1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

110809 Echo Formel 1 Schumi

12 Gusht 2009

Pas lajmit se Mihael Shumaheri do të rikthehet në garat e Formula 1, pasoi tjetri. Për shkak të problemeve në pjesën e sipërme të shtyllës kurrizore,rekordmeni botëror i këtyre garave e anuloi comeback-un e tij.

https://p.dw.com/p/J894
Shumaheri nuk do të rikthehet në Formula 1. Ne foto: Mihael Shumaher
Shumaheri nuk do të rikthehet në Formula 1Fotografi: dpa

Shumë fansave të Mihael Shumaherit (Schumacher) në vendlindjen e tij Kerpen, që ishin përgatitur për t'u mbledhur nëpër klube për të ndjekur bashkarisht garat e Formula 1 nuk u erdhi mirë për lajmin. Ata mendojnë se idhulli i tyre është...:

"...ndoshta pak i mërzitur, sepse ishte përgatitur për comeback-un. Mendoj se edhe ai do të ishte gëzuar për këtë. Më vjen keq edhe për tifozët, si në Gjermani dhe kudo në botë, sepse edhe ata u gëzuan nga lajmi se Shumaheri do të rikthehej në pistën e garave, më vjen keq."

Disa të tjerë nuk u surprizuan prej lajmit që Shumaheri nuk do të mund të rikthehet në pistën e garave, sepse e kishin menduar që në fillim që pasojat e një aksidenti me motor, që kishte pasur Shumaheri para disa kohësh, do t'ia bënin të pamundur kthimin:

"Aksidentin para rreth një gjysmë viti e panë të gjithë. Dëmtimet ishin të mëdha dhe besoj se është e qartë që ende nuk është shëruar plotësisht."

Ekipi i Ferrarit e falenderoi Mihael Shumaher, që në rrethana të tilla ishte treguar i gatshëm për një rikthim në gara. Megjithatë bosi i Ferarrit Luca di Montezemolo, tha se ishte i pikëlluar për anulimin e comeback-ut.

Gjithsesi mendimi i përgjithshëm është se në radhë të parë ka rëndësi shëndeti i rekordmenit të garave të Formula 1.

Vëllai i Mihael Shumaherit, Ralfi, i cili ka qenë gjithashtu për vite të tëra pjesëmarrës në garat e Formula 1 tha:

"Ky është një vendim që secili e merr vetë. Por në rast se mjekët japin si këshillë që në rast përsëritjeje të problemeve, është në rrezik shëndeti, atëhere edhe unë do të kisha marrë të njëjtin vendim."

Traineri i Kombëtares Gjermane, Joahim Lëv (Löw), tha:

"U gëzova shumë, kur ai tha se do të rikthehej, sepse kjo ua ngre natyrisht shumë vlerën garave të Formula 1. Emocionet do të ishin rritur pa masë, në rast se Schumi do të hynte sërish në garë me Ferrarin. Ai ka me siguri arsyet e veta dhe në rast se me shëndetin gjërat nuk janë në rregull njëqind për qind, atëhere mendoj se nuk i duhet hyrë rrezikut. Por është për të ardhur keq."


Autor: Stefan Nestler/ Pandeli Pani

Redaktoi: Auron Dodi