1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Miratohet në Berlin plani për shpëtimin e prodhuesit të automobilëve Opel

30 Maj 2009

Samiti i krizës për koncernin Opel, i cili zgjati deri në orët e para të mëngjesit, përfundoi me sukes.

https://p.dw.com/p/I0Xi
Qendra e Opel-it në BochumFotografi: picture-alliance/ dpa

Qeveria gjermane mbështeti konceptin e sipërmarrjes austriako-kanadeze Magna, e cila së bashku me bankën ruse Sberbank, do të ketë shumicën e aksioneve të Opelit. Këtë informacion e bëri të ditur ministri gjerman i Financave Peer Steinbrück, pas samitit të krizës të zhvilluar deri në orët e para të mëngjesit (30.05) në kancelari në Berlin. Në samit mori pjesë edhe vetë kancelarja gjermane Angela Merkel. Minisri i Jashtëm gjerman Frank Walter Steinmeier u shpreh i knaqur pas takimit maratonë. "Opeli ka një të ardhme. Punonjësit nuk do t'i humbin vendet e punës, e kjo është perspektiva për dhjetra mijëra familje. Prandaj jam i kënaqur me negociatat e sotme", u shpreh ai.

Pritet miratimi i komisioneve buxhetore te landeve Hessen dhe Nordrehin-Westfalen

Nëse plani miratohet edhe prej komisioneve buxhetore të landeve Hessen dhe Nordrhein-Westfalen, do të hapet rruga për kreditë e domosdoshme për mbijetesën e koncernit. Për të mbijetuar deri në nënshkrimin e kontratave mes Magnës dhe koncernit amerikan amë GM (General Motors), Opelit i duhet kredia e shtetit në vlerë prej 1,5 miliardë eurosh. Ministri i Ekonomisë Karl-Theodor zu Guttenberg ishte i mendimit se është mjaft i madh rreziku që kredia të mos kthehet kurrë. "Dua të them se në një proces shumë të komplikuar me parashime, hipoteza dhe role të shumta, unë kam pasur një vlerësim tjetër të rreziqeve", tha Guttenberg. Megjithatë qeveria vendosi që t' i pranojë këto kushte. Plani parashikon që Opeli të shkëputet në tërësi nga koncerni amë GM dhe të mos futet në procesin e falimentimit eventual të këtij koncerni. Magna ka premtuar se nuk do të mbyllë ndonjë prej fabrikave në Gjermani, ku janë të punësuar rreth 25.000 vetë. Përveç përfaqësuesve të qeverisë gjermane, në samit ishin edhe përfaqësuesit e landeve ku ndodhen fabrikat e prodhimit të Opelit, investitorët nga Magna dhe të deleguarit e ministrisë amerikane të financave.

Autor: Bahri Cani

Redaktoi: Sonila Harasani