1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ministri për mbrojtjen e konsumatorëve kërkon kontrolle më të rrepta

Mathias Bölinger11 Tetor 2006

Pas skandalit të fundit të mishit të skaduar të gjithë ishin të një mendjeje: kontrolli mbi mallrat ushqimore në Gjermani duhet reformuar. Ministri gjerman për mbrojtjen e konsumatorëve Horst Seehofer kërkon të njësojë në rang federal standartet për kontrollin e mallrave ushqimore

https://p.dw.com/p/Aqz6
Horst Seehofer viziton një fabrikë mishi
Horst Seehofer viziton një fabrikë mishiFotografi: AP

Katër vjet me rradhë kishte magazinuar në frigoriferët e tij mish të skaduar një tregtar mishi nga Mynihu. Asnjëherë kontrollorët nuk kishin vënë re shkelje. Vetëm pas një njoftimi anonim nga vetë firma shpërtheu skandali. Ai u pasua nga diskutime të gjata, plane veprimi dhe nga një polemikë e ashpër mes Federatës dhe landeve. Ministri federal për mbrojtjen e konsumatorëve kërkonte më shumë kompentenca për Federatën, ministrat e landeve nga ana tjetër nuk dëshironin të hiqnin dorë prej tyre. Tani ministri Seehofer ka shtuar presionin mbi landet dhe ka njoftuar kontrolle më të ashpra.

Ministri gjerman për mbrojtjen e konsumatorëve Horst Seehofer kërkon të njësojë në rang federal standartet për kontrollin e mallrave ushqimore. Ai ka kritikuar faktin që pas skandalit të mishit të skaduar thuajse në asnjë land nuk janë zbatuar kontrolle më të rrepta. Reforma në kontrollin e mallrave ushqimore është urgjentisht e nevojshme mendon Seehofer: "Aktualisht na duhet të konstatojmë se reformat vendimtare strukturore në pjesën më të madhe të landeve deri tani nuk janë realizuar. Prandaj na lind e drejta të prezantojmë një kornizë e cila do të jetë në mbështetje të landeve."

Qysh këtë vit do të iniciiohet një paketë reformash e cila rregullon manaxhimin e cilësisë në rang federal ka bërë të ditur Seehofer. Në kuadër të reformave planifikohet përshembull një bankë të dhënash në plan federal por edhe kontrolle më spontane si dhe aplikimi i parimit të rotacionit i cili siguron që të mos jetë gjithnjë i njëjti kontrollor që mbikqyr për vite me rradhë të njëjtën firmë. Të planifikuara janë edhe orare pune më fleksibile për funksionarët e kontrollit: "Nëse një firmë fillon punën në 1:30 të mëngjesit dhe deri në orën 7 ka nisur për livrim të gjithë mallin atëherë nuk ka shumë kuptim që kontrolli i mallit të bëhet në orën 9:30", tërheq vëmendjen ministri Seehofer.

Landet duhet të bien dakort për masa të përbashkëta dhe Federata duhet të ketë në këtë kontekst një rol të qartë. Së fundi është e rëndësishme të merren masa që edhe kontrollorët të kryejnë si duhet detyrën e tyre. Pikërisht këtu lind pyetja: "Mjafton vetë-kontrolli apo është më eficiente një marrëveshje mes landeve? Kjo çështje duhet zgjidhur. Po e theksojmë këtu që të mos bjerë në harresë. Kjo ka të bëjë me kontrollin e cilësisë. Ashtu si Bashkimi Europian na kontrollon ne për të verifikuar nëse kontrolli i mallrave ushqimore është i organizuar në mënyrë rë arsyeshme", thotë Seehofer.

Në fillim të muajit dhjetor ministrat për mbrojtjen e konsumatorëve nga Federata dhe landet do të takohen sërish. Por ministri Seehofer e ka hapur tanimë diskutimin.