1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Migrantët dhe pensionet e tyre

Kathrin Erdmann6 Shkurt 2006

Në Gjermani jetojnë aktualisht 6,7 milionë migrantë. Shumica prej tyre kanë ardhur në vitet 50-të dhe 60-të. Në vitet e ardhshme ata do të dalin në pension. Këta punonjës duhet të brengosen më shumë se kolegët e tyre gjermanë

https://p.dw.com/p/Ar1O
Të huajt në Gjermani
Të huajt në GjermaniFotografi: DW-TV

Para 45 vjetësh, Gjermania ka nënshkruar një marrëveshje me Turqinë për punësim. Sot në Gjermani jetojnë rreth 2,7 milionë njerëz me prejardhje turke. Mirëpo askush nuk e di se si do të rregullohet çështja e pensioneve të tyre. Për këtë nuk ka informacione të sakta në nivelin lokal e as tek autoritetet federale. Në Qendrën për studime turke thonë se në këtë moment rreth 230.000 turqë marrin pesione.

Drejtori Faruk Shen pohon: "Duke u nisur nga fakti se ata nuk kanë paguar për një kohë të gjatë në fondin e pensioneve dhe se kanë qenë të punësuar në grupet më të ulta, pensionet e tyre kapin shumën mesatare prej 572 eurosh. Në të ardhmen numri i pensionistëve do të shtohet. Sipas llogarive tona, në vitin 2013 do të ketë rreth 480.000 pensionistë turq. Kjo do të thotë se do të kemi varfërimin edhe më të madh, tek popullata turke në Gjermani."

Rreth 50.000 pensionistë janë gra. Në të shumtën e rasteve, situata e tyre është edhe më e keqe, thotë kryetari i shoqatës së turqëve në Hamburg, Harald Vinkels.
"Shumë gra kanë punuar kohë pas kohe, sa për të fituar diçka. Mirëpo atyre u mungojnë vitet e kujdesjes për fëmijët, që do të thotë se kanë më pak vite pune se meshkujt. Në qoftë se meshkujt vdesin para tyre, që në shumicën e rasteve edhe ndodh, atëherë detyrohen të kënaqen me 60 përqind të një pensioni edhe ashtu të vogël, nga i cili praktikisht nuk mund të jetojnë."

Vinkels thotë se deri tani është insistuar në mbajtjen e familjeve të përbashkëta. Mirëpo gjerneratat e reja kanë ndryshuar, kështu që shumë të moshuar tani jetojnë të vetmuar dhe jo në familje. Për shkak të një papunësie të lartë, në veçanti në mesin e popullatës turke, ata nuk mund të llogarisin as në mbështetje financiare. Nermina Göckeoglu nuk është mbështetur prej fëmijëve as në ato momente kur e kishte të domosdoshme. Kjo 53 vjeçare ka ardhur në Hamburg në vitin 1969, ku ka lindur edhe një fëmijë. Ajo kja mësuar edhe gjuhën gjermane.

"Unë kam punuar në firmën Shtokman, në fabrikën e çokollatave. Gjithmonë kam ëndërruar të punojë në një zyre të posaçme. Pas shumë viteve e realizova këtë dëshirë. Tani punoj si telefoniste në një kopsht fëmijësh ".

Ajo do të dilte me dëshirë në pension të parakohëshëm, mirëpo financiarisht kjo është e pamundur. Burri i saj është në pension të parakohshëm, si çdo i dyti nga të njohurit e tyre. Kjo konfirmohet edhe nga nja raport zyrtar ku thuhet se migrantët e vjetër sëmuren më shpesh dhe më shpejt se moshatarët e tyre gjermanë. Një prej shkaqeve është puna e tyre fizike. Nermina është e knaqur që mund t'i kontribojë mirëqenjes familjare. "Sikur të jetoja vetë, me siguri që këto para nuk do të më mjaftonin. Do të më duhej ndihma shtesë".

Kjo të zemëron sepse ajo punon për 32 vite me radhë, ndërkohë që pensioni i saj nuk do t'i mjaftojë për një jetë normale. Edhe më konkret është Namik Özcep, i cili deri tani ka pasur dy sulme në zemër, dhe për këtë shkak ka shkuar në pension të parakohshëm. Në një puntori ai ka punuar plot 30 vjet. Nga pensioni i tij prej 1240 eurosh, ai mund të jetojë mirë. Megjithatë është shumë i indinjuar:
"Ish kancelari Helmut Shmit ka thënë: Marrja e puntorëve të huaj ishte gabim. Kjo më lëndon shumë. Kam pyetur veten: çfarë të keqe i kam bërë këtij vendi? Këtij vendi i kam dhuruar rininë time, kam paguar tatime dhe të gjitha obligimet tjera. Dokumentacioni im është i pastër. Çfarë të keqe kam bërë unë?"

Ai është i dëshpëruar për faktin se pas kaq shumë vitesh nuk mund të votojë as në nivelin komunal dhe nuk ka të drejtën e dyshtetësisë, si përfaqësuesit e shumë kombeve të tjera.