1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

060911 Gründungsfreudige Migranten

6 Shtator 2011

Njerëzit me rrënjë të huaja fillojnë në Gjermani më shpesh veprimtari private, se sa e bëjnë këtë gjermanët. Për vite me radhë turqit përbëjnë pjesën më të madhe në mesin e atyre, që themelojnë firma private.

https://p.dw.com/p/12Tsu
Brahim Ben Hicham, pronar i punishtes KONA për përgatitjen e kafesë në Euskirchen pranë Bonit
Brahim Ben Hicham, pronar i punishtes KONA për përgatitjen e kafesë në Euskirchen pranë BonitFotografi: DW

Në tre-katër vitet e fundit shtatë për qind e rreth 15 milion qytetarëve me origjinë të huaj, që jetojnë në Gjermani, kanë hapur kompanitë, apo biznesin e tyre privat. Këto janë rezultatet e një studimi të Institutit për Tregun e Punës dhe Punësimit (IAB). Për krahasim: qytetarët gjermanë pa sfond emigrimi ishin më pak se pesë për qind. Të huajt, që jetojnë në Gjermani, ngrenë kryesisht kompani në fushën e shërbimeve, thotë profesoresha Elizabeth Müller nga Shkolla e Frankfurtit për Menaxhimin e Financave. Ajo ishte drejtuesja e një studimi, që u botua kohët e fundit në emër të Qendrës për Kërkime Ekonomike Evropiane (ZEW): Është e vërtetë se emigrantët janë kryesisht të vetëpunësuar në sektorët e shërbimit, të gastronomisë dhe të tregtisë. Kështu, për shembull  tipik është restoranti italian, apo qebaptorja, por edhe dyqanet ushqimore në zonat e banuara", thotë Müller.

Natalia Schwarz në rrobaqepsinë e saj në Bonn-Duisdorf
Natalia Schwarz në rrobaqepsinë e saj në Bonn-DuisdorfFotografi: DW

Nga papunësia në biznes privat

Një arsye, që shumë migrantë guxojnë të ndërmarrin hapin e pavarësisë, është papunësia. Shkalla e papunësisë në radhët e emigrantëve është më e lartë, sesa tek shtetasit gjermanë - sqaron drejtuesja e studimit të Qendrës për Kërkime Ekonomike Evropiane.

E papunë ishte edhe spanjollja Natalia Schwarz, e cila hapi 20 vjet më parë në Gjermani një rrobaqepësi. Pasi kishte qëndruar disa vjet si shtëpiake, pasi qe bërë nënë, ajo donte të kishte përsëri një punë. Meqë dinte zanatin e rrobaqepëses, ajo më në fund guxoi t'i futej biznesit privat. Jo pa dyshime. Miqtë dhe fqinjët i kishin thënë më parë, se rreziku për të hapur një biznes mund të jetë shumë i madh. Por për rrobaqepsi kishte  nevojë. Sot, tregon Natalia, njerëzit nuk shpenzojnë aq shumë sa më parë, sepse në fund të fundit një gjë e qepur me dorë ka edhe çmimin e vet: "Para 5-6 vjetësh punët shkonin më mirë. Po unë jam vetëm, më ndihmojnë edhe fëmijët, është më tepër biznes familjar. Po mua më pëlqen të qep dhe prandaj vazhdoj të punoj."

Friseur
Fotografi: Bilderbox

Qytetarët gjermanë  kanë më shumë frikë t'u hyjnë rreziqeve

Sipas studimit të Qendrës për Kërkime Ekonomike Evropiane (ZEW) qytetarët gjermanë janë më pesimistë në drejtim hapjes së një biznesi të pavarur dhe kanë më shumë frikë t'u hyjnë rreziqeve sesa qytetarët nga vende të tjera. Po ashtu sipas studimit del se në radhët e emigrantëve janë më të shpeshta rastet e biznesit familjar, pra si rasti i Natalias, ku anëtarët e familjes ndihmojnë në biznes.

Autor: Monika Lohmüller/Pandeli Pani

Redaktoi: Angjelina Verbica