1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merkeli e fton Putinin në Pallatin Meseberg

14 Gusht 2018

Konfliktet në Siri dhe në Ukrainë apo furnizimi energjetik i Gjermanisë - lista e temave midis Kancelares Merkel dhe Presidentit të Rusisë Putin është e gjatë. Të shtunën ata takohen për herë të dytë brenda tri muajsh.

https://p.dw.com/p/336Yx
Merkeli e Putini në Soçi, maj 2018
Merkeli e Putini në Soçi, maj 2018Fotografi: picture-alliance

Vladimir Putini do të vijë këtë javë në Gjermani: për herë të dytë brenda tri muajsh Kancelarja Angela Merkel do të takojë Presidentin Vladimir Putin. Këtë herë në Pallatin Meseberg në Brandenburg.

Në qendër të bisedimeve në mbrëmje do të jenë "tema aktuale politike", deklaroi zëdhënësi i qeverisë Stefen Seibert në Berlin. Do të zhvillohen bisedime për konfliktet në Siri dhe në Ukrainën Lindore. Gjermania ndërmjetëson së bashku me Francën prej kohësh në konfliktin e ngrirë midis separatistëve prorusë dhe trupave qeveritare në Ukrainën Lindore. Çështja që diskutohet tani është nëse një trupë helmetkaltërt e Kombeve të Bashkuara do të mund të vëzhgojë një armëpushim të mundshëm dhe si mund ta bënte këtë. Në konfliktin e Sirisë që po zgjat prej më shumë se shtatë vjetësh, Rusia luan një rol qendror si aleati më i rëndësishëm i Presidentit sirian Bashar al-Assad.

Çështja politike Nord Stream 2

Temë do të jetë edhe mosmarrëveshja për tubacionin e furnizimit të gazit Nord Stream 2. Duke pasur parasysh projektin e debatuar gjermano-rus të furnizimit me gaz, Seiberti theksoi se për Gjermaninë është e rëndësishme që Ukraina të vazhdojë të luajë edhe më tej një rol në kalimin tranzit të gazit. Ndërtimi i planifikuar i tubacionit 1200 km të gjatë është planifikuar që të jetë zgjerimi i lidhjes ekzistuese, tha ai. Ai do ta lidhë drejtpërdrejt Rusinë dhe Gjermaninë përmes Detit të Lindjes dhe mund ta zëvendësojë kështu rrugën përmes vendeve si Ukraina.

Projektin e mbështet veç operatorit rus Gazprom edhe shoqëria bijë e BASF gjerman, Wintershall. Kundër ndërtimit të tubacionit të gazit kanë paraqitur rezerva Ukraina, por edhe në kuadër të BE si dhe SHBA. Presidenti i SHBA Donald Trump e akuzon Gjermaninë për një varësi shumë të madhe nga Rusia në sektorin energjetik, kurse Ukraina druhet për humbjen e të ardhurave nga kalimi tranzit i gazit për Rusinë.

Qeveria Federale gjermane mban 60 kilometra në veri të Berlinit në Meseberg një rezidencë për të ftuarit, në të cilën Merkeli pret edhe vizitorë të huaj. Merkeli dhe Putini u takuan së fundi në mes të majit në Soçi, në Detin e Zi në Rusi. Pas kësaj, Merkeli së bashku me ministrin e Jashtëm Heiko Maas takuan në fund të korrikut ministrin e Jashtëm rus Sergej Lavrov dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm rus Valeri Gerasimov në Berlin. Putini ka qenë për herë të fundit në Gjermani në takimin e nivelit të lartë të G-20 në Hamburg, në korrik 2017.

Marrëdhëniet midis Berlinit dhe Moskës janë të tensionuara, midis të tjerash për shkak të konfliktit në Ukrainën Lindore, por edhe për shkak të akuzave të Gjermanisë për sulme të hakerëve rusë dhe për ndërhyrje ruse në fushatën elektorale në Gjermani.