1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merkeli u jep siguri hebrenjve

wl/qu (dpa, afp, kna)16 Shkurt 2015

Përballë shqetësimeve për atentate terroriste, kancelarja Angela Merkel ka siguruar hebrenjtë në Gjermani se janë të mbrojtur mirë. Reagimi erdhi pas apelit të kryeministrit Netanjahu për emigrimin e hebrenjve në Izrael.

https://p.dw.com/p/1Ecac
Belgien Angela Merkel Pressekonferenz in Brüssel
Merkel siguron hebrenjtë për sigurinë e tyre në GjermaniFotografi: Reuters/E. Vidal

Qeveria federale, qeveritë në lande dhe të gjithë përgjegjësit bëjnë gjithçka që në Gjermani të garantohet siguria e institucioneve hebreje dhe e qytetarëve në Gjermani, tha kancelarja Angela Merkel në Berlin. "Ne dëshirojmë të jetojmë edhe më tej mirë me hebrenjtë që jetojnë sot në Gjermani", theksoi Merkeli dhe shtoi: "Ne jemi të gëzuar e edhe mirënjohës, që në Gjermani vazhdon të ketë jetë hebrenj".

Kancelarja gjermane reagoi me këtë ndaj apelit të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanjahu drejtuar hebrenjve në Evropë, që të emigrojnë në Izrael. Duke pasur parasysh sulmin ndaj sinagogës në Kopenhagë dhe atentatet terroriste në Paris në janar, Netanjahu deklaroi në Jeruzalem se hebrenjtë u vranë në tokën evropiane vetëm sepse ishin hebrenj. Sipas Netanjahut, kjo valë terroriste do të vazhdojë. Prandaj ai tha se u drejtohet të gjithë hebrenjve në Evropë me fjalët "Izraeli është atdheu juaj".

Policia para sinagogës së Berlinit
Policia para sinagogës së BerlinitFotografi: picture-alliance/dpa

Thirrje e Këshillit Qendror të Hebrenjve

Këshilli qendror i hebrenjve në Gjermani, përballë rrezikut të terrorizmit u bëri thirrje autoriteteve që "të qëndrojnë edhe më tej syçelëta dhe t'i kontrollojnë edhe njëherë masat e marra të sigurisë". "Me këto kushte në Gjermani është e mundur edhe më tej jeta e hebrenjve," i tha Presidenti i Këshillit Qendror të Hebrenjve, Josef Schuster gazetës "Die Welt".

Edhe Presidentja e Komunitetit izraelit të Mynihut dhe Bavarisë së Epërme dhe ish-Presidentja e Këshillit Qendror të Hebrenjve, Charlotte Knobloch u distancua nga Netanjahu. "Një eksod i hebrenjve evropianë për në Izrael nuk është zgjidhje e rrezikimit masiv nga terrori islamik", tha ajo në Mynih. "Ai që sulmon hebrenjtë në Evropë sulmon të gjithë shoqërinë evropiane dhe vlerat e saj të lirisë", theksoi Knobloch. Prandaj dhuna antisemite duhet të luftohet në Evropë me të gjitha mjetet politike dhe të shtetit juridik.