1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

150910 Nahost Friedensverhandlungen

15 Shtator 2010

Bisedimet për paqe mes Izraelit dhe palestinezëve do të vazhdojnë të mërkurën (15.9.) në Jeruzalem. Pyetja kryesore është nëse do të arrihet një kompromis për ndalimin e ngulimeve të reje hebreje.

https://p.dw.com/p/PCNu
Ngulimet izraelite në Har Hom, Jeruzalemi lindor
Ngulimet izraelite në Har Hom, Jeruzalemi lindorFotografi: picture-alliance/dpa

George Mitchell, i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Lindjen e Afërt, njoftoi të martën (14.9.) në Sharm El Sheik me nota disi festive se presidenti i palestinezëve Mahmud Abaz dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu kishin negociuar me mirëbesim me njëri-tjetrin, për herë të parë edhe për çështjet thelbësore të konfliktit në Lindjen e Afërt: kufijtë e ardhshëm të një shteti palestinez, statusin e Jeruzalemit dhe refugjatët palestinezë.

Mitchell iu drejtua me fjalë të qarta kryeministrit izraelit, të zgjasë afatin për ndalimin e ndërtimeve të ngulimeve hebreje në Jordanin Perëndimor. "Qëndrimi ynë ndaj ngulimeve hebreje është i njohur dhe mbetet i pandryshuar. Ashtu siç tha presidenti Obama pak kohë më parë, sipas vlerësimit tonë është kuptimplotë të zgjatet moraturiumi (për ndalimin e ndërtimeve), veçanërisht po të mbajmë parasysh faktin se bisedimet po lëvizin në një drejtim konstruktiv."

Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu, Sekrearja amerikane e shtetit Hillari Clinton, presidenti palestinez, Mahmud Abaz dhe George Mitchell, i dërguari i posaçëm i SHBA.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu, Sekrearja amerikane e shtetit Hillari Clinton, presidenti palestinez, Mahmud Abaz dhe George Mitchell, i dërguari i posaçëm i SHBA.Fotografi: AP

Por se çfarë ishte kaq konstruktive në bisedime dhe përse Abaz dhe Netanjahu u takuan në Sharm el Sheik dy herë jashtë planit, të gjitha këto mbetën në errësirë. Të dy kryetarët e qeverive hoqën dorë nga mbajtja e një konference për shtyp pas takimit. George Mitchell e ngushëlloi me këto fjalë shtypin ndërkombëtar kureshtar: "Palët ishin të një mendjeje se negociatat duhet të trajtohen me shumë konfidencë dhe sensibilitet në mënyrë që të jenë të sukseshme."

Kjo vlen edhe për një kompromis të mundshëm në ndërtimin e ngulimeve hebreje. Amerikanët arritën të shmangin në Sharm el Sheik braktisjen e sallës së bisedimeve nga Abazi dhe delegacioni i tij. Pikërisht këtë kishin paralajmëruar palestinezët në rast se Netanjahu nuk do të zgjaste moratoriumin për ndalimin e ndërtimit të ngulimeve.

Një palestinez duke kaluar në ndërtimet hebreje në Beitar Illit, afër Jeruzalemit.
Një palestinez duke kaluar në ndërtimet hebreje në Beitar Illit, afër Jeruzalemit.Fotografi: AP

Në Izrael mbizotëron kryesisht pesimizmi, edhe në kampin që përkrah paqen. Shaul Arieli drejtues i delegacioni izraelit në bisedimet për paqe e sheh me sy kritik strategjinë ngurruese të Netanjahut në negociata: "Në fazën aktuale Benjamin Netanjahu flet me Mahmud Abazin vetëm kur i drejton ai bisedimet. Edhe nëse këto bisedime do të vazhdonin mundësia që në to të arrihen rezultate konkrete me fuqi ligjore është shumë e largët. Pra aktualisht unë nuk shoh negociata të mirëfillta."

Sipas një anketimi të gazetës izraelite „Jedioth Achronoth“ skeptikë ndaj bisedimeve janë edhe dy të tretat e izraelitëve. 71 për qind nuk besojnë se këto bisedime do të rezultojnë me një marrëveshje për paqe. Vetëm një e katërta e popullsisë beson në suksesin e negociatave.

Autor: Sebastian Engelbrecht/ Eliana Xhani

Redaktoi: Aida Cama