1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Meta përshëndet zgjedhjet në Kosovë

Mimoza Cika-Kelmendi7 Nëntor 2013

Zgjedhjet e fundit në Kosovë, intergimi i vendeve të rajonit në BE, marrëdhëniet me Greqinë dhe Gjermaninë, janë temat që trajton Kryetari i Parlamentit të Shqipërisë në bisedë me DW.

https://p.dw.com/p/1ADTc
1
Fotografi: Ilir Meta

DW: Zoti Meta, në Kosovë u zhvilluan zgjedhjet komunale, të cilat u shoqëruan me veprime të dhunshmë në veri nga ekstremistët. Këto zgjedhje ndërkohë ishin menduar si një hap drejt përmirësimit të marrdhënieve Kosovë-Serbi, madje u cilësuan edhe historike pasi ishte hera e parë që merrnin pjesë serbët. Cili është vlerësimi i juaj?

Ilir Meta: Dëshiroj të përshëndes të gjithë qytetarët e Kosovës për pjekurinë dhe vendosmërinë me të cilën votuan në zgjedhjet komunale dhe njëkohësisht të përgëzoj Bashkimin Evropian dhe OSBE-në për punën e tyre në terren për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Njëkohësisht vlerësoj punën e institucioneve të Kosovës për organizimin e këtyre zgjedhjeve që kanë një rëndësi të veçantë për të ardhmen e vendit. Nuk mendoj se incidentet e papranueshme dhe të izoluara të veriut të Mitrovicës do mund të cënojnë dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, sepse vullneti i të dy vendeve është shprehur qartë pro vazhdimit të dialogut dhe avancimit drejt perspektivës evropiane. Inkurajoj autoritetet përkatëse të hetojnë menjëherë dhe të sjellin para drejtësisë ata individë që dëshirojnë të ndalojnë zbatimin e Marrëveshjes së prillit dhe që punojnë kundër paqes dhe stabilitetit në rajon. Sidoqoftë këta elementë destruktivë e kanë marrë goditjen e parë përmes pjesëmarrjes së qytetarëve në votim. Ne mbështesim zgjidhje që burojnë nga dialogu dhe gjithëpërfshirja.

Në kuadër të përmirësimit të marrdhënieve Kosovë-Serbi, cili është roli i Shqipërisë në këtë mes? A mundeni ju si kryetar parlamenti por edhe me përvojën tuaj në politikë për më shumë se dy dekada të kontribuoni në këtë drejtim?

Roli i Shqipërisë është të mbështesë fuqimisht angazhimin e Bashkimit Evropian në ndërmjetësimin e suksesshëm që po i bën dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Përfitoj nga rasti të vlerësoj edhe raundin e ditës së mërkurë (06.11) të bisedimeve konstruktive mes Kryeministrave Thaçi dhe Daçiç në prezencën e Baroneshës Ashton në Bruksel. Shqipëria është e gatshme të ndihmojë përmes bashkëpunimit me Serbinë dhe Kosovën në planin bilateral dhe atë rajonal për gjetjen e zgjidhjeve afatgjata që do t'i shërbejnë paqes dhe sigurisë. Por hapat konkretë i takojnë Beogradit dhe Prishtinës t'i ndërmarrin për zbatimin e plotë të marrveshjes mes tyre. Ne do të vazhdojmë ta thellojmë bashkëpunimin me Serbinë dhe do të vazhdojmë mbështetjen tonë të natyrshme ndaj njohjeve të mëtejshme të Kosovës, me qëllim që shteti i ri të ketë vendin që meriton në platformat ndërkombëtare. Në këtë drejtim, ne shpresojmë në avancimin e axhendës evropiane të Kosovës dhe Serbisë, sepse jemi të bindur se anëtarësimi në Bashkimin Evropian është rruga më e sigurt për të ardhmen e qytetarëve të të dy vendeve dhe të gjithë rajonit tonë.

Ballkani, edhe pse ka kaluar kohë nga konfliktet e përgjakshme, ende vuan nga gjurmët e së kaluarës që e pengon edhe bashkëpunimin mes vendeve fqinjë sot. Ju zoti Meta keni ndonjë projekt që në Ballkan të ketë një politikë më të pastër fqinjësie, bashkëpunimi dhe uniteti për integrimin e këtyre vendeve sa më shpejt në BE?

Unë besoj se rajoni ynë është ndarë një herë e mirë nga e kaluara e përgjakshme e tij dhe të gjithë vendet e rajonit po avancojnë drejt integrimit euro-atlantik. Njëkohësisht mendoj se kemi bërë hapa të mëdha në drejtim të thellimit të integrimit rajonal. Psh, kemi marrë vendime jetike për sa i përket lëvizjes së lirë të qytetarëve, ngritjes së bashkëpunimit mes vendeve tona në një stad më të lartë dhe përmirësimit të infrastrukturës që lidh vendet tona. Vizioni ynë për një rajon të sigurtë dhe në paqe lidhet fort me heqjen e barrierave dhe rritjen e shkëmbimeve njerëzore dhe tregtare mes vendeve tona, në mënyrë që të gjithë bashkë të paraqesim një rajon konkurrent para investitorëve të huaj. Në të gjitha takimet që ne zhvillojmë me liderët politikë të shqiptarëve në rajon, ne vazhdojmë ti inkurajojmë ata që të jenë një forcë kontribuese dhe integruese në vendet respektive ku ata jetojnë. Shqiptarët janë një popull paqësor dhe pragmatik, dhe si të tillë ne jemi të fokusuar në perspektiva konkrete që kanë impakt të drejtpërdrejtë në cilësinë e jetës së qytetarëve.

Këto ditë qëndroi në Tiranë presidenti grek Papulias. Shenjë e mirë kjo për marrëdhëniet e dy vendeve por nga ana tjetër kohëve të fundit është ngritur toni i Tiranës zyrtare për ligjin e luftës apo çështje të tjera si ajo e toponimeve apo problemi i çamëve. Pse pikërisht tani ngrihet zëri kaq shumë për këto çështje?

Nuk ndaj të njëjtën bindje. Shqipëria dhe Greqia ndajnë një histori të përbashkët dhe ndjenja shumë miqësore mes dy popujve. Si të tillë, ne kemi qenë gjithnjë të hapur në bisedimet tona për zgjidhjen e çdo problematike të mbetur. Gjatë takimit me Presidentin Papoulias, ndava bindjen se Traktati i Miqësisë, Bashkëpunimit, Fqinjësisë së Mirë dhe Sigurisë midis Shqipërisë dhe Greqisë, si dhe standartet evropiane, janë baza solide e trajtimit konstruktiv të të gjitha çështjeve të mbartura nga e kaluara. Ne ramë dakort me Presidentin Papoulias se një erë e re bashkëpunimi ka nisur mes Shqipërisë dhe Greqisë, dhe se kjo do të përkthehet në komisione dhe grupe të përbashkëta pune për adresimin e çështjeve. Sidoqoftë, vlerësoj se marrëdhëniet mes dy vendeve tona janë të shkëlqyera dhe se pas vizitës të suksesshme të z. Papoulias, ato do të njohin një dinamikë edhe më pozitive në të ardhmen. Dua të vlerësoj maksimalisht mbështetjen që Greqia i jep Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe kontributin që kanë dhënë në vite shqiptarët që punojnë e jetojnë në vendin fqinj.

Ti kthehemi zhvillimeve aktuale të qevërisë në Tiranë. Janë bërë një sërë "aksionesh" si ai kundër lojërave të fatit, bllokimi i ndërtimeve pa leje, ndryshime radikale nëpër sektorë, si në polici, apo diplomaci. Gjithashtu Shqipëria edhe këtë rradhë nuk i shpëton tërmetit që pëson administrata sa herë ndërrohen qeveritë.

Unë gjykoj se Qeveria po tregon vullnet dhe angazhim maksimal për adresimin e sfidave të mëdha që ka vendi. Kemi një ekip qeverisës plot me energji dhe dëshirë për t'i shërbyer vendit dhe kam besim se shumë shpejt do shohim edhe rezultatet konkrete të këtij angazhimi energjik të qeverisë. Parlamenti do e mbështesë Qeverinë në përmbushjen e rekomandimeve të Bashkimit Evropian dhe në përballjen me sfidat ekonomike dhe sociale që përjeton vendi. Mendoj se Shqipëria ka nevojë të rrisë profesionalizmin dhe efikasitetin e administratës sonë, në mënyrë që t'a përgatisim vendin për etapën e negociatave për anëtarësim në BE. Natyrisht që të gjitha këto do bëhen në konsultim me partnerët tanë ndërkombëtarë, veçanërisht më Bashkimin Evropian. Eshtë e rëndësishme që çdo reformë të bëhet në respekt të ligjeve dhe me transparencë të plotë, në mënyrë që të mos ekzistojnë keqpërdorime për arsye protagonizmi.

Të qënit në një koalicion qeverisës nuk është e lehtë, pasi duhet gjeni një gjuhë të përbashkët për çdo hap që hidhet . Pra të jeni "një në çdo të mirë dhe të keqe të qeverisë". Ju ndjeheni në të njëjtin hap, zoti Meta?

Koalicioni ka një program qeverisës dhe Qeveria është një, pavarësisht partive që marrin pjesë në të. Patjetër që komunikimi dhe konsultimi brenda koalicionit është maksimal dhe kam kënaqësi të shpreh se ndajmë bindje të njëjta me Kryeministrin Rama për sa i përket drejtimit që duhet të marrë vendi.

Vlerësoheni në opinion për maturi në menaxhimin e seancave parlamentare duke futur qetësinë dhe tolerancën. Ndërkohë që jashtë parlamentit klima politike duket e acaruar dhe ende nuk ka një hap për dialog me opozitën. Zoti Meta ju çfarë do të sugjeronit që të dilet nga ky ngërç politik?

Nuk mendoj se ka ngërç politik, por një proces të natyrshëm riadaptimi të partive politike në pozicionet përkatëse. Eshtë normale që opozita e re të bëjë opozitë, dhe ne e mirëpresim këtë. Madje duhet t'i japim kohën e nevojshme opozitës së re që të gjejë vetveten dhe të fuqizohet. Kështu duhet të funksionojnë gjërat në demokraci. Ne si Kuvend, do të fokusohemi në rritjen e transparencës, gjithëpërfshirjes në konsultime dhe vendimmarrje dhe në rritjen e cilësisë së dialogut politik mes palëve. Më vjen mirë që tashmë, dialogu zhvillohet në Parlament dhe në Komisionet parlamentare, ku opozita ka përfaqësimin maksimal të mundshëm. Ju garantoj se opozita do të ketë hapësirë pa kufi për të shprehur shqetësimet e saj dhe për të kontribuar në reformat që na presin.

Zoti Meta së fundi, mes Parlamentit të Shqipërisë dhe Bundestagut gjerman është krijuar një traditë pune dhe bashkëpunimi. Si e shihni këtë marrëdhënie tashmë nën drejtimin tuaj?

Ne e vlerësojmë jashtëzakonisht mbështetjen dhe bashkëpunimin që është ofruar dhe ofrohet nga Bundestagu, si përfaqësuesi legjislativ i një vendi mik me peshë të rëndë e të veçantë në BE. Ne shpresojmë në mbështetjen e Berlinit për miratimin e statusit të vendit kandidat në BE, siç u rekomandua edhe nga Komisioni Evropian. Siç i shpreha përmes një letre urimi edhe Kryetarit të sapo rikonfirmuar të Bundestagut z. Lammert, Gjermania ka dhënë një kontribut historik për demokratizimin e Shqipërisë, anëtarësimin e saj në NATO dhe për zhvillimin e saj ekonomik. Në këtë drejtim, ne mbështetemi fuqimisht në përkrahjen e Gjermanisë, të Bundestagut dhe të z. Lammert përsonalisht për të avancuar procesin e integrimit evropian të vendit tonë, dhe të vendeve të tjera të rajonit.

Intervistoi: Mimoza Cika-Kelmendi

Redaktoi: Amarildo Topi