1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ministrat e Mbrojtjes së BE-së të rezevuar ndaj kërkesave amerikane për më shumë ushtarë në Afganistan

30 Shtator 2009

Kryekomandanti i trupës ndërkombëtare për Afghanistanin ka deklaruar se pa shtimin e numrit të ushtarëve ky mision do të përfundonte në dizastër. Për këtë apel diskutuan të martën ministrat e mbrojtjes së BE-së

https://p.dw.com/p/JuCE
Bundeswehri në Afghanistan
Bundeswehri në AfghanistanFotografi: picture-alliance / dpa

Misionet ushtarake të BE-së shpesh herë ndodhen në hijen e misioneve të NATO-s. Por sidoqoftë edhe ata mund të tregohen në dritën e duhur, thotë ministri suedez i mbrojtjes dhe kryetari i rradhës, Sten Tolgfors:

Javier Solana dhe Sten Tolgfors gjatë takimit në Göteborg
Javier Solana dhe Sten Tolgfors gjatë takimit në GöteborgFotografi: picture-alliance/ dpa

„Gjatë dhjetë viteve të fundit BE ka zhvilluar 22 misione në katër kontinente. Aftësitë tona ushtarake kanë dëshmuar veten në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, Republikën Demokratike të Kongos, në Çad, në Bosnjë-Herzegovinë. Dhe misioni i fundit, që vazhdon, është ai para bregdetit të Somalisë.“

Ky operacion i marinës kundër piratëve konsiderohet si sukses i veçantë në BE. Por sfida e vertetë është në këtë vend, thotë koordinatori i BE-së për politikën e jashtme, Javier Solana. Prandaj BE mendon që në të ardhmen të përgatisë ushtarët e qeverisë së përkohshme somaleze. Kjo do të mund të bëhej në bashkëpunim me Unionin Afrikan në shtetin fqinj të Xhibutit.

Evropianët reagojnë të përmbajtur ndaj kërkesave amerikane

Me rezervë kanë reaguar evropianët ndaj kërkesave të reja amerikane për më shumë trupa në Afganistan. Ministri gjerman i mbrojtjes Franz Josef Jung tha se do të presë diskutimet në SHBA, kërkesa zyrtare nga SHBA-të nuk ekziston akoma.

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Franz Josef Jung
Ministri gjerman i Mbrojtjes, Franz Josef JungFotografi: AP

"Ne duhet të merremi tani vesh qartë se kur do të arrijmë synimin që Afganistani vetë të jetë në gjendje për t'u kujdesur për sigurinë e vet. Dhe që ta përcaktojmë këtë në një konferencë të përbashkët, siç ra dakord kancelarja jonë me kryeministrin britanik dhe me presidentin francez, më duket e domosdoshme dhe e rëndësishme, me qëllim që ta arrijmë në një kohë të arsyeshme synimin që siguria në Afganistan të përballohet vetë nga ky vend."

Jung tha se Bashkimi Evropian duhet të dërgojë më shumë ekspertë në Afganistan për krijimin e policisë. Ndërkohë atje ndodhen 275 policë, për të kryer trajnimin e policëve afganë. Por ishin planifikuar 400. Ministri belg i mbrojtjes de Crem u shpreh me ton refuzues.

"Bashkimi Evropian është ndërkohë i angazhuar në masë të madhe. Tani duhet forcuar rindërtimi civil. Dhe këtu BE mund të luajë një rol të rëndësishëm."

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh RasmussenFotografi: AP

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmussen ka theksuar në Uashington rolin evropian të NATO-s në Afganistan duke i marrë në mbrojtje evropianët.

Një problem të një lloji krejt tjetër BE ka nga ana tjetër me dy shoqatat e njësive për ndërhyrje në raste krizash. Që prej vitit 2004 këto 3.000 ushtarë gjithsej mbahen vazhdimisht në gatishmëri për raste emergjente. Por asnjëherë të vetme nuk kanë marrë pjesë në ndonjë mision. Javier Solana duke shpjeguar këtë problem thotë:

„Kur është fjala që të grumbullojmë forca për operacion, atëherë këto njësi speciale nuk janë në dispozicion, sepse ata janë rezerve për raste emergjente. Ka mundësi që ne kufizojmë aftësitë tona nga frika prej një situate e cila nuk do të vijë kurrë."

Taksapaguesit duhet ta dinë më me saktësi se çfarë bëjnë ushtarët në misione jashtë vendit

E vështirë ishte për Suedinë në vitin 2008. Suedia udhëhiqte të ashtuquajturin „Nordic Battlegroup“, ndërsa BE kërkonte me ngut ushtarë për operacionin në Çad. Por misioni në Çad nuk ishte mision emergjent dhe skuadrat e luftimit nuk shërbenin dot. Por presioni për të ndryshuar diçka vjen nga një drejtim krejt tjetër, siç shpjegoi ministri suedez i mbrojtjes Sten Tolgfors.

Flamuri suedez
Flamuri suedez

„Për mua fundja fundit ka rëndësi që të motivoj taksapaguesit e mi, që t'i mbajnë këto njësi për raste krizash. Suedisë i kushtojnë afro 100 milionë euro, dhe unë besoj se taksapaguesit duan të dinë me më saktësi, se çfarë bëjnë ata në të vërtetë."

Idetë, se si të dilet nga kjo dilemë, janë akoma të papjekura, por ata shkojnë të gjitha në të njëjtin drejtim, që kushtet e pjesëmarrjes në misionin ushtarak të jenë të përcaktuara më fleksibël , me qëllim që njësitë speciale të shërbejnë edhe në misionet e zakonshme të BE-së.

Autor: Christoph Hasselbach / Angjelina Verbica

Redaktoi: Esat Ahmeti