1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ministri i jashtëm rus Sergej Lavrov vizitoi Berlinin

Peter Stytcle6 Prill 2006

Ministri i jashtëm rus Sergej Lavrov u takua dje dhe sot në Berlin me kancelaren gjermane Angela Merkel, shefin e diplomacisë gjermane Frank Valter-Stajnmajer dhe ministrin e mbrojtjes Franc Jozef Jung. Tema qendrore të bisedimeve ishin grindjet për programin bërthamor iranian dhe gjendja në Bjellorusi

https://p.dw.com/p/Ar0u
Merkel dhe Lavrov në Berlin
Merkel dhe Lavrov në BerlinFotografi: AP

Marrëdhëniet në mes të Moskës dhe Berlinit janë komplikuar nën drejtimin e kabinetit qeveritar nga Angela Merkel. Edhe pse kjo nuk vërehej në terminin për fotografim të përbashkët me ministrin e jashtëm rus, mbështetja ruse për diktatorin bjellorus Aleksander Lukashenko shihet me sy kritik nga Merkel dhe qeveria e saj. Këtë ia tha më parë Lavrovit edhe homologu i tij gjerman Frank Valter Stajnmajer. Sergej Lavrov nga ana tjetër i vendosi në një rrafsh Bjellorusinë dhe Ukrainën:

"Rezultatet e zgjedhjeve të fundit në Bjellorusi dhe në Ukrainë tregojnë vullnetin e popullit në këto vende sovrane. Kombet tjera duhet të respektojnë rezultatin e këtyre zgjedhjeve dhe t'i shohin ato si bazë për marrëdhëniet e tyre me Minskun dhe Kievin. Gjithçka është mirë përderisa do të respektohet parimi i mospërzierjes në çështjet e brendshme të kombeve tjera", tha Lavrov.

Stajnmajer kundërshtoi hapur mysafirin nga Moska duke theksuar, se në bazë të parimeve themelore të Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, në çështjet e të drejtave të njeriut dhe demokracisë nuk ekzistojnë përzierje në çështjet e brendshme.

"Nga njëra anë ne kemi lënë pas zgjedhjet në Ukrainë të cilat janë zhvilluar sipas normave ndërkombëtare të njohura si norma të OSBE-së, dhe kemi vlerësimet për zgjedhjet në Bjellorusi për të cilat nuk mund të thuhet një gjë e tillë. Andaj për dallim nga kolegu Lavrov ne tërheqim vëmendjen se shqetësimi ynë i shprehur, nuk është përzierje në çështjet e brendshme të Bjellorusisë", tha Stajnmajer.

Nga ana tjetër bashkëbiseduesit ishin të një mendje sa i përket programit bërthamor iranian. Me mbështetjen e Rusisë Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka miratuar para ca ditësh një deklaratë përmes së cilës nga Irani kërkohet bashkëpunimi i menjëhershëm me bashkësinë ndërkombëtare.

"Ne kemi konkluduar bashkarisht se, tani ndodhet në duart e Iranit që të reagoj konform deklaratës së presidencës dhe të dërgoj tek ne një sinjal që do të përmbante aftësitë e durueshme të cilat do të na lejonin të riktheheshim në procesin e negociatave", tha Stajnmajer.

Ndërkaq në bisedë me ministrin gjerman të mbrojtjes Jung është biseduar për interesat e përbashkëta të sigurisë. Lavrov:

"Ne kemi diskutuar për mundësinë e përmirësimit të marrëdhënieve gjermano-ruse për stabilizimin e gjendjes në Afganistan. E njëjta vlen edhe për përpjekjet e përbashkëta për gjetjen e një zgjidhje të konfliktit mbi programin bërthamor iranian", tha Lavrov.