1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mirëkuptim përmes bashkëpunimit kufitar të qyteteve shqiptare me ato maqedonase

17 Korrik 2010

BE ka vënë në dispozicion fonde për zhvillimin e bashkëpunimit ndërkufitar ndërmjet Maqedonisë dhe Shqipërisë. Projekti ka për qëllim afrimin e rajoneve përmes zhvillimit të bashkëpunimit ndërkufitar.

https://p.dw.com/p/ONs0
Kufiri në Debelldeh, mes Maqedonisë dhe Kosovës
Kufiri në Debelldeh, mes Maqedonisë dhe KosovësFotografi: Ajete Beqiraj

Më 19 korrik 2010 përfundon oferta e dytë publike për projekte për bashkëpunim ndërkufitar midis Maqedonisë dhe Shqipërisë. Bashkëpunimi mbështetet nga fondi evropian IPA. Në këtë kuadër, Bashkimi Evropian ka ofruar tre milionë e gjysmë euro. Nga Ministria e Maqedonisë për Pushtetin Lokal nuk japin informacione lidhur me atë se sa është interesimi i tyre për tërheqjen e mjeteve nga ky fond evropian, por bëhen të ditura dy projekte, të cilat janë në përgatitje e sipër për aplikim të përbashkët ndërmjet qyteteve të Maqedonisë dhe Shqipërisë; Tetova bashkëpunon me Elbasanin, ndërsa Gostivari me Korçën.

Sadi Bedzeti, kryetar komune
Sadi Bedzeti, kryetar komuneFotografi: DW

Kryetari i komunës së Tetovës, Sadi Bexheti tashmë ka realizuar një takim me kryetarin e komunës së Elbasanit Qazim Sejdini, edhe kryetari i komunës së Gostivarit, Rufi Osmani i cili gjithashtu është takuar me kolegun e tij nga Korça, Niko Pelleshi.

Përvoja të rëndësishme për aplikime të mëtejshme për tërheqjen e parave nga fondet e IPA-s

Shefi i Departamentit për zhvillim lokal ekonomik në komunën e Tetovës, Irfan Hoda, lidhur me këtë projekt përmend fushat e bashkëpunimit që ka përcaktuar Këshilli i komunës të Tetovës. Ato janë ekonomia, kultura, mbrojtja kulturore - historike e të dy qyteteve dhe të dy rajoneve, për bashkëpunim dhe zbatim të projekteve të tjera të ndryshme. Hoda: "Më konkretisht, në këtë rast bëhet fjalë për hapjen e qendrave të informacionit turistik në të dy qytetet. Po të miratohet ky projekt, ne presim që qendra e turizmit në Tetovë të fillojë nga puna në fund të vitit 2011.

Tetova
TetovaFotografi: Petar Stojanovski

Përgatitja e kërkesave me më shumë se treqind faqe që bëjnë thirrje për bashkëpunim ndërkufitar është një eksperiencë e re dhe kuptimplote për të punësuarit në këtë sektor të administratës komunale në Tetovë, si dhe për të gjitha administratat komunale në vend. "

Faton Jahja, këshilltar në Qeverinë e departamentit lokal të Gostivarit lidhur me këtë thekson: "Qëllimi është që të rritet zhvillimi ekonomik si në qytetin e Gostivarit ashtu edhe në qytetin e Korçës. Me realizimin e projektit presim krijimin e strategjisë për zhvillimin e turizmit, veçanërisht të atij malor dhe kulturor, si dhe krijimin e identitetit të të dy komuniteteve dhe të destinacioneve turistike. "

Bashkëpunimi i drejtpërdrejtë mes qyteteve kufitare kontribuon në mirëkuptimin mes popujve

Sipas profesorit në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin FON të Shkupit, Nano Ruzin, bashkëpunimi ndërkufitar është një impuls i madh në favor të afrimit të këtyre qyteteve dhe rajoneve, por edhe për Maqedoninë, si një shtet në tërësi drejt rrugës së Bashkimit Evropian."

Elbasani, gjithashtu do të jetë qytet partner
Elbasani, gjithashtu do të jetë qytet partnerFotografi: Mimoza Dhima

Ruzi: "Ky është një shans i shkëlqyeshëm për të vendosur marrëdhënie të mira me qytetet pranë kufirit ndërmjet dy shteteve, mundësi për të krijuar sistem të komunikimit si dhe të bashkëpunimit të drejtpërdrejtë të një qyteti të Maqedonisë me një, dy, apo disa qytete të një vendi tjetër, por edhe mundësi e përbashkët e komunikimit të tyre përmes Brukselit. Bashkëpunimi ndërmjet vendeve fqinje kontribuon për mirëkuptimin e ndërsjelltë të popujve të tyre, për të prezantuar kulturat e tyre, i cili është një element shumë i rëndësishëm për përhapjen e frymës evropiane."

Në njoftimin e parë publik, vitin e kaluar janë paraqitur rreth 60 projekte. Çdo projekt do të financohet maksimumi deri në 200 mijë euro. Hoda nga pushteti lokal i Tetovës, i cili 10 vjet ka punuar pikërisht në Ministrinë për Thithjen e Fondeve Evropiane, sqaron: "Ka shumë fonde të cilat Bashkimi Evropian i ka hapur për Maqedoninë, por që në një periudhë kohore prej dy - apo tri vjet më parë, ato nuk janë janë shfrytëzuar dhe për këtë arësye kanë qenë të mbyllura. " Mbetet për t'u parë nëse fondet e progamit IPA do të vihen në veprim të bashkëpunimit ndërkufitar midis Maqedonisë dhe Shqipërisë.

Autor: Sveto Toevski/Qeriman Bekteshi

Redaktoi: Lindita Arapi