1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Migrantët janë integruar më mirë se mendonim" - Intervistë me Barbara von Würzen, drejtuese projekti e fondacionit Bertelsmann

25 Dhjetor 2010

Në çështjet e familjes dhe të punës migrantët duken shumë më të integruar në Gjermani sesa supozohet shpesh.

https://p.dw.com/p/zpYg
Fotografi: picture-alliance/dpa

Sipas një studimi të publikuar nga fondacioni Bertelsmann në Gütersloh midis shtetasve me ose pa sfond migracioni ka „më shumë të përbashkëta sesa elemente ndarëse“. Tobias Oelmaier bisedoi me Barbara von Würzen, drejtuese projekti te fondacioni Bertelsmann dhe bashkëpunëtore në studim, dhe e pyeti atë fillimisht, se çfarë është hulumtuar saktësisht.

„Për ne kishte në radhë të parë rëndësi të shihnim dhe të studionim edhe një herë përputhshmërinë e punës me familjen. Ku ka vështirësi? Ku duhet bërë më shumë? Ku janë zgjidhur tashmë problemet? Dhe për këtë nuk pyetëm vetëm gjermanët, po edhe të ardhurit nga jashtë, të huajt apo gjermanët me rrënjë të huaja. A i shohin ata gjërat njëlloj apo kanë preferenca të ndryshme? Thjesht për të parë se ku ka ende mundësi për të bërë diçka.”

Dhe rezultoi vërtet, që, le të themi, grupet e popullsisë nuk dallojnë aq shumë njëri nga tjetri?

“E saktë. Kështu është. Ne ishim ca të befasuar, që dallimi nuk është aq i madh, pra që vërtet pëfytyrimi për vajtjen në punë të nënave si dhe për ndarjen e punëve të shtëpisë është gati i njëjtë. As ne nuk e prisnim diçka të tillë. Prisnim në fakt, që shumë njerëz të ardhur nga jashtë ose me rrënjë të huaja të kishin interes të madh për këto tema, por që gjendjet të ishin kaq të ngjashme, dhe që të mos dallojnë gati aspak njëra nga tjetra, kjo ishte diçka e bukur.”

Çfarë donit të dinit në hollësi prej të pyeturve gjatë anketimit?

“Për shembull donim të dinim se si janë ndarë punët e shtëpisë, kush është përgjegjës për to. A janë kryesisht gratë, janë të dy, apo janë më shumë burrat. Dhe siç kemi konstatuar shpesh në Gjermani, ende për to përgjigjen në masë të madhe gratë, si në familjet me rrënjë vetëm gjermane, ashtu edhe në ato me rrënjë të huaja. Ose deshëm të dinim, se çfarë mendojnë për thënien, që nënat duhet të rrinë në shtëpi për arsye të fëmijëve, të kujdesen për ta në vend, që të shkojnë në punë. Dhe këtu konstatuam vërtet, që njerëzit me rrënjë të huaja janë në masë shumë më të madhe në favour të asaj, që nënat të shkojnë edhe në punë. Pra këtu duket se ekziston një imazh shumë më i shtendosur i nënës, që nuk kujdeset, sesa te gjermanët pa rrënjë të huaja.”

Ju bëni tani dallimin midis njerëzve me rrënjë gjermane dhe të huaja, por a ka edhe dallime te prejardhja e migrantëve?

“Ato ekzistojnë, por nuk janë aq të forta sa mendohej. Ne nuk kemi bërë në fakt anketime, që kufizohen kryesisht vetëm te familjet turke apo myslimane, ato janë gjithashtu të përfshira, por kemi arritur, që ti paraqesim ato veçan. Këtu konstatuam vërtet, se çuditërisht pikërisht familjet turke i ndajnë shumë më tepër punët e shtëpisë sesa gjermanët. Ata e bëjnë këtë në mbi 40 për qind. Ky është një sfond interesant, që tek ne janë shumë më tepër gratë, që i bëjnë punët, ndërsa te njerëzit me prejardhje turke bëhet në masë shumë më të madhe ndarja e punëve. Ky ishte një përfundim interesant.“

Sa u besoni të pyeturve? Askush nuk do të thotë për veten, se mendon krejt në mënyrë tradicionale.

“Mendoj, se këto të dhëna janë mjaft të vlefshme. Instituti Emnid i përzgjedh të dhënat, pyet dhe lutet konkretisht, që përgjigjet të jepen siç është në të vërtetë. Nuk ka as disavantazhe në rast se i thua gjërat siç janë. Besoj vërtet, që këto janë të besueshme.“

Sipas klisheve turku është plehraxhi dhe persiani është taksist. Si duket në të vërtetë orientimi i karrierës te migrantët?

„Orientimi i karrierës, këtë e kemi konstatuar vazhdimisht, është shumë shumë i lartë. Për njerëz, që kanë këtu vërtet rrënjë të huaja, janë shpesh një shans i madh mundësitë e arsimimit, që krijon në fakt Gjermania. Shumë njerëz kanë prindër, që vetë nuk kanë bërë shumë përpara ose që nuk i patën mundësitë në shtëpi për të përfituar shkollim të mirë, dhe për këta njerëz është një shans shumë i madh, të cilin e shfrytëzojnë me kënaqësi dhe duan ta shfrytëzojnë edhe te fëmijët e tyre. Për brezin e prindërve është shumë shumë e rëndësishme, që fëmijët të kenë shanse shumë të mira shkollimi.“

Autor: Tobias Oelmaier/ Elert Ajazaj

Redaktoi: Sonila Sand