1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Miratohet kushtetuta e Serbisë

Bahri Cani30 Tetor 2006

Sipas të dhënave zyrtare, dje në Serbi u miratua kushtetuta e re e cila parashikon që Kosova të jetë pjesë e saj. Komisioni qendror zgjedhor kumtoi se dje dhe pardje kanë votuar më shumë se 50 përqind e votuesve, pra aq sa ishte e domosdoshme për të miratuar kushtetutën e re.

https://p.dw.com/p/ArbZ
Fotografi: AP

Në fushatën për pjesëmarrje në referendum ishin kompozuar edhe këngë të posaçme. Të gjithë politikanët e rëndësishëm: presidenti Boris Tadiq, kryeministri Vojisllav Koshtunica, ministrat dhe përfaqësuesit e partive parlamentare dje dhe pardje tërë kohën i bënin thirrje qytetarëve që të dalin në referendum. Mirëpo deri në momentin e fundit dukej se referendumi do të dështojë.

Megjithatë, Komisioni Qendror zgjedhor në fund kumtoi rezultatet e para preliminare: "Në zgjedhjet e djeshme kanë votuar 53,66 përqind e qytetarëve. Për kushtetutën e re kanë votuar 51,4 përqind e qytetarëve", kumtoi përfaqësuesi i Komisionit, Dragan Vukmiroviq. Këto të dhëna u kumtuan pas përpunimit të rreth 10 përqind të rezultateve. Vukmiroviq tha se këtu nuk përfshihet rezultatet e votimit në Kosovë ku kanë votuar më shumë se 80 përqind e serbëve. Suksesin e referendumit, analisti politik, Djordje Vukadinoviq e tha se "kam frikë se informacionet për përgatitjen e Agim Çekut dhe shqiptarëve që të festojnë dështimin e referendumit dhe fotografitë prekëse të votimit të patriarkut 94 vjeçar kanë kontribuar më shumë se të gjitha apelet e politikanëve. Këtë duhet ta kemi parasyshë."

Kryeministri i Serbisë Vojisllav Koshtunica, në një deklaratë për mediat serbe u shpreh jashtëzakonisht i kënaqur. "Është ky një moment shumë i rëndësishëm, një moment kur qytetarëve të Serbisë duhet t'u urojmë kushtetutën e re. Për Serbinë kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme. Serbisë dhe të gjithë përfaqësuesve të bashkësive etnike e fetare, urime për kushtetutën e re", theksoi Koshtunica i cili një urim të veçantë kishte për qytetarët e Kosovës.

"Është ky një moment kur Serbia me miratimin e kushtetutës së re para tërë botës e rrumbullakëson shtetësinë e vet. Serbia e ka bërë të qartë se synon mbrojtjen e tërësisë territoriale, se është e orientuar drejt ndërtimit të një shteti demokratik, se Kosova e Metohia janë pjesë të pandashme të Serbisë dhe se është e interesuar për zhvillim sa më të shpejtë ekonomik", theksoi Koshtunica.

Shumë i kënaqur me rezultatet e referendumit ishte edhe presidenti i Serbisë Boris Tadiq, i cili theksoi se para këtij vendi gjenden edhe shumë obligime të tjera.
"Për mua përsonalisht, vlera më e madhe e këtij referendumi është që pas vetes kemi lënë periudhën e Millosheviqit. Ishte kjo një periudhë kur nuk jemi shquar shumë si vend dhe popull. Tani hapet mundësia për një Serbi të re, për Serbinë e ardhmërisë", theksoi Tadiq duke shtuar se hapi tjetër në këtë vend duhet të jetë mbajtja e zgjedhjeve të reja.

Të kënaqur me referendumin janë shprehur edhe partitë tjera parlamentare. Politikanët thonë se referendumi është mesazh për bashkësinë ndërkombëtare se Serbia nuk do të heqë dorë nga Kosova, ndërsa analistët mendojnë se miratimi i kushtetutës do ta forcojë pozicionin e Serbisë, por nuk do të ndryshojë shumë në procesin për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Shumica e shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe opozitës serbe e kanë bojkotuar referendumit. Përfaqëseusit e shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit thonë se kushtetuta e re paraqet një hap mbrapa në krahasim me atë të Millosheviqit.

Ndërkohë që kryetari i Partisë liberale demokrate Çedomir Jovanoviq konteston edhe rezultatet e referendumit. Ai theksoi se kushtetuta nuk është miratuar pasi që nuk kanë votuar 50 përqind e qytetarëve. "Regjimi është aq i dobët sa që përkundër presioneve të shumta nuk ka arritur të sigurojë shumicën e duhur në referendum", theksoi Jovanoviq duke shtuar se partia e tij ka paraqitur mbi 1000 ankesa për zhvillimin e këtij procesi.

Kryetarja e Aleancës qytetare, Natasha Miqiq u shpreh se rezultatet e publikuara janë edhe një mashtrim i ri i qeverisë dhe pushtetit të tanishëm. Udhëheqësi i Unionit të socialdemokratëve Zharko Koraq nënvizoi se referendumi paraqit manipulim shoqëror dhe mediatik, ndërkohë që kryetari i socialdemokratëve të Vojvodinës, Nenad Çanak ishte edhe më decidiv, duke thënë se "referendumi është i vjedhur". Sidoqoftë, të gjithë presin që kushtetuta të konfirmohet edhe pas shpalljes së rezultateteve përfundimtare. Pritet që kushtetuta e re të shpallet deri të dielën në parlament, ndërkohë që më vonë pritet të nxirret edhe ligji kushtetues dhe të mbahen zgjedhjet e parakoshme.