1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Meta: Duhet të angazhohemi për kapërcimin e situatës absurde në vend

Anila Shuka18 Qershor 2010

Intervistë me ministrin e Jashtëm shqiptar Ilir Meta mbas takimit të tij të enjten (17.06.10.) në Berlin me homologun gjerman, Guido Westerwelle.

https://p.dw.com/p/NuYJ
Ilir Meta
Ilir MetaFotografi: DW

Deutsche Welle: Zoti Meta, sapo përfunduat takimin e parë zyrtar me ministrin e jashtëm gjerman Guido Westerwelle. Cila ishte përshtypja juaj?

Ilir Meta: Besoj se ky takim zhvillohet në një atmosferë tepër bashkëpunuese dhe intensive të marrëdhënieve midis dy vendeve. Ai konfirmon raportet shumë të mira në planin politik dhe ekonomik midis dy vendeve. Gjatë këtij takimi u konfirmua mbështetja gjermane për perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe të Ballkanit Perëndimor njëkohësisht dhe mbështetja gjermane për liberalizimin e vizave me Shqipërinë, sapo Komisioni të njoftoj për përmbushjen e të gjitha kushteve nga ana e vendit tonë.

Deutsche Welle: Njëri prej tyre është stabiliteti i brendshëm politik...

Ilir Meta: Natyrisht që ne diskutuam edhe për rëndësinë e mirëfunksionimit të parlamentit, forcimit të dialogut politik midis mazhorancës dhe opozitës. Unë e kam siguruar ministrin Westerwelle, se qeveria dhe mazhoranca do të bëjnë gjithçka për të bashkëpunuar me opozitën për t'i dhënë edhe zgjidhje gjithë pretendimeve të opozitës, por gjithnjë në respekt të plotë me kushtetutën dhe me ligjet e vendit.

Deutsche Welle: Pra ju nuk mendoni se ka ndonjë shans që kriza të zgjidhet me konsensus politik?

Ilir Meta: Mazhoranca e ka bërë të qartë se është e gatshme të tolerojë dhe të plotësojë shumë nga kërkesat e opozitës sikurse ka bërë dhe deri tani, që nuk cënojnë kushtetutën dhe ligjet e vendit. Fakti që mazhoranca e ka pranuar prej kohësh për t'i garantuar shumicën e komisionit parlamentar opozitës, për t'i dhënë drejtimin e këtij komisioni, për t'i dhënë njëkohësisht edhe rolin kryesor për të formuluar reformën e ardhshme zgjedhore, në mënyrë që në zgjedhjet e ardhshme të mos përsërisin ato mangësi të vërejtura nga zgjedhjet e fundit, dëshmon se vullneti ka qenë dhe mbetet i padiskutuar nga ana e mazhorancës për të punuar në mënyrë konstruktive me opozitën.

Deutsche Welle: Edhe dy partitë më të mëdha të Parlamentit Evropian kanë apeluar së fundmi për një zgjidhje politike. Cili është mendimi juaj?

Ilir Meta: Jam plotësisht dakord me thirrjen e tyre dhe besoj se të gjithë duhet të angazhohen për të mos shpërdoruar angazhimin e tyre tepër konstruktiv për të mundësuar kapërcimin e një situate absurde.

Deutsche Welle: Ju biseduat me homologun tuaj edhe për situatën në rajon.

Ilir Meta: Po, tema ishte sidomos takimi i nivelit të lartë i Bashkimit Evropian për Ballkani Perëndimor. Kam nënvizuar rëndësinë që Shqipëria i kushton përmirësimit të marrëdhënieve me të gjitha vendet e rajonit tonë dhe veç bashkëpunimit rajonal, rëndësia që Shqipëria i kushton mbështetjen në radhë të parë të një Kosove evropiane e që nesër do të jetë pjesë e Bashkimit Evropian dhe kemi ndarë të njëjtën bindje se të gjitha çështjet bilaterale duhen zgjidhur në rajonin tonë në frymën dhe shpirtin evropian.

Deutsche Welle: Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosja në Kosovë, Albin Kurti, tani ka hyrë në politikën partiake dhe pat deklaruar se do të angazhohet që të drejtat e serbëve në Kosovë t'i kenë edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës e të Greqisë. Si e shihni ju këtë çështje?

Ilir Meta: Angazhimi i qeverisë shqiptare është tepër evident për të drejta e gjithë shqiptarëve kudo ata jetojnë jashtë Shqipërisë. Ky angazhim ka qenë shumë i veçantë për të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, të cilët pata kënaqësinë t'i vizitoja gjatë muajit mars, dhe absolutisht të njëjtën gjë do të bëjmë gjithmonë edhe për pakicat e tjera në vendin tonë. Ky është qëndrimi ynë, edhe për minoritetin serb në Kosovë dhe pakicat kudo, sepse të gjithë kombet tona në Ballkan diku janë shumicë dhe diku janë pakicë dhe e vetmja rrugë për të lënë pas njëherë e mirë konfliktet është që të gjithë të aplikojmë të njëjtat standarde për pakicat kudo ku janë, standardet evropiane.

Deustche Welle: Të njëjtat drejta si ato të serbëve në Kosovë?

Ilir Meta: Kjo është një çështje tjetër. Ne mendojmë se diskriminimi pozitiv i serbëve në Kosovë është një alternativë për t'i integruar ata më mirë në institucionet e vendit dhe për t'i dhënë një zgjidhje përfundimtare të pranuar edhe nga Beogradi pavarësisë dhe shtetit të ri të Kosovës, e cila natyrisht nuk mund të ndodhë brenda një dite.

Intervistën e zhvilloi Anila Shuka

Redaktoi: Aida Cama