ndonjë mur kaq të fortë rezistence, sidomos në lidhje me çështjen e heqjes së të drejtës së votës. Kjo do të thotë se Merkeli hoqi dorë më herët se duhej prej një prej mjeteve më të rëndësishme të stabilizimit të euros, por nuk mund të "blejë" dot asgjë si kundërpërgjigje - të paktën deri tani jo.

Sepse nëse BE-ja do të arrijë që të bierë dakord deri në dhjetor për këtë të ashtuquajtur ndryshim të vogël të marrëveshjes, nuk varet në asnjë mënyrë vetëm prej Francës. Çështjen me heqjen e së drejtës së votës Merkeli mund ta harrojë. Tani edhe ajo vetë thotë vetëm, se dëshiron që kjo temë "të mbetet në rendin e ditës". Dhe më tepër sesa të futet në rendin e ditës kjo temë nuk do të shkojë.

Ndryshe qëndron puna me idenë e një mekanizimi të vazhdueshëm për shpëtimin e shteteve në nevojë. Pjesëmarrja e kreditorëve privatë është kudo e mirëpritur. Dhe frika prej një falimentimi të shtetit në të gjithë zonën e euros mund të ushtrojë një lloj trystnie të nevojshme për të arritur ndryshime sado të vogla të marrëveshjeve në këtë sektor.

Ironikja është: Në rast se Merkeli do të kishte luftuar në takimin e Brukselit deri në fund për sanksionet automatike dhe do të kishte kërkuar aleatë për këtë, atëhere ajo mund t'i kishte kursyer vetes dhe të gjithë BE-së ndoshta një pjesë të grindjeve për ndryshimet e marrëveshjeve. Sepse sa më të forta të jenë instrumentet e disiplinimit përpara rastit të krizës, aq më e pakët është mundësia që të bëhen të nevojshëm mekanizmat e krizës.

Autor: Christoph Hasselbach
Redaktor: Pandeli Pani