1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Migrantët pensionistë - të varfër në Gjermani

Günther Birkenstock/ Auron Dodi15 Korrik 2013

Të huaj të moshuar, që jetojnë në Gjermani dhe që kanë punuar për shumë vite këtu, preken më shpesh nga varfëria se sa nënshtetasit gjermanë. Ky zhvillim njihej prej kohësh. Tani problemi bëhet më i qartë.

https://p.dw.com/p/197a3
Fotografi: picture-alliance/dpa

Eser Gökler është një përjashtim i madh. Turku 65 vjeçar erdhi në vitin 1969 në RFGJ, mësoi gjermanisht, mbaroi maturën dhe studioi ekonomi. Si tregtar i diplomuar ai punoi për shumë vjet si kontrollor në firma të mëdha dhe më vonë themeloi firmë private. Gökler investoi që në moshë të re para në pasuri të vogla të patundshme. "Prandaj mua nuk më duhet sot të paguaj qira dhe me të ardhurat e mia mund ta rris pensionin tim prej 1200 eurosh në dyfishin", deklaron Göckler. Me këtë situatë ai përfaqëson një përjashtim. Sepse në bazë të statistikave, shumë emigrantë në moshën e tij janë në një gjendje tjetër: ata thuajse nuk kanë para me se të jetojnë.

Eser Göklur, migrant në Këln
Eser Göklur, migrant në KëlnFotografi: DW

Kush konsiderohet i varfër në Gjermani?

Miliona vetë nga Evropa Jugore dhe Lindore erdhën në vitet '60 dhe '70 në Gjermani. Shumica erdhën për t'i shpëtuar varfërisë në atdheun e tyre. Ekonomia në Gjermani përjetonte bum dhe kishte nevojë për fuqi punëtore. Gjermania kërkoi për një kohë të gjatë migrantë, që atëherë quheshin "punëtorë mysafirë", Gastarbeiter. Të tëhequr nga perspektiva e një jete më të mirë, ata punonin në fabrika çeliku dhe në miniera, në industrinë e prodhimit të makinave dhe në kuzhina të mëdha. Ishin shumë pak ata që arritën të bëhen të pasur.

Punëtorë mysafirë në vitet '60 në Hamburg
Punëtorë mysafirë në vitet '60 në HamburgFotografi: picture-alliance/dpa

Një studim i publikuar tani i Institutit të Shkencave Ekonomike dhe Sociale të Fondacionit Hans Böckler tregon se nga varfëria sot kërcënohen më shumë se 40 përqind e migrantëve në moshë pensioni. Me këtë shifër, kuota e varfërisë tek të huajt e moshuar rezulton tri herë më e lartë se sa tek nënshtetasit gjermanë. I varfër ose i kërcënuar nga varfëria, sipas përkufizimit të BE, konsiderohet ai që zotëron më pak se 60 përqind të mesatares së të ardhurave. Tek personat që jetojnë vetëm në Gjermani, kjo do të thotë që ata duhet të jetojnë me më pak se 848 Euro në muaj. Në rastin e çifteve, kuota është 1278 euro. Studimi ka përfshirë jo vetëm persona që jetojnë vetëm, por edhe çifte dhe familje të mëdha. "Një ekonomi shtëpiake mund të jetë gjithmonë ose krejtësisht, ose fare jo në varfëri. Kur keni dy persona, njëri prej tyre ka më shumë se 848 euro, por tjetri nuk ka fare të ardhura, të dy jetojnë në varfëri", thotë Eris Seils, autori i studimit.

Të paguar keq dhe më shpejt se të tjerët të papunë

Për varfërinë e lartë tek migrantët, sociologu sheh para së gjithash tri shkaqe: "Ata që erdhën këtu, vërtet që u punësuan në fabrika të mëdha, të cilat si tendencë paguajnë më mirë, por atje ata kryenin veprimtari të thjeshta, të kualifikuara pak. Këto punë normalisht paguhen më pak." Së dyti, në vitet '80 qenë në radhë të parë të huajt ata që u pushuan nga puna, kur në industri u zhdukën shumë punë dhe kur u rrit sektori i shërbimeve. Prandaj kuota e të papunëve tek të huajt u rrit shpejt, mbi atë të meshkujve dhe femrave. Si shkak të tretë Seils përmend faktin, që përsa u përket të huajve" një pjesë shumë e vogël e tyre kanë statusin e nëpunësit civil, të cilët zakonisht nuk preken nga varfëria në pleqëri."

Kësaj i shtohet fakti, thotë shkencëtari, që shumë të huaj kanë ardhur në Gjermani në moshë të madhe dhe prandaj kanë një "histori punësimi" të ndërprerë. "Ata erdhën nga vende, në të cilat sektori informal i ekonomisë, pra puna në të zezë, lulëzonte. Për vitet e para të punës që ata e kanë kryer pa sigurim social, shpesh pra ata nuk marrin asgjë."

Për t'i ruajtur brezat e ardhshëm të migrantëve nga varfëria, Instituti Gjerman i Sigurimeve Sociale të Baden- Vyrttembergut, nisi në vitin 2009, së bashku me organizatat bamirëse dhe ministrinë e Integrimit të këtij landi një projekt të gjerë. Me kurset tona për të lidhur sigurime për moshën e pleqërisë, ne nuk zgjuam dot interesin e të huajve dhe prandaj ngritëm NEMIGUSS, Rrjetin për Migracion dhe Siguri sociale," thotë Andreas Schwarz, drejtues i NEMIGUSS. Veçanërisht grupet më të mëdha të migrantëve, turqit, italianët dhe grekët mund të informohen këtu për sigurimin në pleqëri dhe për sigurimet shëndetësore. "Sistemi i sigurimeve sociale është shumë i komplikuar. Ne ofrojmë seminare që ua përcjellin njerëzve përmbajtjet në formë shumë të thjeshtë. Pjesëmarrësit kanë mundësi edhe që të bëjnë pyetje në gjuhën e tyre amëtare."

Për këto seminare falas mund të regjistrohesh përmes ministrisë së Integrimit të Baden- Württembergut. Më shumë regjistrohen shoqata kulturore, organizata migrantësh dhe sindikata. Por seminaret mund t'i porositë çdo njeri.