1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mes vizionit dhe pragmatizmit - Angela Merkel organizon samitin e BE-së

Eckard Gadumm20 Mars 2007

Me "Deklaratën e Berlinit", që do të shpallet në kuadër të samitit të BE-së më 24 dhe 25 mars, të 27 kryetarët e shteteve dhe të qeverive të BE-së synojnë që të trajtojnë kryesisht temat e së ardhmes.

https://p.dw.com/p/Ar8Z
Angela Merkel
Angela MerkelFotografi: AP

Kjo deklaratë do të vlerësojë arritjet si dhe perspektivat e Evropës së bashkuar me rastin e 50 vjetorit të Marrëveshjeve të Romës, që konsiderohen si baza e Bashkimit Evropian. Ky do të jetë takimi i dytë i nivelit të lartë që organizohet dhe drejtohet nga presidenca gjermane, pas atij të dy javëve më parë që pati në fokus politikën e BE-së për klimën dhe energjetikën.

Kur më 25 mars Marrëveshjet e Romës do të festojnë 50 vjetorin e nënshkrimit, kancelarja dëshiron që rreth 500 milionë evropianët t´i entuziazmojë sërish për idenë thelbësore të Evropës përmes "Deklaratës së Berlinit". Lidhur me këtë qëllim të saj kancelarja Merkel është shprehur edhe në një intervistë që i dha së fundi kanalit të dytë televiziv në Gjermani ZDF.

E pyetur se çfarë mund të mësojmë sot prej themeluesve të Evropës, Merkel thekson:

"Unë mendoj, se prej tyre mund të mësojmë që idetë dhe mendimet janë të dobishme kur t´i kapërcejnë kufijtë e së sotmes, pa dashur këtu t´i quaj ato vizione. Prej tyre mund të mësojmë, se prej dështimeve nuk duhet të tërhiqemi, por duhet të vazhdojmë përpjekjet më tej. Nuk duhet të harrojmë, që Marrëveshjet e Romës u realizuan, sepse dështoi më parë bashkësia evropiane e mbrojtjes. Në fakt asokohe duke u ndodhur përpara një fushe loje krejtësisht të zbrazur, iu vu gishti kokës duke arsyetuar: ne duhet të ecim përpara në Evropë dhe duhet të vendosim për unionin ekonomik. Të dyja këto janë mendime lagpamëse që nuk stepen prej dështimeve, e që po na çojnë përpara edhe ne sot. Këtë mund të mësoj unë prej themeluesve të unionit."

Këto ditë do të shpallet "Deklarata e Berlinit" dhe me këtë synohet t´u deklarohet njerëzve, se përse ka kuptim bashkimi i Evropës. Pas samitit të fundit mbi poliitkën ndaj ndryshimit të klimës mund të thuhet, se ky është promotori për t´ua sqaruar njerëzve një gjë të tillë?

"E drejtë është, që parlamenti bashkë me komisionin dhe këshillin e BE-së, presidente e radhës së të cilit jam unë duan të japin një deklaratë në emër të të gjitha institucioneve. Kjo deklaratë duhet të vlerësojë atë që ne kemi arritur në këto 50 vjet. Që ne pjesën më të madhe të kohës jetojmë në paqe në kontinentin evropian, është një fitore madhështore po të krahasohemi me rajonet e tjera të botës. Ne duam të vështrojmë përpara dhe të shtrojmë pyetjen: çfarë duhet të arrijë Evropa, në mënyrë që njerëzit të vazhdojnë të jenë mirë, në mënyrë që të ruhet mirëqënia dhe siguria sociale? Në këtë kontekst tema të rëndësishme janë ndryshimi i klimës dhe politika për energjinë. Por po aq e rëndësishme është natyrisht edhe që ne së bashku punojmë për sigurimin e kufijve, që ne kemi një monedhë të përbashkët në shumë vende evropiane, që ne në të ardhmen duam të forcojmë edhe më shumë politikën e përbashkët për marrdhëniet me jashtë dhe sigurinë. Evropa duhet edhe në këtë të drejtim t´i prezantohet botës unike."


Pra do të jetë deklarata kaq konkrete?

"Këto pika do të trajtohen patjetër. Unë jam e bindur për këtë. Ne kemi pasur tani edhe një diskutim me kryetarët e shteteve dhe të qeverive. Ne duam të themi shumë qartë, se përse na duhet Evropa dhe kjo në një formë që njerëzit ta kuptojnë."

A do të ketë në deklaratë referim edhe për trashëgiminë hebrejo-krishtere. Kjo është diçka që në radhë të parë konsiderohet si shumë e rëndësishme prej Polonisë?

"Unë besoj që kjo do të jetë disi e vështirë. Ne kemi pasur diskutimin mbi këtë dhe ka mendime shumë të ndryshme. Unë mendoj, ne mund t´u referohemi rrënjëve, që na karakterizojnë: iluminizmi, e drejta romake, dhe rrënjët hebreo-krishtere. Por ka edhe vende të tjera, që kanë një tjetër traditë, këtu bën pjesë Belgjika, por edhe Franca. Ne nuk duam të bëjmë një deklaratë provokuese, por duam që të theksojmë atë që na bashkon dhe si rrjedhojë ka të ngjarë që në këtë drejtim nuk do të ndalemi."

Koncepti kushtetutë nuk do të trajtohet në "Deklaratën e Berlinit". Mos vallë unionit të 27 vendeve i mungon guximi për të hedhur hapin e madh?

"Jo, unë nuk besoj se është kështu. Ne në qershor do të diskutojmë, se si do të vazhdohet më tutje me projektmarrëveshjen për kushtetutën, e më pas do të paraqesim një plan kohor. Tani "Deklarata e Berlinit" do të konsistojë në atë se përse na duhet Evropa. Ajo duhet të jetë sa më pranë qytetarëve, duhet të jetë sa më pranë njerëzve, duhet që të përmbushë detyrat, që nuk mund t´i përmbushin të vetëm shtetet kombëtare. Këto detyra do të përshkruhen në të. Unë dua të them edhe, se ne në zgjedhjet për Evropën në vitin 2009 do të dalim përpara njerëzve dhe do të na duhet t´u themi, se si duam ta arrijmë këtë. Ndonëse në deklaratë nuk do të përmendet projektkushtetuta, ajo detyrimisht është e nënkuptuar në çdo rast, sepse marrëveshjet e deri tanishme nuk mjaftojnë për të përmbushur të gjitha detyrat, këtë e di kushdo."

Projektkushtetuta është kleçka më e madhe e presidencës. Nisur nga takimi i fundit i nivelit të lartë a jeni më optimiste, se diçka do të arrihet në këtë drejtim?

"Përpara dy javësh në këtë samit BE-ja dëshmoi, se është e aftë të veprojë. Naytrisht ne kemi nevojë për këtë edhe në hapin tjetër, nëse duhet të prezantojmë një plan kohor për kushtetutën. Unë e ndjeva, se problemet e përbashkëta janë të mëdha, që kryetarët e shteteve dhe të qeverive e dinë, se duhet të veprojnë, që ne duhet të jemi të aftë për të vepruar, ndaj unë mund të them, se jam optimiste për t´u marrë me këtë çështje."

Sipas mendimit tuaj cili është thelbi që duhet shpëtuar përmes një marrëveshjeje lidhur me kushtetutën?

"Natyrisht që kjo është e vështirë të përshkruhet në këtë moment. Ne të gjithë jemi të një mendimi, që BE-ja duhet të jetë e aftë të veprojë, kjo do të thotë, që ne nuk mund të ecim përpara me procesin e marrjes së vendimeve të përcaktuar në Nisë dhe as me institucionet e Nisës. Ne duhet ta kuptojmë, që me marrëveshjen e Nisës nuk mund të ketë më zgjerim. Pra nëse p.sh. bisedimet e antarësimit me Kroacinë janë thelluar, në bazë të marrëveshjes së Nisës nuk është e mundur që të pranohet Kroacia si antare e re. Ne pas marrëveshjes së Nisës nuk e dimë, se sa i madh duhet të jetë komisoni. Në të thuhet vetëm, se ai duhet të ketë më pak se 27 antarë. Por ne nuk kemi thënë se sa i madh duhet të jetë ky komision. Kjo do të thotë që jemi nën një presion të madh për të arritur diçka në sfondin e zgjedhjeve të ardhshme për Evropën. Së dyti për mua është shumë e rëndësishme, që ne të trajtojmë tema të reja në bashkëpunimin tonë. Sot për sot nuk ka asnjë marrëveshje bazë mbi bashkëpunimin për politikën energjetike. Por të gjithë janë në unanimitet, se politika e energjisë në vitet e fundit është bërë e rëndësishme dhe që ne duhet të veprojmë në këtë drejtim. Ndërkohë nuk ka mundësi që të votohet në bazë të shumicës për politikën e brendëshme dhe të drejtësisë. Edhe në këtë drejtim besojmë, që është e nevojshme të bëhet diçka, sepse çështjet e terrorizmit, të sigurisë së brendëshme në vendet tona janë probleme që nuk mund t´i përballojë sot një vend i vetëm. Pra ka shumë detyrime objektive, dhe besoj, që ne jemi nën presion për të vepruar, nëse do t´ja dalim, kjo mbetet të shihet."