1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

070611 ASEM Außenminister Abschluss

8 Qershor 2011

ASEM (Takimi Azi - Evropë) është një forum joformal komunikimi, në kuadër të së cilit bashkëpunojnë shtetet dhe organizatat aziatike dhe evropiane. Të hënën dhe të martën u fol për bashkëpunimin ekonomik dhe energjinë.

https://p.dw.com/p/11WAn
Takimi i ASEM-it në Gödöllö, Hungari
Takimi i ASEM-it në Gödöllö, HungariFotografi: dapd

46 shtete ishin të përfaqësuara në takimin e zhvilluar në Gödöllö pranë kryeqytetit hungarez Budapest. Në këtë kështjellë idilike dikur e ndjente veten rehat mbretëresha austo-hungareze Elizabetë, e quajtur Sissi. Megjithatë para së gjithash janë shifra me peshë ato që ministrat e Jashtëm të Azisë dhe Evropës sjellin me vete në këtë kështjellë, thekson e ngarkuara e BE-së me politikën e jashtme Catherine Ashton. "Ky forum është unikat. Së bashku ne përbëjmë mbi 60 përqind të popullatës botërore, që do të thotë katër miliardë njerëz, gjysma e prodhimit social botëror dhe mbi 60 për qind e tregtisë botërore", tha Ashton.

Ministri i Jashtëm hungarez dhe nikoqiri i takimit János Martonyi thekson që shkëmbimi evropiano-aziatik është dëshmuar edhe si kundërpeshë e krizës financiare: "Ju duhet vetëm të shikoni shifrat e tregtisë dhe të investimeve në dy-tre vitet e fundit. Për shembull tregtia jonë me Kinën, Korenë dhe me shumicën e vendeve të tjera aziatike është zgjeruar në mënyrë dramatike edhe në vitet më të vështira të krizës financiare. Kjo tregon ndërkohë përse tani dhe në të ardhmen Azisë dhe Lindjes në përgjithësi duhet t'i kushtohet më shumë vëmendje."

Takim i Asem-it, Bruksel
Takim i Asem-it, BrukselFotografi: AP

Një temë e rëndësishme me interes të përbashkët është furnizimi me energji elektrike. Por të dyja palët e trajtojnë këtë temë ndryshe nga njëra-tjetra. Kina dhe Australia për shembull ashtu si më parë përdorin shumë thëngillin. Ndërsa Gjermania dëshiron të ndërprejë prodhimin e energjisë bërthamore. Ideja për deponimin nëntokësor të dioksidkarbonit nuk mund të zbatohet ende ligjërisht. Ministri i Jashtëm australian Kevin Rudd i tha Deutsche Welles se ky është një gabim. "Unë e di se në Gjermani dhe shumë pjesë të tjera të botës kjo procedurë është e diskutueshme. Por grumbullimi dhe deponimi i dioksidit të karbonit dhe teknologjitë përkatëse që lidhen me të janë përgjigjet e mundshme në të ardhmen për ndryshimin e klimës."

Me kritika të hapura në adresë të disa qeverive pavarësisht se a janë ato anëtare të ASEM-it apo jo, në nivelin e ASEM-it janë shumë të rezervuar. Shembulli më i mirë për këtë është gjendja në Jemen. Atje shumë njerëz shpresojnë që presidenti i plagosur nga një sulm raketor, Ali Abdullah Saleh nuk do të kthehet më nga Arabia Saudite.

Wen Jiabao në Bruksel
Wen Jiabao në BrukselFotografi: AP

Shefja e diplomacisë së BE-së Catherine Ashton iu bashkangjit këtyre shpresave por pa e përmendur fjalën "dorëheqje". "Ai e di saktë se çfarë duhet të bëj për popullin e tij. Unë shpresoj që gjatë kohës sa do të jetë në trajtim mjekësor në Arabinë Saudite ai do të shfrytëzoj rastin që të mendoj dhe të vendos për atë që do të ishte më me interes për popullin e tij. Diçka çfarë vendit të tij do t'i japë mundësinë të përparojë. Unë besoj që ai do ta bëj këtë", theksoi Ashton.

Mysafirët aziatikë të baroneshës Ashton nuk deshën të prononcohen publikisht për këtë temë. Përzierja apo mospërzierja në rastet e dhunës politike apo shkeljen e të drejtave të njeriut, kjo çështje përçan ASEM-in, përkundër të gjitha gjërave të përbashkëta që ka ai.

Autor: Christoph Hasselbach / Esat Ahmeti

Redaktoi: Aida Cama